“Malltretja”, në rrathët imagjinarë të shpirtit lirik të një të riu! Nis udhën për te lexuesi libri i parë me poezi i Eduart Bardhit

Oct 22, 2024 | 9:07
SHPËRNDAJE

malltretjaNGA BEHAR GJOKA

Përmbledhja poetike “Malltretja” shënon librin e parë të autorit Eduart Bardhi. Librat e parë zakonisht priten me kërshëri nga lexuesi dhe me një gëzim gati të parrëfyeshëm nga autorët. Pikërisht nga këtu nis udhën për te lexuesi, i bindur se është vetëm caku fillimtar dhe e pret një shtegtim i gjatë, plot peripeci, nginjur në ethet e pasionit për të ndarë me tjetrin, pra me lexuesin, unin e trazuar, për ta liruar botën shpirtërore nga makthet dhe gëzimet e përditshmërisë. Titulli “Malltretja”, gjithnjë sipas mëtimit autorial, përfaqëson shtysën parake, gati–gati të pashpjegueshme, e po kaq vetë thelbin e shestimit të poezisë, të përmbledhur në faqet e librit. “Malltretja”, me shumë gjasa shenjon mallin që nuk tretet, mbase që nuk e tret as dheu, porse kjo gjendje e pazakontë, është pika referenciale, e sendërtimit të materies poetike të këtij libri, ku ngjizet përvoja jetësore, tanimë e përthyer në rrathët e imagjinares dhe të botëperceptimit poetik.

AUTOR ME VETËDIJE LETRARE

Eduart Bardhi për mua, e mbase edhe për të tjerë, sidomos në mjediset universitare, është një emër i njohur për dialogun e pandërprerë, si qasje studimore, veçmas për shkrimtarët e letërsisë shqipe. Në bisedat e lira, krejt të rastësishme, ndesha dijen dhe pasionin për letërsinë, si dhe një dëshirë të madhe për të prekur vatrat e ligjërimit letrar, jo shpesh të vëna re nga shqyrtimet e gjertanishme. Bindja e tillë, mu përforcua ca më tepër, kur ndesha në punime jo pak të thelluara mbi disa prej autorëve të letërsisë shqipe, madje duhet theksuar, se kemi të bëjmë me punime mbi tekste të ndryshme, kryesisht të prozëshkrimit. Do të veçoja në mesin e këtyre trajtesave, shkrimet për romanin “Pallati i ëndrrave”, të Ismail Kadaresë, për romanin “OH” të Anton Pashkut, si dhe për prozën “Odin Mondvalsen”, të Kasëm Trebeshinës, që vetëkuptohet se përfaqësojnë tri tekste me vlera të shumëfishta të letrave shqipe, të harkut të bashkëkohësisë. Një element tjetër, po kaq befasues, që spikatet në shkrimet për letërsinë, janë edhe përqasjet e ndërmjetshme, të shkrimtarëve shqiptarë me autorë të letërsisë botërore. Pra, në teksturën shqyrtuese të faktologjisë letrare, në shkrimet e autorit, prekim përpjekjen për të hyrë në rrathët e letërsisë krahasuese. Kështu, në tekstet ku përqaset I. Kadare me Kafkën, P. Marko me Heminguejn, si dhe M. Camaj me Ungaretin, dukshëm lajmërojnë interesin e posaçëm të autorit për studimet letrare, me kahje të rrokshme nga ligjërimi dhe shtjellimi i rrafsheve të letërsisë krahasuese. Jo rastësisht e solla në vëmendje të lexuesit, qasjet kritike, me ngjyra të rrokshme eseistike dhe studimore, të autorit ndaj veprave të autorëve shqiptarë dhe të huaj, kryesisht për të njohur marrëdhënien që ka me letërsinë. Mbi të gjitha, për të formuar një ide dhe për ta ndarë me lexuesit, bindjen time se Eduarti vjen në letërsi, në shkrimin e poezisë me librin “Malltretja”, nga njohja e letërsisë, pra nga një vetëdije letrare e dëshmuar, në disa metatekste analitike dhe krahasimore, të shkrimtarëve shqiptarë dhe të huaj.

