Pavarësisht se mund të jenë nisur nga ide dhe këndvështrime të ndryshme lidhur me debatin e brendshëm në PS, si dhe përqasjen e PS-së përballë publikut, Erion Braçe dhe Arben Malaj e kanë vënë përballë një situate jo të lehtë kreun socialist, Edi Rama, lidhur me të ardhmen e debatit në këtë parti si brenda forumeve, ashtu dhe si opozitë përballë maxhorancës. Nëse Braçe ka këmbëngulur në rëndësinë e pranisë dhe betejës në Kuvend, Arben Malaj tashmë ka hapur edhe një sfidë lidhur me kuptueshmërinë dhe besueshmërinë e lidershipit të PS-së brenda gjirit të socialistëve.
Por, duket se sfida e parë e Ramës ndaj dy përpjekjeve të Braçes dhe Malajt është të gjejë një përgjigje për pyetjen që është ngritur që pas zgjedhjeve të vitit 2009 jo vetëm për publikun, por edhe për një pjesë të mirë të vetë socialistëve: A është i aftë Rama të ndërtojë një ekip që vjen nga vullneti i bazës, nga ajo që dëshirojnë shumica e socialistëve, apo udhëheq vetëm me një ekip personal në PS, që shpesh duket larg interesave që kanë vetë socialistët?
Letra e Braçes dhe platforma e shpallur nga Malaj, në fakt, janë një ofertë e hapur për të parë nga sistemi që ka funksionuar kjo parti. Kjo kërkesë duket se mbështetet edhe nga dështimi i Ramës për politikë “as të majtë e as të djathtë” me të cilën u shfaq përpara zgjedhjeve parlamentare, por që nuk arritën t’ia hapin PS-së dyert e pushtetit.
Por, duket se Rama do të jetë edhe më i detyruar të mos sulmojë platformën e shpallur nga Malaj për një ridebatim në forumet e PS-së, sidomos pasi vetë ai u shfaq së fundi me thirrjen që të mos ketë zënka e ndarje, por vetëm pajtime e afrime brenda socialistëve e të majtëve në përgjithësi.
Në fakt, letra publike e Braçes ndaj Ramës ishte një konfirmim publik se zëri i tij s’ishte më në llogarinë e kryesocialistit, ndaj dhe ai kërkoi konfirmim publik për idetë e tij, madje duke mbajtur edhe një derë të hapur bashkëpunimi të fortë, siç është mbështetja për protesta, që Rama i ka në platformën e tij kryesore politike. Ndërsa Malaj nisi atë proces debati, që nënkupton se kundërshtimet që i bëhen Ramës në parti lidhur me disa qëndrime që kanë të bëjnë me pjesëmarrjen në Kuvend apo dhënien e alternativave, nuk janë personale dhe se janë pjesë e një mbështetjeje që vjen nga një pjesë e rëndësishme në parti, e cila në jo pak herë vendos balancat e përfaqësimit.
Tashmë, loja duket në duart e Ramës, që më së paku nga Asambleja e së shtunës ka zgjedhur dy përgjigje, ndaj Braçes e ndaj Malajt. Ndaj kërkesave të të parit ka dhënë dje sinjale për rikthim në Kuvend dhe për debat përmes dhënies së alternativave, gjë që deri tani i ka munguar kësaj force politike. Ndërsa ndaj Malajt ka dhënë të kuptojë se nuk do të sulmojë, që është një gjysmëpërgjigje, që gjithsesi nuk e jep thelbin nëse do të lejojë një debat brenda forumeve në emër të përmirësimit të tyre, apo do ta marrë këtë situatë në dorë duke e ftuar Malajn të jetë shoqërues në këto debate, e jo lider. Por, prania e Meidanit, dikur ish-rival për të marrë drejtimin e PS-së dhe një figurë me mbështetje në PS, e bëjnë përgjigjen ndaj Malajt edhe më delikate, pasi një kundërshtim i frymës për debat është një kundërshtim ndaj vetë ideve të mëparshme të Ramës kur ishte në pozitat e kandidatit në PS, ku iu lejua e gjithë hapësira për të qenë përballë forumeve.
Ndërkaq, lidhur me këto dy oferta publike brenda partisë nga dy figura me histori në PS, Rama duhet të bëjë mirë llogaritë e pranimit apo mospranimit, pasi në të dyja rastet do të jetë i detyruar që, ose të mbajë përgjegjësinë e ndonjë largimi, nëse i bën kundërshtarë të hapur, ose duhet të bashkëndajë përgjegjësinë e fituesit, nëse arrin që përmes tyre të fitojë më shumë pikë brenda forumeve.
© Panorama.al












