
“Zonat ekstreme në Veri dhe Jug duhet të përfaqësohen nga politikanët e tyre autoktonë”
Anëtari i Kryesisë socialiste, Arben Malaj, në një intervistë dhënë dje në “abc news” me gazetaren Sonila Meço kundërshtoi mundësinë e kandidimit të tij si deputet i qarkut të Kukësit, ku është aktualisht i deleguar. Ai kërkon të hiqet dorë nga deklaratat për përjashtime, ndërsa shprehet se mund të punojë shumë mirë edhe si ekonomist e jo vetëm si deputet.
Zoti Malaj, ju jeni dakord që të punoni si i deleguar në qarkun e Kukësit, por nuk jeni dakord që të jeni i zgjedhur i asaj zone. Përse?
Partia Socialiste, bashkë me aleatët e saj, ka një përgjegjësi për të ndihmuar dhe realizuar rotacionin. Sigurisht që nuk jemi larg ballafaqimit elektoral, kështu që të gjitha fuqitë brenda saj, por dhe bashkë me aleatët duhen maksimalizuar. E dyta, në stadin aktual të zhvillimeve politike, ne si anëtarë kryesie të PS-së zgjidhemi nga Asambleja Kombëtare, duke u votuar si nga socialisti i Kukësit, i Vlorës, i Korçës, Elbasanit etj. që në këtë moment, me një lloj koncepti të reciprocitetit, në momentin që të kanë mandatuar të gjithë, posibiliteti yt si anëtar kryesie për të punuar duhet të jetë i barabartë për të gjitha zonat e vendit. Kështu që kemi ndarë statusin si deputet me sistem proporcional, që do të jemi të përkushtuar në zonat tona, por do të kemi një përgjegjësi më të madhe, sepse jemi niveli më i lartë i përfaqësimit, si anëtarë të Kryesisë për të punuar në të gjitha zonat e vendit. Pavarësisht se nuk isha në Shqipëri, e kam mirëpritur delegimin tim në Kukës, Tropojë dhe Has.
Zoti Braçe, për shembull, e ka kundërshtuar këtë formulë…
Unë nuk e paragjykoj, por edhe miqësisht kemi diskutuar, duke thënë që me statusin e anëtarit të Kryesisë që kemi marrë, për të cilin kemi konkurruar për t’u zgjedhur anëtarë të Kryesisë socialiste, që nga ai moment, ne kemi marrë edhe detyrimin për të punuar me çdo socialist në të gjithë vendin. E rëndësishme është që e gjithë kjo të përdoret maksimalisht për të inspiruar dhe afruar, të gjithë bashkë të fitojmë zgjedhjet në 2013-n.
Përveç zotit Braçe, ka dhe pakënaqësi të tjera…
Kur fola për zotin Braçe, fola për fenomenin, që ne duhet të kemi fleksibilitet maksimal për të punuar në çdo pjesë të vendit. Nuk e paragjykoj me obligimet që ka si deputet, edhe unë kam obligimet e mia në qarkun e Vlorës si deputet.
Përse nuk pranoni të jeni pjesë e listave për deputetë të qarkut të Kukësit?
Unë nuk mund të jem hipokrit me socialistët shumë të mirë të zonës së Veriut, që edhe të them se jam shumë i kënaqur të punoj me ju, edhe të them që nuk dua të jem përfaqësuesi juaj si deputet. Vlerësimi im, bazuar dhe në kontributet dhe eksperiencën në PS, është që në disa zona të vendit, që janë zonat më ekstreme në Veri, në Jug apo në pjesë te tjera të vendit, duhet të kenë përfaqësuesit e tyre të mirëfilltë. Pra, në qarkun e Kukësit katër deputetë janë, probabiliteti më i mirë është 2 me 2, tani është 3 me 1 dhe këto zona që janë kaq larg nga qendra duhet të prodhojnë politikën e tyre, politikanët e tyre autoktonë. Unë besoj se e meritojnë dhe ajo që kam deklaruar sot ka të bëjë me faktin se patjetër si anëtar i Kryesisë do të punoj me shpirt e me përkushtim me të gjithë socialistët dhe me të gjithë njerëzit ose faktorët socialë që kërkojnë që e majta të vijë në pushtet. Do të ishte jokorrekte që ky kontribut i imi dhe i tyre të dukej sikur të ishte thjesht një qëndrim për të marrë një mandat. Është një respekt i dyfishtë, do të vij të punoj me ju dhe ju meritoni të keni përfaqësuesin tuaj në Parlamentin shqiptar.
Nëse do ta kërkonte këtë lideri socialist, që ju të ishit në listën për deputet në këtë qark?
Nuk është një qëndrim individual mes meje dhe Ramës, është një qëndrim që unë e kam si filozofi.
Pra, ju mendoni se në fund të rrugës do të ketë një proces bisedimesh dhe me liderin tuaj, nëse do të ketë qëndrime të kundërta, n.q.s. lideri do të këmbëngulte për mandatimin tuaj në atë zonë dhe ju do të kishit këtë argument që më dhatë.
Nuk po e shtroj si qëndrim individual. Si qëndrim individual po e deklaroj se në asnjë rast, në shenjë respekti maksimal, në një këndvështrim afatmesëm dhe afatgjatë çfarë u takon atyre zonave që të përfaqësohen drejtpërdrejtë në Parlamentin e Shqipërisë, në asnjë rast nuk do ta pranoja. Por e them, nuk është thjesht qëndrim individual. Ne mendojmë që politika në përgjithësi duhet t’u japë mundësi këtyre zonave, që kanë më pak resurse natyrore, më pak mundësi konkurrimi politik, më pak mundësi të trajnohen e të promovohen dhe të marrin njerëz të aftë që nesër të jenë deputetë, kryetarë bashkie apo ministrash dhe zv.ministrash të fillojnë të punojnë dhe të aktivizohen dhe të kenë dhe një inspirim që nëse aktivizohen mund të arrijnë në politikë dhe më tutje.
Druheni që kjo mund të interpretohet si një kundërshtim dhe si një qëndrim jopozitivist karshi vendimeve që merren nga forumi më i lartë i PS-së, apo nga lideri i PS-së e mund të shoqërohen dhe me përjashtime?
U bënë 20 vjet dhe unë e kam zgjedhur rrugën time se si kontribuohet pozitivisht në PS dhe për vendin tim, duke respektuar të gjithë shqiptarët, duke u dhënë mirënjohje socialistëve për mandatet politike dhe duke punuar maksimalisht në atë që di të bëj më mirë edhe si ekonomist, edhe si deputet.
Zoti Rama, në intervistën e fundit të tij u duk se ka zbutur tonet ndaj liderit historik të PS-së, zotit Nano. Cila mund të jetë forma e riaktivizimit të zotit Nano në politikë? A mund të jetë Presidenca një mënyrë që PS-ja rikrijon lidhjet me zotin Nano?
Biem dakord që problemi konkret që ka politika shqiptare nuk është emri Nano, është zbutja e krizës politike, zgjedhja e një Presidenti që ka kredibilitet për të ruajtur ekuilibrat më të mira në ndarjen dhe kontrollin e pushteteve dhe pastaj është ajo që mbetet shqetësim; do të jetë zgjedhja e Presidentit një moment ku politika fillon dhe qetësohet dhe nën ethet e zgjedhjeve parlamentare, apo momenti i marrjes së të gjithë pushteteve nga Partia Demokratike? Do të ketë një ndikim acarues në politikën shqiptare? Pas kësaj, vijmë në diskutimin për zotin Nano.











