
Kanë shpëtuar mrekullisht edhe dy fëmijë të tjerë që kanë qenë brenda në makinën e qëlluar me breshëri plumbash në afërsi të Mamurrasit, ku u vra një 9-vjeçar, si dhe u plagos xhaxhai i tij, Muharrem Llani, 22 vjeç. E tronditur psikologjikisht, por e pacenuar nga plumbat, mbeti nëna e vogëlushit Valbona (bashkëshortja e Jetmir Llanit), si edhe dy nipa të fisit – moshatarë me viktimën. Siç mësohet nga goja e saj, ajo dhe dy nipat kanë qenë të ulur në sediljen e pasme, djali në sediljen e parme, ndërsa kunati Muharrem ishte në timon. Ata kanë qenë duke udhëtuar së bashku drejt një pike shumice mallrash në Mamurras, për të blerë furnizime për lokalin e dyqanin që i kanë në pronësi dhe që ndodhen në rrugën kryesore të fshatit ku banojnë, Shpërdhet. Sapo janë shfaqur në asfaltin e fshatit, aty ku një urë tejet e vogël ndan Mamurrasin nga Shpërdhetin, dy burra (Vladimir dhe Altin Shkreta) u kanë dalë përballë me armë dhe kanë qëlluar me breshëri drejt tyre, pa i lajmëruar. Vetë Valbona nuk është përpjekur të shohë se kush po qëllon apo se nga vijnë plumbat, por menjëherë është hedhur në sediljen e parë për të mbrojtur djalin, ndërsa u ka ulur poshtë kokat e dy fëmijëve të tjerë. Pavarësisht tentativës së saj brenda pak sekondave, ajo është përballur me fatalitetin. Djali është mbuluar shpejt me gjak duke e mbuluar edhe vetë të ëmën, ndërsa kunati i saj, Muharremi është përpjekur që t’u ikë plumbave. Edhe pse i plagosur, ai i ka dhënë makinës për gati një kilometër, derisa nuk ka pasur më fuqi dhe ka rënë mbi timon, pasi e ka nxjerrë makinën jashtë rruge. Shpejt janë afruar disa kalimtarë të rastit, por po kaq shpejt ka mbërritur edhe Policia, e cila ishte sinjalizuar për breshërinë e armëve.
Pendohet vrasësi
Pas vrasjes së fëmijës 9-vjeçar dhe plagosjes së xhaxhait të tij, Muharrem Llanit, autori i masakrës është shfaqur i penduar. Jo për plagët ndaj Muharremit, por për plumbat mbi vogëlushin. Pasi është arrestuar nga Policia, autori që ka pranuar krimin e përbashkët me vëllain Altin, 33-vjeçari Vladimir Shkreta ka treguar shenja dobësie duke kërkuar falje për jetën e djalit të Jetmir Llanit, vëllait të Muharremit. “Nuk e dinim që në makinë kishte fëmijë. Nuk e dinim edhe që aty ishte një grua. Menduam që brenda ndodheshin të dy vëllezërit Llani, pasi ata zakonisht lëviznin bashkë. Dhe në mos bashkë, kujtuam që të paktën do të ishte njëri prej tyre. E pikasëm makinën prej së largu dhe filluam të qëllojmë, pa e kuptuar se aty kishte fëmijë. Kërkojmë falje për djalin”, ka thënë ai për Policinë.
Babai: “Do hakmerrem”
Teksa Vladimir Shkreta po kërkonte falje para Policisë duke dhënë dëshminë e tij, Jetmir Llani u betua mbi arkivolin e djalit, se do të hakmerrej për vrasjen e tij. Madje, para se ta çonte drejt banesës së fundit, ai ngrinte zërin herë pas here se nuk do ta varroste, pa ua vrarë gjithë fisin vëllezërve Shkreta. Të afërmit përpiqeshin ta qetësonin dhe, pas disa minutash bisedë, arritën ta bindnin për ta varrosur. Në orën 14:00, arkivoli me trupin e pajetë të fëmijës 9-vjeçar iu drejtua varrezave të fshatit, vetëm 500 metra larg shtëpisë së të ndjerit. Ndërsa të rriturit e përcollën për në banesën e fundit vogëlushin, moshatarët e tij të shkollës dhe të fshatit ishin mbledhur diku më tutje shtëpisë dhe qanin ashtu siç janë dhe ndihen – si fëmijë!
