Në kuvendin e jashtëzakonshëm të Federatës së Futbollist të Maqedonisë, që zhvilloi punimet në Ohër, u bënë ndryshime drastike në Kryesi dhe u miratua vendimi për ndryshime statutore, që mundëson përdorimin edhe të gjuhës shqipe në FFM. Kështu, gjuha shqipe, sipas arsyetimit të bërë nga FFM-ja, bëhet gjuha e dytë zyrtare krahas asaj maqedonase, sipas rregullimit me Kushtetutë. Sipas FFM-së, ndryshimet statutore kanë qenë faktor kryesor për vazhdimin e bashkëpunimit dhe bashkëveprimit të FFM-së me FIFA-n dhe UEFA-n. Mosmiratimi eventual i statutit do të shkaktonte ballafaqim të FFM-së me sanksione nga ana e organizatave të futbollit europian dhe botëror. Në këtë Kuvend me karakter zgjedhor, u bënë edhe ndryshimet e pritura thelbësore, ku kryetari i gjertanishëm i FFM-së, Harallampije-Hari Haxhiristevski, është larguar nga posti i kryetarit, me dorëheqjen e ofruar për shkaqe personale, për t’i hapur rrugë, siç është shprehur ai, “kuadrove të reja që të dëshmohen” në postin e kryetarit të ri të FFM-së, konkretisht Illço Georgievskit.











