Maqedoni, hetime për projektin “Shkupi 2014”

Jul 6, 2012 | 9:10

Në Maqedoni së shpejti do të nxitet debati dhe hetimet për “Shkupi 2014” dhe miliona eurot e harxhuara për realizimin e këtij projekti.

Opozita ka paralajmëruar se përmes procedurave dhe rrugëve parlamentare do të nis me kërkesat për hetimin e plotë të realizimit dhe kostos së projektit të ndërtimit “Shkupi 2014”, lidhur me ndërtimin e përmendoreve, objekteve të ndërtimit për nevojat e Qeverisë por me stile klasike si dhe objekte tjera kulturore, informon INA.

Sipas opozitës deri tani dyshohet se ky projekt ka arritur një shifër prej 200 milion deri në 300 milion euro, por deri tani nuk ka pasur shifra të saktësuara.

Qeveria akoma nuk ka dale me koston finale për harxhimet lidhur me realizimin e projektit, duke shtuar se po vazhdon procesi i ndërtimit dhe akoma nuk është përmbyllur tërësisht projekti, ku janë paraparë vendosja e përmendoreve tjera dhe finalizimi i objekteve kulturore dhe qeveritare.

Hetimet për projektin “Shkupi 2014” do të nisin nga Komisioni parlamentar për kulturë, ku sipas paralajmërimeve të opozitës do të kërkohet raport i plotë nga Ministria e Kulturës për tenderët e realizuar dhe koston financiare të çdo projekti, ndërsa është planifikuar që dëshmitarë kyç të thirret kryeministri Nikolla Gruevski, i cilësuar si ideolog i projektit dhe ministrja e Kulturës, Elizabeta Kançeska – Mileska. (INA)

© Panorama.al

Te lidhura