Malaj: PS të votojë imunitetin nëse rrezikohet integrimi

Jul 19, 2012 | 13:37

Arben Malaj

Deputeti i PS: Të rishikohet sistemi zgjedhor.

“Agresiviteti me të cilin po i trajton maxhoranca kërkesat e PS, i pajustifikuar”

Anëtari i Kryesisë socialiste, Arben Malaj, në një intervistë dhënë për televizionin “News 24”, i kërkon Partisë Socialiste që të votojë kufizimin e imuniteteve në datën 6 gusht, nëse mosvotimi në këtë datë do të rrezikonte marrjen e ftesës së vendit kandidat për në BE. Malaj e konsideron shumë të nxehtë debatin politik, ndërsa apelon që palët të gjejnë përafrim të qëndrimeve të tyre. Sipas Malajt, një mënyrë e mirë për të gjetur konsensus mes palëve është dhe një opinion i Komisionit të Venecias pranë Këshillit të Europës, nga i cili Shqipëria ka marrë vazhdimisht opinione për çështje shumë të debatueshme. I pyetur lidhur me aleancat e ardhshme të Partisë Socialiste, anëtari i Kryesisë e vë theksin tek ana cilësore e koalicionit opozitar, dhe jo te numrat e partive që mund të përfshihen në të. “Unë besoj se Partia Socialiste, në zemër të strategjisë së fitores duhet të ketë bashkimin e kontributeve të të gjithë socialistëve, duke filluar nga socialistët e thjeshtë”, shprehet Malaj. Sipas tij, PS nuk duhet të tregojë se çfarë bën keq Partia Demokratike, por dhe të tregojë se lufton për të rritur liritë brenda partive dhe shoqërisë. Për Malajn, PS nuk duhet të heqë dorë nga diskutimi për rishikimin e sistemit zgjedhor, i cili duhet të jetë më demokratik dhe i barabartë për të gjitha partitë, ndërsa vota e barabartë për çdo shqiptar.
Si duhet të jetë qasja e PS për aleancat në zgjedhjet e 2013-s? Po flitet përherë e më shumë për një bashkëpunim me FRD dhe AK. Pse jo, edhe një bashkëpunim me lëvizjen “Nano”?
Në politikë opsionet janë të hapura. Do të bëjmë aleanca thjesht për të fituar, apo do të bëjmë aleanca konkrete? Ky është një hap i madh i cilësuar dhe besoj se Partia Socialiste duhet të bëjë aleanca cilësore, dhe jo numerike. Unë besoj se Partia Socialiste, në zemër të strategjisë së fitores duhet të ketë bashkimin e gjithë kontributeve të të gjithë socialistëve, duke filluar nga socialistët e thjeshtë. Një bashkim që duhet të vijë si detyrim ndaj socialistëve dhe progresistëve që kërkojnë ndryshimin e qeverisë, një bashkim që duhet të vijë si ndjenjë e përgjegjësisë për një fitore të plotë, të qartë dhe efektive.
A ju duket e plotë reforma zgjedhore, e cila duhet theksuar se është dypolare dhe nuk ka marrë parasysh kërkesat e partive të vogla? Sa janë mundësitë e rishikimit të sistemit zgjedhor në vjeshtë të këtij viti?
Partia Socialiste nuk duhet të ketë asnjë justifikim se përse nuk duhet të diskutojmë për ndryshimet në sistemin elektoral që e bëjnë demokracinë më funksionale dhe na ruajnë nga risqet në rritje të pushteteve të përqendruara që tentojnë të bëhen pushtete abuzive. Edhe Partia Socialiste, strategjinë e fitores nuk e ka vetëm të tregojë se çfarë bën keq Partia Demokratike, për të cilën të gjithë shqiptarët janë të bindur, por duke bërë dallimin e madh cilësor, duke filluar nga demokratizimi i vetvetes, nga demokratizimi i politikës shqiptare, i shoqërisë civile. Ajo që shqiptarët meritojnë është më shumë liri, duhet ta nxjerrim vendin nga krizat e përsëritura. Janë disa reforma të kushtëzuara edhe me afate, si ajo parlamentare dhe zgjedhore, por duke parë problematikën që krijon modeli shqiptar që e përqendron pushtetin në pak individë, që nuk e përdorin për reforma, por për të krijuar përplasje me palët dhe deputetët, ka nevojë për ndërhyrje. Duhet të rishikojmë sistemin elektoral, të krijojmë më shumë demokraci. Ta kufizojmë abuzimin me listat e mbyllura. Mbyllja e fazës së parë për Kodin Zgjedhor nuk duhet të mbetet me kaq. Nuk duhet të ketë asnjë justifikim për se nuk duhet të diskutojmë për ndryshimin e sistemit, që të parandalojnë përqendrimin e pushtetit në disa duar.
Çështja e imunitetit është kthyer në temë të ditës. Si e vlerësoni qëndrimin e Partisë Socialiste dhe propozimet e maxhorancës? A duhet të votohet imuniteti në gusht, apo në sesionin e ardhshëm parlamentar?
Nëse rrezikohet integrimi, imuniteti të votohet në datën 6 gusht. Palët të përafrojnë qëndrimet. Dua të theksoj se imuniteti ka vite që diskutohet. Por duhet të dalë nga lufta politike. Eksperienca ka treguar se për gjëra të rëndësishme nuk kemi zhvilluar diskutime serioze. Komisioni i Venecias ka atributet e duhura për këtë çështje, e cila është kthyer në debat kalendari më shumë. Opinioni i Komisionit të Venecias të jetë momenti i përafrimit të palëve. Duhet t’i afrohemi Bashkimit Europian për ndarjen e pushteteve. Ka një tejnxehje ndaj debatit. Maxhoranca është fokusuar te data. Është mirë ta nxjerrim nga debati i nxehtë politik këtë diskutim. Agresiviteti me të cilin po i trajton maxhoranca kërkesat e PS-së është i pajustifikuar, mund të gjendet një përafrim edhe për to. Nuk na pengon një datë për heqjen e imunitetit.

Debati për imunitetin, nesër në Këshill
Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, lajmëroi dje deputetët se të premten në orën 10:00, në ambientet e Kryesisë do të zhvillohet mbledhja e parë për të diskutuar ndryshimet kushtetuese për heqjen e imuniteteve. Sipas rendit të punimeve që ka përcaktuar Konferenca e Kryetarëve, nesër dhe të shtunën do të zhvillohen mbledhjet e Këshillit të Legjislacionit dhe Imuniteteve së bashku me Komisionin e Ligjeve. Në këto mbledhje pritet të dëgjohen grupet e interesit, ku përfshihen shoqatat e gjyqtarëve, konstitucionalistë dhe juristë të shquar të fushës, të cilët do të japin opinionin e tyre për draftin e propozuar nga maxhoranca. Në seancën e 6 gushtit është parashikuar edhe votimi i këtyre ndryshimeve kushtetuese.

© Panorama.al

Te lidhura