Pas 44 vitesh, Mançester Siti e shikon titullin e Premier Ligës vetëm një ndeshje larg. Në takimin e parafundit, të besuarit e Mançinit ia dalin në transfertën më të vështirë të finales së kampionatit, asaj në shtëpinë e Njukasëllit. Dhe falë një Jaja Tureje monumental, autor i dopietës që vulosi rezultatin, fitojnë 2-0 ndaj “qymyrxhinjve”, duke ruajtur distancën në +3 pikë nga Junajtid. Mjafton një fitore minimale ndaj QPR-së në “Etihad” më 13 maj, dhe pas vitit 1968 në “Etihad” do të rikthehet titulli. Njukasëlli e nis fort ndeshjen, sepse me Arsenalin e ndalur nga Noruiçi të shtunën, objektivi është vendi i tretë. Hauard Ueb-it i duhet të nxjerrë 3 kartonë të verdhë për të zotët e shtëpisë dhe 2 për miqtë, vetëm gjatë pjesës së parë. Edhe pse takimi është i tensionuar, ndërhyrjet nuk janë aspak dashakeqe. Pas minutës së 62-të, Mançini hedh në fushë De Jongun dhe zhvendos përpara Turenë për të thyer murin e bardhezinjve. Dhe kjo lëvizje do ta nderojë vetëm 8 minuta më vonë. Është pikërisht mesfushori nga Bregu i Fildishtë që kombinon me Agueron, dhe nga jashtë zone e dërgon topin me një të djathtë teknike në cepin e djathtë të portës, atje ku Krul nuk mund të mbërrijë. Në fund do të jetë sërish Ture ai që do ta mposhtë gardianin holandez, duke lehtësuar tifozët blu. Në ndeshjen tjetër, edhe pse zbriti në fushë 30 minuta pasi kishte mësuar rezultatin e ndeshjes Siti-Njukasëll, Mançester Junajtid ka fituar me të njëjtin rezultat. “Djajtë” për të shpresuar kishin vetëm shansin të shënonin sa më shumë në portën e uellsianëve. Por, goleada mungoi dhe për të shpresuar te titulli i 20-të, tani duhet një hap fals i rivalëve ndaj QPR-së.
Premier League
Njukasëll-Man.Siti 0-2
Aston Vila-Totenhem 1-1
Bolton-Uest Bromviç 2-2
Fulham-Sunderland 2-1
QPR-Stoke 1-0
Volverhampton-Everton 0-0
Mançester J.-Suonsi 2-0











