Malaj: PS duhet të hapet, s’duhet të ketë pushtet absolut

Jul 15, 2011 | 11:26

Deputeti i PS-së, Arben Malaj, ka vijuar dje turin e bashkëbisedimit me të rinjtë e qytetit të Shkodrës. Gjatë komunikimit me studentët në hotel “Grand”, Malaj ka vënë theksin te hapja e Partisë Socialiste dhe faktin që në këtë parti nuk duhet të ketë pushtet absolut. “Problemi është se ne duhet të hapim Partinë Socialiste. Partia Socialiste, që të hapet, e para duhet të jetë parti institucionale. E dyta, në partitë tona duhet të kufizojmë pushtetin absolut. Të dyja partitë politike, nga aspekti i menaxhimit të tyre, nga aspekti i promovimit, nga aspekti i përzgjedhjes së atyre që marrin mandat për të qenë kryetar komune, për të qenë kryetar bashkie, për të qenë deputet, për të qenë drejtor drejtorie, veprohen gati parime të tilla të një pushteti absolut dhe të përzgjedhjeve individuale. Po të ishte se do të qeverisje thjesht me besnikët, në Lindjen e Mesme nuk do të kishte asnjë trazirë. Hapja e partive duhet të fillojë që në bazë, çdo kontribut duhet ruajtur, nuk ka luftë brezash”, deklaroi deputeti socialist. Sipas tij, Shqipëria sot nuk ka një model pozitiv të asnjë partie politike dhe se PS, si forcë opozitare, duhet të krijojë një model të mirë. Deputeti socialist tha se për këtë gjë debatet brenda partisë janë konstruktive. “Nuk duhet të kemi frikë se po pati debat po çahet partia, po prishet partia. Kur ne kishim debate, ishim dhe në qeveri. Ai parimi që të mos përqendrohet pushteti vetëm në pak duar, duhet të funksionojë. Unë vetë jam partizan që në partitë, qoftë një anëtar, një votë, duhet të ketë një lloj konkurrence. Kemi të vetmin shqetësim kur në garë është prapë kryetari, që është jo thjesht emri konkret, për çdo rast mundësia e një gare reale është e sforcuar”, nënvizoi deputeti i PS-së, Arben Malaj. Ai është ndalur dhe te sistemi elektoral, që sipas tij, ka rritur diferencën mes të zgjedhurve dhe votuesve e, mbi të gjitha, ka forcuar pozitat e kryetarëve të partive, pa dallim ngjyrash. r.d

© Panorama.al

Te lidhura