Nisja e sherrit
Vëllezërit Jetmir e Muharrem Llani dhe Altin e Ditmir Shkreta ishin shokë të ngushtë që nga fëmijëria dhe deri katër ditë më parë. Atëherë kur, një nip (djalë i djalit të hallës) i familjes Shkreta vodhi një send në dyqanin e nipit të një shoku tjetër të vëllezërve Llani. Pronari i dyqanit e pikasi vjedhjen dhe e qëlloi me shuplakë fëmijën. Ky veprim u gjykua ashpër nga vëllezërit Shkreta, ndërsa u mbrojt nga ata Llani. Pavarësisht se asnjëri prej tyre nuk u prek drejtpërsëdrejti nga ngjarja, vëllezërit e dy fiseve vijuan debatin “nëse pronari i dyqanit (nipi i shokut të vëllezërve Llani) kishte të drejtë që të godasë nipin e Shkreta-ve, apo jo?”. Debati vijoi për disa orë, duke degjeneruar me sharje dhe kërcënime. Konflikti u thellua edhe më shumë të nesërmen, ndërsa një ditë më pas – në mesditën e së martës, ndodhi hakmarrja primitive.
Varrimi i 9-vjeçarit, policia ruan fisin Shkreta

Pas plagosjes së Muharrem Llanit dhe vrasjes së nipit të tij 9-vjeçar, Policia e Kurbinit ka marrë në mbrojtje fisin e vëllezërve Altin dhe Vladimir Shkreta, të cilët qëlluan me breshëri arme drejt tyre. Edhe pse shtëpitë e dy familjeve ndodhen pak metra larg njëra-tjetrës dhe i ndan një rrugë, këtej e tutje ata i ndan edhe Policia. Gjatë ditës së djeshme, banesat e fisit Shkreta janë ruajtur gjithë kohës nga blutë e rendit, madje me dhjetëra policë të ardhur dhe nga qytete të tjera. Angazhimi i tyre në numër të madh është bërë për dy arsye. E para, për të ruajtur Shkreta-t nga hakmarrja e Jetmir Llanit, babait të viktimës 9 vjeç, që ka kërcënuar hapur se do të marrë hak për vrasjen e fëmijës. E dyta, për të qëndruar në gatishmëri për arrestimin e bashkautorit tjetër të vrasjes dhe plagosjes, Altin Shkretës, në rast se ai do të tentojë të kthehet në shtëpinë e tij. Altini vijon të jetë në kërkim nga Policia, ndërsa është arrestuar vëllai i tij, Vladimiri. Pasi i janë vënë prangat teksa tentonte të hynte në shtëpi, Vladimirit i është kapur një armë zjarri automatik, e cila dyshohet se është përdorur për vrasjen dhe plagosjen. Gjatë kontrollit policor, atij i janë sekuestruar gjithashtu edhe 5 pasaporta të vjetra me emra të ndryshëm, si: Vladimir, Ditmir apo dhe Alban. Vladimir Shkreta rezulton i skeduar nga policia si person me precedentë penalë.
Vëllai i ndjerë
Familja Llani duket se ka përjetuar disa fatkeqësi. Jetmiri dhe Muharremi kanë humbur rreth 3 vite më parë një tjetër vëlla në Itali. Ngjarja nuk është e raportuar zyrtarisht në Shqipëri, por sipas banorëve të zonës flitet se ai është vrarë gjatë një shkëmbimi me armë zjarri me Policinë italiane. Që të tre vëllezërit janë të njohur si persona problematikë dhe me precedentë penalë, megjithatë fatkeqësia e fundit në familjen e tyre nuk ka pasur të bëjë me asnjë prej konflikteve të vjetra.Gabimi me moshën
Xhaxhai i viktimës 9-vjeçare, Muharrem Llani, është raportuar gabimisht me moshën 62 vjeç, kur në fakt ai është i datëlindjes 01.06.1990. Pra, ai sapo ka mbushur 22 vjeç. Ky ka qenë një lapsus policor, për shkak se në vend të 22-shit është shënuar 62. Pavarësisht moshës së re, Muharremi ka pasur gjithnjë automjete luksoze. Kohët e fundit, Llani dispononte një makinë “Volkswagen” me targa AA 141 DF. Këtij automjeti po i jepte edhe teksa është qëlluar te “Ura e Droles”, në pritë, me breshëri kallashnikovi.