PRANIA E LIRIKËS MEDITATIVE

Materia letrare e vëllimit me poezi “Malltretja”, në botëperceptimin autorial dhe në shpalimin e poezisë, dukshëm anësohet nga lëvrimi i lirikës meditative. Rrafshet mbizotëruese të ligjërimit poetik, pra të natyrës personale dhe meditative, si me thënë të arratisë në botën e brendshme, e mandej të rikthimit përmes poezisë, që nga vetja shkon te tjetri, vetiu të shpie te dija letrare, që përgjithësisht dekodon mistikën e lirikës dhe të letrares. Më herët, një shekull më parë, formulohet dhe shpallet një ide nga Henri Bremond, në librin “La poesie pure”, kur nënvizonte: “…çdo poezi e shpreh aspektin e vet të pastër poetik, praninë dhe rrëzëllimin në aksionin transformues formues dhe unifikues të një realiteti misterioz që ne e quajmë poezi e pastër”. (1926: 16), që ndërkaq zbulon për lexuesin, një rrethanë të gërshetimit të konkretes dhe imagjinares, që formësohet në njësinë poetike, krejt të përveçme, si materie poetike dhe shprehësi, edhe në librin e parë të autorit. Pra, në faqet e librit, ndjesitë e brendshme, gati–gati të fjetura për ca kohë, tanimë dalin në sipërfaqe dhe ulërijnë, kuptohet me rrëzëllima poetike, jo të shpeshta në shkrimin poetik të kësaj periudhe. Pohimi i brendshëm, i travëlimeve të shpaluara të autorit, që shpesh vijnë në substancën e ndërlikuar poetike, në dhëniemarrje me veten, me botën përqark, sidomos me ankthin e dashurisë, me kohën jo pak absurde, sendërgjon lëndën e poezive, të përbashkësuar në këtë vëllim poetik. Po kaq, jemi në shqiptim të pastër autorial, thelbësisht subjektiv, gjithnjë larg bubullimave deklamative, ku nuk shkruhet për ta ndryshuar botën, e cila duket sikur ka ngrirë në marrëzinë e lumturisë së verbër, por synohet zgjerimi i hapësirave të komunikimit. Thjesht, guxon dhe shpreh unin personal, pa drojën e keqkuptimit ndanë me lexuesit gjendjet e brendshme personale, të përthyera në vargje, shpesh impresionuese. Vargjet e poezisë “Për dashurinë që ndryshoi emër”, në një kuptim zbulojnë mëdyshjen e autorit, madje me tepër të kohës së mbrapshtë që po jetojmë, për ndjenjën e dashurisë. Kurse në poezinë “Rruga e takimit” vjen një pamje e makthit të ndritshëm, për dashurinë, që duket se ekziston edhe në ndarjen përfundimtare. Edhe kur ndërpritet dashuria nuk humbet, mbase fashitet brenda qenies, në pritje trokitjes përtrimëse, siç vjen në vargjet e poezisë “Ti ishe ëndrra ime”. Pyetja retorike e parashtruar në poezinë “Kujt po i qanë?”, shpërfaq një imazh të ndërthurjes së dashurisë me natyrën, e cila përsëri mishëron qartë prirjen e autorit, si një artefakt letrar, që ngjiz lirikën në shumë pamje. Vargjet:

“Nisi nga ajo, dhe prej aty humbet çdo ditë.

Sa mbeta veçse një romantik i pashpresë.”, e poezisë “Romantiku i pashpresë”, sjellin për lexuesin një ngjyresë tjetër të lëvrimit të lirikës meditative, të ngjeshur në emocion dhe shprehësi. Poezia “Thirrja e dritës”, qartazi shpalon tone të një lirizmi të brishtë, të larmisë ekzistenciale të ndjenjës së dashurisë. Një situim krejt i beftë, vjen në vargjet:

“Mos më lër deri nesër,

E nesërmja është gjithmonë vonë.”, ku ndjenja më e bukur e qenies, fuqizohet me kolorit të gjerë universi. Kahje të ligjërimit të erotikës, shpalosen edhe në poezinë “Melodi e dashurisë”, apo në vargjet:

