Manipulimi me votat, nis hetimi për 16 komisionerë

Jul 12, 2012 | 14:08
Ish-kandidati për Komunën e Dajçit, Rrok Rroku

Prokuroria e Lezhës ka nisur hetimet edhe për dy qendra të tjera, për të verifikuar pretendimin e ish-kandidatit të aleancës së majtë për manipulim të rezultatit të zgjedhjeve vendore në komunën e Dajçit. Pas qendrës së votimit nr 0699 të fshatit Dragushë, tashmë janë duke u hetuar qendra me nr 0697 e fshatit Dajç dhe 0700 në Kotërr. Dy ditë më parë në prokurori u thirrën për të dhënë shpjegimet 16 komisionerët që i përkasin këtyre dy qendrave. Hetimi nisi pas denoncimit të kryer nga ish-kandidati Rrok Rroku, i cili humbi me 300 vota më pak se rivali i tij demokrat. Në qendrën e Dragushës rezultoi pas hetimeve të kryera se kishin votuar edhe persona të cilët pasi u verifikuan në sistemin TIMS ishin jashtë vendit, si dhe një sërë shkeljesh të tjera. Po dje, Prokuroria e Lezhës apeloi vendimin e Gjykatës së Lezhës për dënimin e 8 komisionerëve, duke e konsideruar dënimin e pjesshëm. Gjykata i shpalli fajtorë 8 komisionerët dhe i dënoi ata në një total me 5.8 vite burg. Kjo, pasi u arrit të provohej se të pandehurit Lulëzim Paloka, Ndoc Marku, Mark Kola, Zef Gjoni, Pjetër Marku, Pal Prendi, Gentian Kovaçi dhe Gent Marku, përfaqësues të subjekteve politike PD, PS, LSI dhe PBDNJ, kanë kryer respektivisht veprat penale të “shpërdorimit të detyrës” e kryer në bashkëpunim dhe “falsifikimi i dokumenteve dhe rezultateve të zgjedhjeve” e kryer në bashkëpunim. Burime nga Prokuroria bënë të ditur se shkak për apelimin e vendimit të Shkallës së Parë është bërë shmangia nga akuza për shpërdorim detyre e kryer në bashkëpunim për 8 komisionerët. Në kërkesën drejtuar Gjykatës së Apelit në Shkodër, prokurori i çështjes, Ervin Beqiri, ka kërkuar që të lihet në fuqi pretenca e paraqitur prej tij, ku kërkohej dënimi në total me 15 vite burg për komisionerët dhe një gjobë prej 2.4 milionë lekë të rinj. Në pretendimet e saj, Prokuroria kërkon që të rrëzojë arsyetimin e Gjykatës se akuzat për “manipulim të zgjedhjeve” dhe “shpërdorim detyre” përbëjnë të njëjtën vepër penale, duke argumentuar se ato janë dy vepra të ndryshme për të cilat kërkohen dënime të ndryshme. Të hënën janë dërguar edhe fletëthirrjet për 16 komisionerët e këtyre dy qendrave të votimit, të cilët do të bëjnë deponimet e tyre ndaj padisë së ngritur nga ish-kandidati për komunën e Dajçit, Rrok Rroku. Ky i fundit ka bërë të ditur se shkeljet në këto dy qendra votimi janë akoma më të mëdha se në atë që është gjykuar.

LEZHE/ GJERGJ FIGURI

© Panorama.al

Te lidhura