SHKUP- VMRO-DPMNE dhe BDI fituan në zgjedhjet e djeshme të parakohshme parlamentare. Sipas të dhënave preliminare të KSHZ-së nga numërimi i 98 për ind të vendvotimeve, VMRO-DPMNE ka fituar 426 mijë vota, koalicioni opozitar LSDM 358 mijë vota, ndërsa nga partitë shqiptare BDI 108 mijë vota, PDSH 59 mijë vota si dhe partia e sapoformuar RDK 29 mijë vota.
Sipas një simulimi të bërë nga asociacioni qytetar “Most” nga votat e numëruara përfundimtare në bazë të numrit të fituar të deputetëve, VMRO-DPMNE ka fituar 53 deputetë, LSDM 43 deputetë, BDI 14, PDSH 8 dhe RDK 2 deputetë. Shumë parti të vogla politike nuk do të përfaqësohen në Parlament, pasi që nuk arritën fitoren e asnjë mandati, ndërsa shqiptarët kanë humbur pesë deputet nga përçarja e votës si dhe jehona e vogël e votuesve.
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) bëri të ditur se jehona e votuesve ka qenë mbi 63 për qind, ndërsa zgjedhjet u vlerësuan si të rregullta dhe demokratike, me përjashtim të parregullësive shumë të vogla. Kryetari i këtij komisioni, Boris Kondarko paralajmëroi për sot shpalljen e rezultateve të para jozyrtare.
Kryeministri i deritanishëm dhe kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski deklaroi se fitorja e këtyre zgjedhjeve ka një peshë të veçantë, për shkak se ajo u fitua në kushte të krizës ekonomike botërore, por sipas tij, kjo fitore jep edhe përgjegjësi më të madhe nga zgjedhjet e deritanishme. Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti gjithashtu ka uruar elektoratin shqiptar për fitoren në këto zgjedhje, duke theksuar se partinë e tij e presin përgjegjësi të mëdha.
Lidhur me formimin e koalicioneve me partitë maqedonase, Ahmeti theksoi se respekton atë parti që ka fituar verdiktin e elektoratit të tij, duke aluduar në VMRO-DPMNE. (INA)
Maqedonia voton, ora 13:00 e se dieles, pjesëmarrja 35%
UPDATE- Pjesëmarrja e votuesve në zgjedhjet parlamentare në Maqedoni, deri në orën 13:00 është 35,08 për qind.
Sipas të dhënave të Komisionit Zgjedhor, pjesëmarrje më e madhe vërehet në Njësinë e Tretë, ku kanë votuar 40,82 e votuesve, në Njësinë e parë kanë votuar 39,10 për qind, në Njësinë e dytë 31,89 për qind, në Njësinë e katër 37,20 për qind, në Njësinë 5 – 34,93. Pjesëmarrja më e vogël deri në këtë orë është regjistruar në njësinë e gjashtë, me 27,6%.
Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Boris Kondarko në konferencën për shtyp informoi se në bazë të të dhënave të përpunuara, përfundimisht deri në orën 13:00 në votim kanë dalë 612.814 qytetarë. Kondarko e vlerësoi pjesëmarrjen e votuesve si të madhe, krahasuar me ciklet e tjera zgjedhore.
Ai theksoi se votimi deri tani po zhvillohet kryesisht normalisht, pa probleme më të mëdha.
Ora 10:00
Sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve në Maqedoni deri në orën 10:00 pjesmarrja në zgjedhjet e parakohshme parlamentare ka qenë në shifrat 14,02 për qind.
Raportimet nga Maqedonia flasin për një pjesamarrje të kënaqshme, ndërsa gjithaçka deri në këto momente ka shkuar qetësisht dhe pa incidente.
Maqedoni, sot po mbahen zgjedhjet parlamentare
Në Maqedoni këtë të dielë mbahen zgjedhje të parakohshme parlamentare. Rreth 1,8 milionë shtetas me të drejtë vote do të votojnë për ndarjen e 120 mandateve në parlament, tri vende për herë të parë janë parashikuar për përfaqësues të diasporës.
Sipas anketimeve kryesojnë nacional-konservatorët e partisë VMRO-DPMNE në pushtet, me aleatët e tyre.
Qendrat e votimit u hapën në orësh 7 të mëngjesit dhe do të rrinë të hapura deri në orën 19:00. Rezultatet e para priten ditën e hënë. Zgjedhjet shoqërohen nga 3500 vëzhgues vendas dhe 330 ndërkombëtarë.
Maqedonia vuan aktualisht nën një amulli ekonomike dhe politike. Papunësia është në nivelin 30% dhe reformat e nevojshme ende nuk janë ndërmarrë. Veç kësaj, zënka me Greqinë për emrin, prej vitesh bllokon përpjekjet e Shkupit për anëtarësimin në BE.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare u bënë të nevojshme pas një konflikti në politikën e brendshme.
© Panorama.al