“Në gjeografinë e trupit tënd buzët janë ishulli ku un zhytem
Ti më mbron me forcë bëhesh streha e shpirtit tim…” të poezisë “Buzët, ishulli i Shpirti tim”. Ngjyra të tjera, gjithnjë të situimit meditative ndeshim sërish në vargjet:

Mos lejo që lotët të rrëzojnë frymën tënde, mos u mbyt në lot, mos u rrëzo në dhimbje”, të poezisë “Kujdes për shpirtin e vrarë”, një klithëm për të larguar dëshpërimin dhe jetën e mjerë. Një ton etik-filozofik, shprehet në vargjet e poezisë “Rrugët e Kthimit”, të cilat hedhin një vështrim të kthjelltë në këtë aspekt:

“Rrugët që shkel në fëmijëri, do t’i shkelësh edhe kur të rritesh. Si dëshmitar i fundit,”, parashtruar si një ikje dhe kthim, gati i pashmangshëm, nga vetja për të tjetri, dhe anasjelltas.

LARMI VARGJESH DHE CIKLE POETIKE

Libri me poezi “Malltretja”, përpos të tjerash, bart tregues të shkrimit poetik, me larmi vargjesh, sepse aty ndeshim ligjërimin me vargje të lira, por edhe me varg të matur, ndonëse mbizotëron prirja dhe siguria për shkrimin e poezisë me vargje të lira, të cilat realisht mundësojnë skicimin e natyrës meditative, pavarësisht se ndonjëherë ndeshesh edhe në vargëzime të shkujdesura, mbase të papërfunduara. Po ashtu, në këtë përmbledhje me poezi ndeshim shkrimin e poezisë me gjuhën standarde, por edhe në variantin e gegnishtes, ku ndërkaq shfaqen pasiguri të materializmit të shprehjes, pa harruar që në të dy rastet jemi në gjuhën shqipe, por njëherit edhe në gjuhën autoriale. Një element formal i poezishkrimit, është hartimi i vëllimit të parë me poezi, me anë të tri cikleve të ndara poetikë. Struktura e botërperceptimit autorial, shpalohet në këto cikle:

A – “Për dashurinë”, përçon të parin cikël të librit, që përmban numrin më të madh të poezive, njëherit edhe mëtimet shtytëse për të komunikuar kaq çlirshëm me lexuesin. Kurba e skicimit të pamjeve të shumta të dashurisë, ndjenjës më të bukur njerëzore, i një poezie që buron së brendshmi, e përngjyros me nota të një poezie dukshëm meditative.

B – “Për jetën”, emërtohet cikli i dytë, ku ngjet një arrati a papritur në botën e jashtme, në realitetin konkret, ku bie në sy faktin se jemi në fushëbetejën e jetës, ku përplasen interesa, kundërvënie, aspiratat dhe ëndrrat njerëzore, e cila si një rregull i pashkruar, vërvitet nëpër udhëkryqe të pafundme.

C – “Për njeriun”, përfaqëson ciklin e tretë dhe përmbyllës të librit, që vjen si një tregues, se letërsia shkruhet nga njeriu dhe kthehet te ai, jo si qark i mbyllur, por si një domosdo shpirtërore, si dëshmi se letërsia, e veçmas poezia është atdheu i lirisë dhe qenies.

Përcjellja e librit të parë me poezi, “Malltretja” të autorit, me disa mendime, si një lexim afirmues, duke vënë re dhe hijedritat e ligjërimit, rreth shprehësisë së endur, nuk ka qëllim të ndikojë në shijen e leximit, por është një akt përshëndetës, për guximin krijues, për të ndarë me lexuesin, shqetësimet e kohës, vakacionin shpirtëror dhe kreativ, që shpesh nuk e vëmë re, si dhe veçmas për të evidentuar faktin që në letërsi ka vlerë të madhe, vetëdije letrare. Pra, njohja e rrugës që ka bërë letërsia, të jep dorë për të hyrë në këtë betejë, jo për të rrëmbyer karrigen e parë, por vetëm të dëshmuar se edhe në këto kohë të ikjes biblike nga trojet arbnore, ende ka zëra që shqiptojnë dëshirën për të jetuar, madje për të thurur vargje për jetën, për dashurinë./ Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura