Malaj: Nano President? PS të mos bëjë gabimet e 2007

Feb 26, 2012 | 11:42

Arben Malaj

Anëtari i kryesisë flet për zgjedhjet në PS: Kandidatët nga anëtarësia.

“Të qartësojmë e unifikojmë votën për kreun e shtetit”

Anëtari i kryesisë socialiste Arben Malaj shprehet se PS nuk duhet të bëjë të të njëjtat gabime që bëri në 2007 në zgjedhjen e presidentit. Duke dhënë pëlqimin e tij për kandidaturën e Fatos Nanos, Malaj shprehet se PS duhet të qartësojë qëndrimin publik dhe unifikimin e votës në zgjedhjen e Presidentit, nëse kërkon të zgjedhë President të majtë.
Zoti Malaj, edhe pse u mirëprit marrëveshja e arritur në nëntor të vitit të kaluar mes PS dhe PD, duket se ajo po përsërit marrëveshjet e mëparshme, po tejkalohen afatet dhe nuk duket të kemi ende një produkt, përveç disa kodeve që kërkonin votën e PS. Çfarë nuk ka shkuar mirë në këndvështrimin tuaj?
Maxhoranca kërkon të fitojë kohën që të mos e bëjë reformën. Ajo e ka të qartë se përmirësimi i elementëve më kritikë të procesit zgjedhor i kufizon mundësitë e abuzimeve/vjedhjeve të votave, që sipas raporteve të OSBE/OHDIR-it, është në themele të dështimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Ky dështim i ka kushtuar rëndë Shqipërisë, kredibiliteti i zgjedhjeve ka qenë i dëmtuar rëndë. Kredibiliteti i qeverisjes së vendit i dëmtuar shumë rëndë. Të gjitha këto zhvillime problematike, së bashku i kanë kushtuar vendit. Ekonomia vuan kostot e keqqeverisjes së vendit dhe të ngërçeve politike. Jemi ngelës të përsëritur në provimin për të qenë vend kandidat i Bashkimit Europian. Berisha duhet t’i përmbahet premtimit dhe detyrimit të tij përpara shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë: “Se do të votojë çdo propozim të opozitës që mbështetet në rekomandimet e OSBE/ODHIR-it dhe që certifikohet prej tyre”. PS ka parashtruar propozime konkrete për 5 elementët të rëndësishëm të përmirësimit të administrimit të zgjedhjeve. Çdo vonesë është vetëm një alibi e përsëritur e kësaj maxhorance. Dështimi reformës zgjedhore do të dëmtonte rëndë ambientin politik shqiptar, dëmton përgatitjen dhe besueshmërinë e zgjedhjeve të ardhshme. Zgjatja e krizës politike në vend rrit efektet negative të klimës politike mbi ekonominë. Ne rrezikohemi për të tretën herë të ngelim në provimin e integrimit europian.
Maxhoranca raporton për realizime të objektivave të saj ekonomike, ndërsa jashtë parashikimit patëm një emergjencë civile. Rëndoi emergjenca në treguesit ekonomikë? Dhe sipas jush cilat ishin defektet?
“Çatia rregullohet në ditë me diell”. Kjo filozofi popullore nuk vlen për qeveritë të cilat ngrohen tërë ditën në diell. Qeveria u kujtua për emergjencat kur ajo ndodhi dhe kur rreziku mbi jetën e njerëzve dhe mbi pronat e tyre arriti nivele kritike. Dalja nga situata e jashtëzakonshme erdhi nga përmirësimi i kushteve atmosferike, dhe jo për merita të qeverisjes së vendit. Defektet kryesore janë: Të paparapërgatitur, a masa konkrete për të ndërhyrë në infrastrukturë, pa një sistem efikas dhe fonde buxhetore për mirëmbajtje dhe hapje të rrugëve nacionale e lokale, duke filluar nga zonat më të rriskuara të vendit. Dështim në bashkëpunimin me Bankën Botërore dhe donatorët e tjerë, për të miratuar dhe implementuar një ligj të ri të emergjencave, ku përfshihen fonde edhe për pajisje moderne të mirëmbajtjes së rrugëve.
Si vlerësoni ju deklaratën e ministrit grek të Ekonomisë, Evangjelos Venizellos, se Greqia ka nevojë për programin e ri që të mos bëhet si Shqipëria dhe Moldavia?
Çdo kolegu të çdo vendi në krizë i afrohet solidaritet profesional. Sfidat e ekonomisë së Greqisë, përballimi i reformave me kosto të rënda sociale dhe dalja sa më parë nga kriza, kërkojnë shpresë, kërkojnë besim, kërkojnë sakrifica. Kredibiliteti që politikanët i ofrojnë vendit të tyre ka shumë më tepër efekt pozitiv për daljen nga kriza, se sa frika me të cilën kërkojnë t’i trembin. Ne shpresojmë që vendet që janë në krizë të dalin sa më shpjet nga kjo situatë tepër kritike. Sa më shpejt të dalin ato nga kriza, aq më mirë mbrohemi ne nga flakët e krizës. Sa më shpejt të fillojë ringritja ekonomike e tyre, aq më shpejt përfitojnë prej saj edhe mijëra shqiptarë që jetojnë, punojnë dhe kontribuojnë pozitivisht në ekonominë e Greqisë dhe të vendeve të tjera ku kanë emigruar.
Në Partinë Socialiste po zhvillohen zgjedhje në 117 komuna dhe bashki për drejtuesit e tyre partiakë, ndërsa në disa qytete si Lezha apo Vlora çdo gjë do të nisë nga organizatat socialiste. Përse sipas jush kjo situatë? Nuk duhet të ishin përfunduar para Kongresit të 5 nëntorit?
Patjetër po. Është një shqetësim që e kemi diskutuar edhe me publikun. Partitë politike duhet të ndërtohen dhe funksionojnë me sa më shumë transparencë, të rrisin shanset për karrierë të bazuar te meritokracia, të luftojnë nepotizmin dhe spontanitetin. Një gjë është e qartë, përsosja organizative e çdo hallke të PS-së dhe forumeve të saj, duke përfshirë të rinjtë, gratë dhe grupet e interesit, prodhon sukses. Kjo kërkon ribashkimin e kontributeve të të gjithëve, jo përzgjedhje individuale, jo karrierë me emërim, por bashkim dhe angazhim i të gjithë socialistëve bazuar në kontributet e tyre. Suksesi jonë duhet të vijë nga epërsia e vlerave tona. Ndaj, këshilla e Ajnshtajnit “mos syno të jesh njeri i suksesit, por syno të jesh njeri i vlerave”, vlen shumë edhe sot. Suksesi si qëllim në vetvete, apo thjesht për ego personale, i shkatërron disa vlera themelore, ndërsa vlerat e bëjnë më të plotë dhe më të dobishëm suksesin.
Në Tiranë, propozimet e anëtarëve të asambleve të minibashkive nxorën 12 kandidatë, nga të cilët Kryesia e PS seleksionoi 2 prej tyre, Ilir Zelën dhe Sajmir Tahirin. Mbi cilat kritere u bë kjo përzgjedhje?
Vlerësoj se garat brenda PS-së duhet të kenë sa më shumë kandidatura dhe seleksionimi të vijë nëpërmjet një procesi përzgjedhës nga anëtarsia e partisë dhe jo nga preferencat individuale. Kjo rrit hapësirat për konkurrim, rrit kredibilitetin ndaj procesit dhe kredibilitetin e fituesit. Jam kundër proceseve të eliminimit të garës duke i ofruar anëtarësisë kandidatura të vetme të arritura me “konsensus”. Gara duhet nxitur edhe aty ku shpresa është e dobët apo e “vrarë” nga pushtetet e përqendruara në qeverisjen vendore apo strukturat e “larta” partiake.
Si e vlerësoni kundërshtimin për të kandiduar një deputet në Tiranë dhe kundërshtimi që në degët e tjera kryetari të mos jetë në një nivel të tillë politik?
