Gjatë ditëve të fundit në kampin e PS-së ka tre ngjarje, të cilat edhe pse pa lidhje në pamje të parë, në fakt përbëjnë edhe skemën e rinisjes së debatit politik të shtatorit. Kështu, e para është kërkesa e disa deputetëve në PS për të përjashtuar dy deputetët, Kastriot Islamin dhe Andi Harasanin nga PS, duke u bazuar te thyerja e rregullores. Dhe, për momentin, PS e ka luksin e përjashtimit, sepse shumë shpejt do të nisë profilizimi i kandidaturave për zgjedhjet e vitit 2013, ku duhet të nisin disa skartime, ndërkohë që nga ana tjetër opozita nuk shpreson më ta bllokojë maxhorancën aktuale përmes numrave në Kuvend. E dyta, është fushata e Arben Malajt brenda partisë, me disa fjalime prej lideri, por gjithnjë brenda kontureve të rregullores dhe duke përsëritur se do t’i bindet vendimeve të partisë për bojkot apo pjesëmarrjes në Kuvend. Ndërkohë që ngjarja e tretë është heshtja totale e Edi Ramës, i cili, edhe pse tashmë është kreu i opozitës, duket se ka nisur pushimet edhe pse në një moment kur janë hapur debate si për ndryshimet kushtetuese, për presidentin e ardhshëm apo për aleanca të mundshme brenda të majtëve.
Por, në fakt, çfarë lidhje kanë të tria këto ngjarje?
Po t’i rikthehemi takimeve të para të z. Malaj, kishim në radhën e parë Kastriot Islamin dhe Rexhep Meidanin që u shfaqën kritikues, i pari më shumë e i dyti më me kujdes, lidhur me qëndrimet e liderit të PS-së në zgjedhjet e fundit. Krijimi i një paneli figurash të rëndësishme të PS-së në takimet e Malajt, por edhe “kritikat korrekte” të tij ndaj Ramës për mënyrën se si po drejton opozitën, nisën të profilizojnë një situatë të re debati. Por, një situatë e tillë, me debat të hapur, ka kohë që Rama e ka mbyllur brenda partisë, ndaj krijimi i kësaj situate nuk duket komode për kreun e PS-së. Ndaj, sulmi i parë që mund t’i bëhej Malajt, është ai i të hequrit nga paneli të disa prej mbështetësve. Me këtë mënyrë, Rama i ka dërguar Malajt edhe sinjalin e “kufijve të lejuar të debatit”, duke e nisur me ato që ai do të quajë mbështetës në këtë tur.
Afërmendsh që Rama pret që edhe Malaj të shkasë në kritika, për të pasur arsye që edhe ndaj tij të vijë kërcënimi i largimit. Por, duket se ish-ministri socialist i Financave e ka llogaritur këtë lojë të vjetër duelesh brenda partisë së tij, ndaj dhe nuk ka lëvizur asnjë germë nga mbështetja për atë që duhet të bëjë PS, natyrisht pa treguar për asnjë çast se do të jetë rregullthyes.
Ndërkaq, duke nxjerrë në debat publik emra të tjerë, si Xhaçka apo Toçi, Ramës i duhet më pas vetëm të vërë pikat mbi “i”, duke treguar se është mendimi absolut i forumeve për të kërkuar përjashtime apo kritika ndaj fushatave të tilla. Duke bërë këtë parapritë përpara kongresit, Rama tregon edhe modelin e ardhshëm me të cilën do të formojë trupën partiake. Në këtë model, ka pak gjasa që ai të korrigjojë ndonjë nga gabimet e deritanishme me ndërtimin e forumeve, ku në jo pak raste është shpërfillur tradita se si kjo parti më parë fitonte. Dhe, në të tilla gjasa, ka shumë mundësi të zhgënjejë edhe ata socialistë që besonin se, duke qenë vetëm në krye të PS-së dhe jo kryebashkiak, ai do të gjente më shumë rrugë bashkëpunimi brenda të majtëve për t’i bërë bashkë për zgjedhjet e vitit 2013, në mënyrë që të mos i regjistrojë ndonjë dështim tjetër e të mbetet në justifikimin që “jemi më të votuarit”.
Gjithsesi, këto detaje tregojnë se Rama do të kërkojë gjetjen e rrugëve për t’ia bërë të pamundur Malajt dialogun me socialistët. Aq më tepër që ai do të tentojë minimin, pasi ky tur debatesh e kthen Malajn në një rival për kreun e PS-së. Ky i fundit është treguar krejt i matur, duke mos shfaqur ambicie. Por, fundi politik i një bashkëbisedimi është padyshim konkurrimi. Pikërisht niveli i konkurrimit do të jetë edhe problemi i parë me të cilin do të ndeshet Edi Rama në parti, sidomos tani që nuk e ka më “kostumin e kryebashkiakut”. Por, shenjat e para nuk tregojnë asnjë optimizëm, se Rama është gati për duele të tilla e aq më pak t’i hapë derën kritikuesve.
© Panorama.al












