Maqedoni, Gruevski e Ahmeti marrin mandatin e qeverisë së re

Jun 7, 2011 | 11:11

Nikolla Gruevski fitoi një mandat të ri qeverisës pas zgjedhjeve të parakohshme të 5 qershorit në Maqedoni dhe BDI, nga partitë shqiptare, pritet të jetë partneri i tij në koalicionin qeverisës.Ndërsa rezultati ishte i pritshëm edhe nga sondazhet, edhe nga rezultatet paraprake të natës së të dielës, fitorja më e madhe për Maqedoninë ishte rezymeja pozitive për zgjedhjet “ultimatum” të komunitetit ndërkombëtar. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) bëri të ditur se pjesëmarrja e votuesve ka qenë mbi 63 për qind, ndërsa zgjedhjet u vlerësuan si të rregullta dhe demokratike, me përjashtim të parregullsive të papërfillshme. Edhe në raportin paraprak të misionit vëzhgues të OSBE/ODHIR thuhet se zgjedhjet në Maqedoni ishin transparente, konkurruese dhe të realizuara mirë në të gjithë territorin. “Këto zgjedhje vendosën gur-themelin e stabilitetit demokratik për të ardhmen e vendit”, tha Robert Bateli, koordinator i posaçëm i misionit afatshkurtër vëzhgues të OSBE-së. Edhe procesi i numërimit të votave u vlerësua si pozitiv. Raporti përfundimtar për zgjedhjet pritet të publikohet pas dy muajve.
Deklarata e Gruevskit
Në selinë e VMRO-DPMNE-së që të dielën vonë kanë nisur festimet, pasi Gruevski ka deklaruar fitoren. “Me kënaqësi ju deklaroj se fituesi i këtyre zgjedhjeve është VMRO-DPMNE dhe koalicioni “Për një Maqedoni më të mirë”. Kemi fituar 55 deputetë nga 123 që ka gjithsej Parlamenti”, tha Gruevski para mbështetësve të tij. Ndërsa Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gorge Ivanov, zgjedhjet parlamentare i vlerësoi si fitore të demokracisë dhe dëshmi se si shoqëria mund të shprehë me tolerancë pikëpamjet e ndryshme politike.
Shqipëria uron
Ministria e Jashtme e Shqipërisë përshëndeti atmosferën e qetë dhe normale në të cilën u zhvilluan zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoni. “Vlerësojmë se pjesëmarrja e gjerë në votime dhe administrimi demokratik i gjithë procesit është shprehje e angazhimit serioz politik dhe qytetar, në shërbim të stabilitetit dhe përparimit të Maqedonisë e rajonit”, thuhet në njoftim. Theksi u vu te sjellja e partive dhe minoritetit shqiptar. “Mbyllja me sukses e procesit zgjedhor nga partitë shqiptare është shumë e rëndësishme për dinamikën e zhvillimit të reformave, të procesit të integrimit dhe zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit”, vlerësoi Tirana zyrtare.
Arrestimin i Boshkovskit
Menjëherë pas votimit, ish-ministri Punëve të Brendshme në Maqedoni, Lube Boshkovski, njëkohësisht kryetar i Partisë Të Bashkuar për Maqedoninë, u arrestua në Shkup, ndërsa drekonte me disa miq të tij. Arsyeja ishte financimi i paligjshëm i fushatës zgjedhore. Gjatë kontrollit në makinën e tij, njësia “Alfa” gjeti një shumë të madhe të hollash. Partia e Boshkovskit nuk arriti të fitojë asnjë mandat deputeti nga zgjedhjet e fundit.

63.48 per qind
ishte pjesëmarrja në votimin e djeshëm, saktësuar nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor, pas numërimit të të gjitha votave të 1 156 085 qytetarëve

Votat për parti

VMRO-DPMNE         437 665 vota apo 39 për qind                 (56 deputetë)
LSDM             367 876 vota apo 32.78 për                 qind (42 deputetë)
BDI             114 870 vota  apo 10.24 për                 qind (15 deputetë)
PDSH             66 055 vota apo 5.89 për                     qind (8 deputetë)
RDK            29 981 vota apo 2.67 për                     qind (2 deputetë)
VMRO-NP         28 125 vota apo 2.51 për      qind
Demokracia e Re     19 732 vota apo 1.76 për qind
BD             17 015 vota apo 1.52 për qind
LDP            16 556 apo 1.48 për qind
Dinjiteti               8 847 vota apo 0.79 për qind
PODEM             4 417 vota apo 0.39 për qind
SDU            2 268 vota apo 0.20 për qind
NDU             453 vota apo 0.04 për qind
SDPM              1 803 apo 0.16 për qind
PD e djathtë         1 515 vota apo 0.14 për qind
PEM             130 vota apo 0.01 për qind
PDP            275 vota apo 0.02 për qind

Ahmeti

“Ju jeni dëshmitarë të një fitoreje të madhe të BDI-së, një fitore të madhe të shqiptare, që u arrit në mënyrë demokratike, pa incidente, pa presion e pa dhunë. Kemi treguar një kulturë të madhe demokratike, e cila është fitore për të gjithë. Fitorja u takon të gjithë shqiptarëve, sepse ata dëshmuan se dinë të votojnë sipas standardeve të vendeve më demokratike të Bashkimit Europian”, deklaroi lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, fitues i shumicës së votave të partive shqiptare. “Jam shumë i sigurt se BDI-ja do të arrijë të dalë faqebardhë para atyre që na besuan votën”, theksoi Ahmeti.

Thaçi

Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, ka uruar dje në orët e para të mëngjesit rivalin e tij më të fortë, kreun e BDI-së, Ali Ahmeti, për fitoren në zgjedhjet e fundit, duke pranuar qetësisht rezultatin e KSHZ-së, por duke përdorur edhe ironinë. “E uroj sinqerisht Ahmetin për fitoren dhe partisë së tij bashkë me partnerin e koalicionit u takon të formojnë Qeverinë e Apokalipsit për këtë shtet”, tha Thaçi. Sipas agjencisë maqedonase “INA”, kreu i PDSH-së ka shtuar se partia e tij ka dalë shumë më e fuqishme në Shkup dhe në Kumanovë dhe se PDSH mbetet partia e vetme shqiptare opozitare.

Cërvenkovski

Kryetari i partisë më të madhe opozitare, LSDM-së, Branko Cërvenkovski ka uruar partinë VMRO-DPMNE për fitoren në këto zgjedhje, pa u dorëzuar. “Beteja do të vazhdojë. Nëse keni parë se çfarë mund të bëjmë me 18 deputetë, mund të krijoni një ide se çfarë do të bëjmë me 43 deputetë”, deklaroi Cërvenkovski. Ish-Presidenti i Maqedonisë shtoi se LSDM-ja nuk do të ndalet dhe garantoi se koha e kësaj partie po vjen. Cërvenkovski e ka cilësuar si të suksesshëm këtë proces votimi, përveç faktit që gjithçka shkoi normalisht, edhe për arsyen se ka marrë 25 deputetë më shumë se mandati i kaluar.

© Panorama.al

Te lidhura