
Anëtari i Kryesisë: Jo kërcënime për përjashtime.
“Me Vlorën s’më lidh vetëm mandati i deputetit, por e gjithë jeta ime, një dashuri reciproke”
Anëtari i Kryesisë socialiste, Arben Malaj, duke iu përgjigjur shqetësimit të miqve të tij në rrjetin social “Facebook”, shprehet se nuk do të largohet nga qarku i Vlorës.
Sipas Malajt, me Vlorën nuk e lidh vetëm mandati i deputetit, por dhe një marrëdhënie reciproke që ka me elektoratin e këtij qarku. Malaj shprehet se nuk do të pranojë të jetë në listën e deputetëve të qarkut të Kukësit, aty ku është caktuar si i deleguar i Kryesisë, pasi sipas tij, ky qark ka mjaft njerëz të aftë që mund ta përfaqësojnë PS-në në zgjedhjet e ardhshme.
A do të jeni, përveçse i deleguar në qarkun e Kukësit, edhe kandidat në listën e deputetëve për këtë qark?
Si anëtar Kryesie i votuar nga Asambleja Kombëtare e PS-së ndjehem i vlerësuar për të punuar me socialistët dhe mbështetësit e tyre në Kukës, Tropojë dhe Has. Do të mundohem, që së bashku me kolegun Besnik Bare dhe të deleguarit e AK, të maksimizojmë energjitë dhe përkushtimin tonë për të fituar në zgjedhjet parlamentare të 2013-s. Vlerësoj se hapja e konkurrimeve politike për çdo mandat partiak, nxitja e konkurrimit në bazë të meritokracisë, reduktimi i akumulimit të pushtetit në pak duar, reduktimi i numrit të mandateve politike të njëpasnjëshme në forumet partiake dhe qeverisëse, vlerësimi dhe organizimi i të rinjve dhe forumit të gruas, rritja e kontakteve me grupet sociale, reduktimi tensioneve ndërpartiake dhe bashkëpunimi me të gjithë faktorët progresivë për sfidat partiake dhe qeverisëse të kësaj zone, do të jenë parimet themelore mbi të cilat do të angazhohem në këtë mandat të ri të Kryesisë së PS-së. Më duhet të qartësoj që në fillim se, ndërsa e kam pritur me shumë dëshirë dhe do të punoj me shumë përkushtim në këtë zonë, në asnjë rast nuk do të synoj dhe nuk do të pranoj të jem përfaqësuesi i tyre në listën për deputet të qarkut Kukës. Ky qëndrim ka të bëjë me vlerësimin maksimal që kam për socialistët, mbështetësit e tyre dhe qytetarët në këtë qark, të cilët meritojnë të inspirohen, meritojnë të dëgjohen dhe mbështeten, meritojnë të përfaqësojnë në mënyrë më të drejtpërdrejtë dhe më të plotë zonën e tyre në Parlamentin e Shqipërisë. Kjo gjë bëhet më e domosdoshme po të kemi parasysh distancën në rritje që ka sjellë sistemi proporcional në marrëdhënien midis deputetëve dhe votuesit e tyre. Potencialet e talentuara që këto zona kanë, do të duhet të jenë përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Shqipërisë. Sidomos në zonat më të largëta, në veri dhe jug të vendit, partitë politike duhet të përzgjedhin dhe mbështesin përfaqësues nga banuesit e këtyre zonave. Kjo rrit cilësinë e politikëbërjes në këto zona dhe rrit përfaqësimin e tyre në Parlamentin e vendit. Këto zona duhet të rrisin cilësinë e drejtuesve partiakë dhe të qeverisjes vendore. Rruga më e mirë për këtë është mbështetja më e madhe e përfaqësuesve të tyre në forumet partiake, në Parlamentin e vendit dhe në funksione qeverisëse të niveleve të ndryshme të saj. Ky qëndrim, me këtë këndvështrim pozitiv, nuk bëhet për të “qetësuar” kandidatët potencialë për deputet të qarkut të Kukësit, por për të nxitur sa më shumë socialistët për të pasur mundësi konkrete promovimi.
Po për debatin që ka pasur në Kryesi për delegimin nëpër qarqe të ndryshme apo për këndvështrimet e ndryshme që kanë ardhur si pasojë e disa qëndrimeve jounifikuese nga disa anëtarë të Kryesisë, çfarë mendoni?
Mirëkuptoj diskutimet që bëhen. Nuk paragjykoj analizat apo shqetësimet e kolegëve. Vlerësoj lidhjet e tyre me zonat që përfaqësojnë si deputetë, por mandati i anëtarit të Kryesisë të rrit detyrimet për fitoren e PS, duke punuar me socialistët në zona të ndryshme të vendit. Nuk mirëkuptoj asnjë që nxiton të tensionojë debatet në PS duke kërcënuar me masa përjashtuese. Ky është një shërbim i keq që edhe pse mund të ofrohet në mënyrë “vullnetare”, vetëm e dëmton PS-në. Unifikimi i qëndrimeve është proces dinamik, ndërsa radikalizmi i qëndrimeve është proces vetëshkatërrues.
Do ta braktisni zonën ku jeni zgjedhur si deputet i Kuvendit?
Në sistemin e ri elektoral ne jemi deputetë të një qarku. Në rastin konkret, nuk ka një zonë të caktuar elektorale, por një qark elektoral. Ndjehem thellësisht i vlerësuar dhe njëkohësisht shumë i detyruar që përfaqësoj qarkun e Vlorës. Njerëz të mrekullueshëm. Njerëz të përkushtuar, por edhe krenarë për kontributet e tyre në historinë e vendit tonë. Jam shumë i kënaqur që punoj drejtpërdrejt me socialistët e rrethit të Delvinës, me të cilët arritëm një fitore bindëse në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 dhe përmirësuam në mënyrë të konsiderueshme rezultatet elektorale të zgjedhjeve vendore 2011. Fitorja nuk quhet e plotë pa fitoren e Bashkisë së Delvinës, ku edhe pse morëm rreth 400 vota më tepër se vitit 2007, nuk arritëm të fitonim kryetarin e Bashkisë. Me Vlorën nuk më lidh vetëm mandati i deputetit, nuk më lidh vetëm përfaqësimi politik, por e gjithë jeta ime. Është një dashuri reciproke. Ata më kanë besuar përfaqësimin politik të tyre dhe unë u kam shërbyer dhe do t’u shërbej kurdoherë me shumë dashuri dhe me shumë mirënjohje në çdo mandat qytetar, profesional dhe politik. Ky reciprocitet thellësisht njerëzor, pa asnjë fodullëk dhe distancë artificiale me çdo qytetar në këtë qark, do të vazhdojë të na mbajë të lidhur sot dhe në të ardhmen.