Xhaxhai, në varrim
Ende pa u mbushur 24 orë nga nxjerrja e plumbave prej trupit, Muharrem Llani ka lënë Spitalin Ushtarak në Tiranë për të marrë pjesë në varrimin e nipit 9-vjeçar. Nën kujdesin e një infermiereje dhe të afërmve, ai ka zbritur nga makina, duke tentuar që të shkojë deri lart në varreza. Por ende pa nisur rrugën, nuk ia ka dalë dot mbanë, pasi ka rënë në gjendje të fikëti. Familjarët e kanë hipur sërish Muharremin në makinë, duke e kthyer me urgjencë drejt Tiranës.
Babai i 9-vjeçarit, me precedentë penalë
Jetmir Llani, babai i 9-vjeçarit të ndjerë, rezulton problematik për Policinë në disa raste, si dhe zyrtarisht me dy precedentë penalë. Më 28 shtator 2010, në Tiranë, ai përplasi për vdekje 26- vjeçarin Sokol Allamani. Grupi hetimor shpalli dyshimet si “aksident i qëllimshëm, pas sherrit të ndodhur më parë, mes tij dhe Allamanit, për shkak të një femre”. Dhe femra në fjalë ishte pikërisht motra e Sokol Allamanit, Etleva. Ajo është diktuar nga Sokoli teksa hipte në makinën e Jetmirit, një BMW X5 e zezë. Sokoli, për shkak të kundërshtimit të lidhjes të motrës me Jetmirin, ka tentuar të ndalojë largimin e saj me makinë, duke u kapur në derën e hapur të mjetit. Për shkak të kësaj situate dhe konflikteve që kishin në familje, Etleva i ka bërtitur Jetmirit që të lëviznin shpejt, pasi ishte vëllai i saj. Jetmiri, edhe pse ka vënë re se në makinë po sinjalizohej që dera e pasagjerit ishte e hapur, i ka dhënë gaz makinës dhe ka tentuar të largohet me shpejtësi. Sokoli është mbajtur fort në derën e makinës, duke u tërhequr zvarrë rreth 90-100 metra, ndërkohë që Etleva vazhdonte të tentonte për mbylljen e derës. Sokoli është shkëputur nga dera e makinës dhe është përplasur me forcë në asfaltin e rrugës dhe në pjesën anësore të saj. Ai ka mbetur i vdekur në tokë, ndërsa Jetmiri dhe Etleva janë larguar nga vendi i ngjarjes, për t’u arrestuar të nesërmen. Pas një vit mbledhjeje të provave dhe gjykimit, më datë 04.11.2011 Gjykata e Tiranës e shpalli fajtor Jetmir Llanin për kryerjen e veprës penale të “vrasjes nga pakujdesia” dhe me vetëm 2 vjet. Duke pasur parasysh kohën e arrestit në burg (29.09.2010 – 04.04.2011), si edhe arrestin e shtëpisë nga 05.04.2011 e deri në shpalljen e vendimit më 04.11.2011, Llani u la i lirë. Ndërkaq, në vendimin e gjykatës shkruhej edhe që “i pandehuri ka qenë edhe më parë i dënuar (ndonëse i rehabilituar)”, por pa dhënë detaje se për ç’lloj krimi bëhej fjalë. Gjithsesi, dënimi i tij i parë duket që nuk ka ndikuar aspak për dënimin e dytë.
Nga e derguara jone, ELISABETA ILNICA
© Panorama.al