Duhet që çdo i zgjedhur të bëjë punën për të cilën paguhet nga taksapaguesit. Deputeti të jetë deputet, kryetari i Bashkisë dhe komunës të jetë vetëm drejtues në qeverisjen vendore, kryetarët e partive të jenë të përkushtuar në organizmin dhe drejtimin e partisë. Sa më pak pushtet të përqendrohet në pak duar, aq më pak rrezikohemi nga pushtetet absolute që korruptojnë në mënyrë absolute. Pushteti i tepërt që vazhdon të mbingarkojë disa individë në partitë tona politike prodhon shumë arrogancë dhe pak efikasitet. Sa më shumë mundësi për konkurrim, sa më shumë karrierë në bazë të përkushtimit dhe meritokracisë (jo në bazë të preferencave personale), aq me shumë hapësira ka për më shumë kontribute nga sa më shumë socialistë në çdo nivel të saj, nga organizata bazë deri te Kryesia e PS-së. Kjo e ndihmon çdo forcë politike të jetë më dinamike dhe e suksesshme.
Të enjten në mbrëmje, ambasadori amerikan, Arvizu, ka vazhduar takimet e tij kokë më kokë me politikanët shqiptarë, kur ka biseduar dhe me ish-kreun e PS, Fatos Nano? Në garën për President duhet që PS të dalë me Nanon si kandidat i saj, për të kërkuar më pas konsensusin me palën tjetër?
Vendi rrezikohet seriozisht nga kriza institucionale, nga shkalla e lartë e korrupsionit në sistemin gjyqësor, nga kapja e shtetit në shitjen e pasurive publike dhe nga korrupsioni e abuziviteti i administratës publike. Dëmtimi i rëndë i ndarjes dhe kontrollit të pushteteve imponojnë raporte të reja midis institucioneve kushtetuese të vendit. Partia Socialiste ka misionin e saj politik të ndalë keqqeverisjen e vendit. Të ndalë krizën institucionale dhe të kthejë shpresën dhe besimin te reformat dhe institucionet e vendit të saj. Momenti i parë konkret është zgjedhja e Presidentit të vendit. PS nuk duhet të bëjë sërish gabimin e vitit 2007, e paqartë politikisht në kërkesën e saj, pa një qëndrim politik dhe pa një kandidaturë konkrete. Hapi i parë tani duhet të jetë qartësimi i qëndrimit publik dhe unifikimi i votës në zgjedhjen e Presidentit. Vetëm pas këtyre momenteve PS fiton të drejtën të respektohet për kandidaturën që do të propozojë dhe do të mbështesë me votë unike. Shumë kolegë të Grupit Parlamentar të PS-së edhe publikisht i kanë dhënë vlerësime pozitive dhe mbështetje kandidaturës së Nanos.
Ju i jeni përgjigjur pozitivisht delegimit të Kryesisë në qarkun e Kukësit, madje keni zhvilluar dhe disa takime gjatë ditëve të bllokimit të madh nga bora. Duhej të kishte pasur më parë për këto delegime një konsultë dhe konsensus me të gjithë anëtarët e Kryesisë, me qëllim shmangien e ndonjë pakënaqësie?
E kam mirëpritur mundësinë t’i kthej sadopak mirënjohjen time çdo socialisti për përkushtimin dhe sakrificat e tyre gjatë gjithë këtij tranzicioni të vështirë. Kam edhe një detyrim personal ndaj të gjithë socialistëve për mbështetjen që më kanë dhënë në mandatet partiake dhe qeverisëse. Sa më “larg” të jetë distanca fizike si i deleguar i PS-së në zona të ndryshme të vendit, aq më afër do të jemi në bashkëpunimin tonë për fitoren e PS-së. Edhe takimet gjatë ditëve të emergjencës më kanë forcuar bindjen për vlerat dhe mikpritjen e mrekullueshme të banorëve të Kukësit, Tropojës dhe Hasit. Të fortë përballë vështirësive, fisnik në bashkëpunimin kundër emergjencave, mirënjohës për çdo solidaritet njerëzor.

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura