E vetmja gjë e sigurt është që Çelsi-Mançester Junajtid përfundon në barazim dhe pas 24 javësh kampionat. “Djajtë e kuq” renditen të dytët, -2 pikë nga rivalët e Mançester Sitit, ndërsa blutë e Londrës të katërtit, -14 nga vendi i parë. Themi se statistikat janë e vetmja gjë e sigurt, pasi dinamika e një ndeshjeje që nga 3-0 përfundon 3-3, të duket shumë e çuditshme. E nisin mirë kampionët, por pësojnë 3 gola, e megjithatë rigjejnë forcën për të bërë 3-3. Minutat e para është Junajtid që merr iniciativën, duke dashur të përsërisë fitoren 3-1 në ndeshjen e vajtjes. Por, si për ironi të fatit, ndëshkohet nga vendësit që gjejnë avantazhin në minutën e 36-të. Starixh i merr krahun Evrasë dhe krosi i tij, devijuar nga këmbët e De Geas, përfundon në dorën e Evans, i cili e përcjell në mënyrë të pavullnetshme në rrjetë. Pritej një reagim i menjëhershëm nga Junajtid pas këshillave të Fergusonit, por pas 5 minutash nga pjesa e dytë, ata e shohin veten në disavantazhin e 3 golave. Fillimisht, Mata finalizon një aksion 100% spanjoll. Pastaj është David Luiz. Portugezi, duke përfituar nga një harkim i Matës dhe i harruar në qendër të zonës nga Ferdinand, ngre në këmbë të gjithë “Stamford Bridge”. Mbaroi? Për Çelsin ndoshta, por jo për skuadrën e skocezit. Hernandez hyn në vend të Jang dhe, mes minutave 58′ e 69′, Hauard Ueb tregon dy herë penalltinë për Mançesterin. Runi bën detyrën duke shënuar, ndërsa në minutën e 84-t Hernandez bën çudinë duke barazuar shifrat.











