Anëtari i Kryesisë së Partisë Socialiste, Arben Malaj, deklaroi dje se rasti i shkarkimit të kryetarit të FRESSH-it të Kavajës dhe penalizmi i të rinjve të pabindur nga sekretari i Rinisë, Erion Veliaj, është një mentalitet i vjetër që duhet të marrë fund në PS. Deputeti Arben Malaj ka reaguar dje në faqen e tij në Facebook dhe ka bërë thirrje që akte të tilla për të frenuar lirinë e vetorganizimit të forumeve rinore duhet të ndalen, pasi është e dëmshme për zhvillimin e demokracisë së brendshme të partisë. Sipas Malajt, të tilla akte të personave me pushtet partiak i dekurajojnë të rinjtë në politikë dhe zhvillimin e karrierave. “Tendencat për t’iu kufizuar lirinë e të shprehurit, tendencat për t’iu kufizuar mundësinë për t’u zgjedhur dhe për të zgjedhur, mentalitetet ndëshkuese deri përjashtuese sa herë që mendimet apo reagimet e tyre nuk i pëlqejnë ndonjë individi me pushtet partiak apo qeverisës, janë investimi më i keq jo vetëm për të rinjtë, por edhe për vendin. Përpjekjet për të shkarkuar të “pabindurit” apo për të krijuar shembuj frike për të tjerët, së bashku me modelin e deformuar të meritës dhe karrierës, janë shqetësime serioze, të cilat shtrembërojnë cilësinë e investimit jo vetëm te të rinjtë. Shkarkimet, pezullimet apo çdo përqasje tjetër që deformon rëndë besimin e të rinjve, janë fenomene të reja, thellësisht të vjetra si mentalitet dhe shumë të dëmshme për të ardhmen”, shprehet Malaj. Anëtari i Kryesisë së PS-së thekson ndërkaq se “krijimi për të rinjtë i proceseve më të mira të konkurrimit dhe modeleve të karrierës është detyrimi që ne politikanët e të gjitha partive duhet të kemi ndaj gjeneratës së re, e cila duhet inspiruar dhe edukuar me parimet më të shenjta të demokracisë, si elementet thelbësore për cilësinë e zhvillimeve shoqërore dhe politike sot dhe në të ardhmen. Partia Socialiste ka pasur një eksperiencë të mrekullueshme të forumeve rinore, të vetorganizuara, që i kanë zgjedhur kurdoherë vetë drejtuesit e tyre, që kanë promovuar vetë kolegët e tyre, duke qenë gjithnjë pjesa më dinamike e zhvillimeve dhe fitoreve të PS”.











