Mal i Zi, Topi merr pjesë në samitin e SEECP

Jun 29, 2011 | 16:13

Presidenti i Republikës,  Bamir Topi në krye të delegacionit zyrtar, u nis sot për në Mal të zi, ku do të marrë pjesë në Samitin e Kryetarëve të Shteteve dhe Qeverive të Procesit të Bashkëpunimit të Vendeve të Evropës Juglindore (SEECP), i cili do të zhvillohet në Budva, në datat 29-30 qershor 2011, njofton zyra e shtypi e Presidentit.

Gjatë punimeve të këtij Samiti pritet të diskutohet rreth situatës aktuale në rajon, po ashtu dhe të miratohet raporti vjetor i Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore për vitin 2010-2011. Në kuadër të punimeve të SEECP-it, Kryetari i Shtetit shqiptar pritet të zhvillojë takime me homologë të vendeve të pranishme në të.

SEECP-i është një forum për dialogun diplomatik dhe politik midis Shqipërisë, Bosnje-Hercegovinës, Bullgarisë, Greqisë, Kroacisë, Malit të Zi, Maqedonisë, Moldavisë, Rumanisë, Serbisë, Sllovenisë e Turqisë. Kjo nismë synon bashkëpunimin e vendeve pjesëmarrëse për forcimin e stabilitetit, sigurisë dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, zhvillimin ekonomik, si dhe për çështjet humanitare, sociale e kulturore, për drejtësinë, luftën kundër krimit të organizuar, etj.

 

© Panorama.al

Te lidhura