
Deputeti i Partisë Socialiste, Arben Malaj, ka vijuar takimet e tij me të rinjtë e qytetit të Kukësit, ku ka deklaruar se nevojitet një qasje e re politike në vend.Duke folur për ndryshimet kushtetuese ai tha se nevojitet një debat i gjerë, si ndryshmet e fundit, që sipas tij, u bënë pas një takimi vetëm 6 minuta mes Ramës dhe Berishës. “Rama dhe Berisha e ndryshuan Kushtetutën gjatë një takimi prej 6 minutash dhe ja rezultati”, tha Malaj, duke iu referuar ndryshimeve në Kushtetutë. Për këtë ai bëri përgjegjës të situatës së vështirë, përveç qeverisjes së Berishës, edhe sistemin zgjedhor me lista të mbyllura që nuk prodhon demokraci, e deri te Kushtetuta, e cila, siç tha ai, është përdorur nga dy liderët e politikës. Sipas tij, për të fituar zgjedhjet e vitit 2013, PS duhet të forcohet në kuptimin organizativ, të zhvillojë luftën institucionale si opozitë dhe të hapet si forcë politike. Partia Socialiste ndodhet në situatë jo të mirë, shtoi ai. “Kemi dy vjet e gjysmë në krizë ekonomike dhe politike. Kjo rrezikon që vendi të marrë notë negative në shtator 2011 në lidhje me kandidimin për në BE”, tha Malaj, duke ia faturuar koston e kësaj Kryeministrit Berisha. Nga ana tjetër ai tha se opozita nuk po e luan rolin e vet institucional që i jep Kushtetuta dhe vota e njerëzve. Sipas tij, PS ka nevojë të kapërcejë dobësitë programore dhe institucionale, ku forumi rinor ka gjithashtu pjesën e vet. Sipas deputetit Malaj, socialistët duhet të punojnë shumë për të shtuar mbështetjen në popull së bashku me partitë e tjera të spektrit të majtë. Malaj mbajti qëndrimin, sipas të cilit, socialistët nuk duhet të presin zgjedhjet e 2013-s, por duhet që t’i fitojnë ato. “Na duhet një fitore bindëse, dhe jo e tipit që bëri Berisha me paterica, ku çdo ministër, i cilësdo parti të vogël që mban në këmbë qeverinë, gjen rastin të kënaqë oreksin e sërës së vet të pangopur”, tha ai duke aluduar jo vetëm LSI-në, por edhe për parti të tjera të vogla që përfaqësohen me ministra në qeveri. J.h
PLATFORMA
Deputeti i PS-së, Arben Malaj, ka propozuar një platformë të re për organizimin e Partisë Socialiste, të cilën ai po e prezanton me bazën e PS-së. Platforma e tij synon në vetvete më shumë angazhim për forumet, hapje të partisë, si dhe kufizimin e rolit të liderit të saj. Sipas kësaj platforme, fati i liderit duhet të jetë i lidhur me atë të zgjedhjeve. Nëse humb zgjedhjet duhet të largohet automatikisht për t’i hapur rrugën qarkullimit të elitave.
Haxhiymeri bashkë me Malajn
Deputeti i PS-së, Arben Malaj, ka nisur prej muajsh takime me bazën e PS-së, por edhe më gjerë, për të diskutuar në lidhje me kursin e opozitës për të fituar në zgjedhjet e ardhshme. Kësaj here në Kukës me të ndodhej edhe Edlira Haxhiymeri, një kritike e kreut aktual të PS-së, Edi Rama. Ajo ka qenë sekretare për Shoqërinë Civile dhe Shanset e Barabarta në Partinë Socialiste.
KUKES/JONUZ HALLAÇI
© Panorama.al











