Mandati i katërt, zonat ku humbën dhe fituan PD e PS

Jun 5, 2011 | 11:14

Vendimi i së premtes në mbrëmje i Kolegjit Zgjedhor i dha fund praktikisht drejtimit të Tiranës nga Edi Rama pas 11 vjetësh.Kandidati i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, do të marrë edhe ‘de jure’ postin e kryebashkiakut, pasi të kenë përfunduar të gjitha afatet ligjore të ankimimeve. Duke pasur parasysh faktin që PS-ja do të çojë sërish në Kolegj vendimin e KQZ-së që nxjerr Bashën me 81 vota më shumë, shpallja e fituesit për Tiranën pritet të bëhet nga fundi i muajit qershor. Por, Rama nuk është i vetmi që humbet një mandat të katërt për postin e kryebashkiakut. Gazeta publikon sot emrat e kandidatëve që kanë fituar mandatin e katërt dhe do të qeverisin deri në vitin 2015, por edhe të atyre që ky mandat u mbeti në tentativë.
Mandati i katërt
Në zgjedhjet e 8 majit, rreth 60 kandidatë të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste kandidonin për një tjetër katërvjeçar në krye të bashkisë apo komunës, që për herë të parë e kishin fituar më 1 tetor 2000. Nga Partia Socialiste ishin 30 kandidatë që paraqiteshin përballë zgjedhësve për fitoren e radhës. Por, konsumimi i tyre dhe aleanca e gjerë e koalicionit të djathtë duket se ka ndikuar që PS-ja të humbasë më shumë se gjysmën e bastioneve që i fitonte prej 11 vitesh. Në total, socialistët kanë fituar për herë të katërt 1 bashki dhe 13 komuna, ndërkohë që kanë humbur 2 bashki, një minibashki dhe 13 komuna. Konkretisht, PS-ja ka dalë fituese në Bashkinë Maliq dhe në disa komuna në Berat, Elbasan, Fier dhe Shkodër. Ndërkohë që, përveç Tiranës, socialistët kanë humbur Njësinë Bashkiake Nr.4, ku Vaid Kalaja nuk mori dot mandatin e katërt, si dhe Bashkinë e Belshit që e fitonin rregullisht nga viti 2000. Situata paraqitet ndryshe në kampin demokrat, që ka fituar 23 njësi vendore për herë të katërt dhe ka humbur vetëm pesë prej tyre. Nga këto pesë që kanë humbur, njëra është Bashkia e Krumës. Në rastin e PD-së duket se konsumimi i pushtetit mund të jetë balancuar me votat që kanë ardhur nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Komunat që ka humbur PD-ja, veç bashkisë së Krumës, janë Grabiani në Lushnjë, Voskopi në Korçë, Guri i Zi në Shkodër dhe Ndroqi në qarkun e Tiranës. Në zgjedhjet e tetë majit, një kandidat që doli i pavarur, Halil Aliaj, në Surroj të Kukësit, arriti të fitojë për herë të katërt (dy herët e para në siglën e PD-së) mandatin që fillimisht e mori në vitin 2000. Në dy komuna, Zall-Dardhë në Dibër (kandidon për herë të katërt Njazi Cani i PD) dhe në Papër të Elbasanit (kandidon Shefqet Bullari i PS), zgjedhjet janë shpallur të pavlefshme dhe do të zhvillohen në një datë të përcaktuar nga KQZ-ja.

Fitoret e Ramës në Tiranë nga viti 2000

Në postin e ministrit të Kulturës, Edi Rama fitoi mandatin e parë si kryebashkiak i Tiranës në zgjedhjet lokale të vitit 2000. Përballë ish-ambasadorit të Shqipërisë në Francë, Besnik Mustafaj, Rama fitoi me rreth 21 mijë vota më shumë. Tre vjet më vonë, në zgjedhjet e mbajtura më 10 tetor 2003, Rama kërkoi mandatin e dytë, këtë herë përballë Spartak Ngjelës, tani një ndër aleatët e tij. Në ato zgjedhje, kryetari i Bashkisë u rikonfirmua me rreth 24 mijë vota më shumë. Diferenca u rrit ndjeshëm, sidomos në raundin e dytë, kur si pasojë e problemeve të vërejtura në raundin e parë u ribënë zgjedhjet në më shumë se 100 qendra votimi. Mandatin e tretë Rama e fitoi në zgjedhjet e vitit 2007. Teksa mbante edhe postin e kreut të PS-së, Rama kishte në krah edhe LSI-në e Ilir Metës dhe, përballë ish- ministrit të Brendshëm, Sokol Olldashi, fitoi me 22 mijë vota diferencë.

Ankimimet

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në përfundim të shqyrtimit të të gjitha kërkesave ankimore, që kanë ardhur pas shpalljes së rezultateve për bashkitë dhe komunat nga 66 Komisionet Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve në të gjithë vendin. Deri në këto momente nuk janë shqyrtuar ende 4 kërkesa, të cilat kanë të bëjnë me komunat, si dhe mbeten për vendim 13 kërkesa të tjera, të cilat janë shqyrtuar më parë, por janë shtyrë për të tërhequr bazën materiale apo për të parë më gjatë dosjen. Nga këto, më e rëndësishmja pritet të jetë komuna Poshnje, të cilën e ka ankimuar LSI-ja dhe Fshat-Memaliaj, ku KQZ-ja vendosi të çojë në laboratorin e kriminalistikës listën e zgjedhësve për të verifikuar nëse firmat ishin nga e njëjta dorë.

Kolegji

Ndërkohë që shpallja e kandidatëve fitues për 65 bashki, 11 minibashki dhe 308 komuna janë kompetencë e KZAZ-ve, KQZ prej disa ditësh po shpërndan mandatet e këshillave bashkiakë dhe komunalë në të gjithë vendin. Deri tani janë shpërndarë mandatet në Kukës, Berat, Dibër, Fier dhe Gjirokastër. Ndërkohë që kanë ngelur ende pa u shpërndarë mandatet në Shkodër, Lezhë, Tiranë, Durrës, Elbasan, Korçë dhe Vlorë. Ndarja e mandateve bëhet në bazë të formulës që është përdorur në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009. Fillimisht ndahen mandatet për dy koalicionet “Aleanca për qytetarin” e “Aleanca për të ardhmen” dhe më pas mandatet brenda koalicioneve. Në total, koalicioni i PD ka rreth 140 mijë vota më shumë se ai i PS.

Gara për mandatin e katërt

Zonat ku fitoi PS
Terpan                Engjëll Veliaj
Vertop                Flamur Balliu
Arras                Sali Tërshalla
Shirgjan                Mustafa Shehu
Shushicë            Lutfi Lala
Aranitas                Viktor Mahmutaj
Çlirim                Harrila Mile
Maliq                Gëzim Topçiu
Arren                Ilir Doçi
Kolsh Kukës             Abedin Oruçi
Pult                Sokol Cubi
Temal                Mark Zhuri
Zall-Herr            Gani Allushi
Xarë                Dhimitër Kote

Zonat ku humbi PS
Tiranë                Edi Rama
Njësia 4                Vaid Kalaja
Kozare                Fatmir Doksani
Perondi                Ramiz Oboni
Belsh                Arif Tafani
Gjergjan            Faik Gjolena
Gracen                Fadil Salla
Rrasë                Isuf Ferhati
Fiershegan            Bedri Hida
Karbunarë            Neki Arapi
Q. Libohovë             Krenar Kulla
Lekas                Nderim Kreka
Moglicë                Agron Matraku
Balldren                Gjek Cali
Qelezë                Marash Kolaj
Krrabë                Artan Saliu

Zonat ku fitoi PD
Lis                Agim Selita
Luzni                Haxhi Damzi
Maqellarë            Bardhyl Agolli
Selishtë                Xhemal Delishi
Trebisht                Fitim Balla
Rrashbull            Hysen Gashi
Xhafzotaj            Agim Hoxha
Funare                Qani Sherja
Hoçisht                Ylli Cenkolli
Mollaj                Fredi Xhemo
Kalis                Ahmet Shira
Margegaj            Rexhë Byberi
Shishtavec            Dilaman Nela
Topojan                Safet Myftari
Zapod                Dan Koloshi
Blerim                Ndoc Prendi
Dajç                Arben Gjuraj
Postribë                Faz Shabaj
Qerret                Rrok Dodaj
Rrapë                Ndue Gjoni
Vig Mnele            Pjetër Lleshi
Farkë                Fatbardh Plaku
Petrelë                Ylli Kupi

Zonat ku humbi PD
Grabian                Ardian Shurdhaqi
Voskop                Kujtim Sulo
Krumë                Bardhyl Peka
Gur i Zi                Broz Marku
Ndroq                Fatime Goga

Të pavarurit
Fitoi
Surroj                Halil Alia

Kërkesat ankimore, KQZ merr dy ditë pushim, i lë vendin “Top Fest”-it

Pas gati dy muajsh punë me një orar të tejzgjatur, shtatë anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë marrë dy ditë pushim. Në mbledhjen e së premtes, kur u shqyrtuan pesë kërkesa ankimore, u ra dakord që e shtuna dhe e diela të bëhen pushim e puna të rifillojë, ashtu si në pjesën tjetër të administratës, të hënën. Por, këto ditë pushimi, veç lodhjes së anëtarëve të KQZ-së dhe stafit të këtij Komisioni, duket se kanë të bëjnë edhe me një veprimtari tjetër. Sot në mbrëmje, në ambientet e Pallatit të Kongreseve, një mur larg sallës së mbledhjeve të KQZ-së, do të zhvillohet koncerti i “Top Fest”. Ky event ishte parashikuar të zhvillohej dy javë më parë, më 22 maj, por në atë periudhë KQZ-ja ishte në kulmin e punës së saj me hapjen e kutive të votimit për Bashkinë e Tiranës. Stafi organizativ i festivalit u detyrua të shtyjë me 14 ditë këtë shfaqje dhe, me sa duket, për ditën e sotme kanë marrë edhe OK e administratës së KQZ-së. Nga e hëna, puna për KQZ-në do të fillojë si normalisht me shtatë kërkesa ankimore në ditë. Një ndër kërkesat me interes që pritet të trajtohet të hënën është ajo e komunës së Poshnjës që koalicioni i djathtë e humbi me vetëm dy vota diferencë. Gjithashtu, pjesë e punës së KQZ-së do të jetë edhe ndarja e mandateve për këshillat bashkiakë dhe komunalë. Rreth fundjavës pritet që të mbyllen të gjitha kërkesat ankimore dhe më pas KQZ-ja do të presë deri në padinë e fundit që do të shkojë në Kolegjin Zgjedhor. Pasi gjykata të shprehet për të gjitha çështjet, KQZ-ja do të nxjerrë rezultatin përfundimtar dhe periudha paszgjedhore do të konsiderohet e mbyllur.

 

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura