Makinat, si përfitohet për importin e pas janarit 2011

Jul 19, 2011 | 11:07
Komisioni i Ekonomise

Qytetarët që kanë futur një makinë në territorin shqiptar gjatë kësaj periudhe dhe ende s’kanë bërë dokumentacionin, mund të përfitojnë nga ligji i ri që heq doganën për mjetet, nëse procedura kryhet në periudhën pas hyrjes në fuqi të tij.Zëvendësministri i Financave, Alfred Rushaj, mbrojti dje në Komisionin e Ekonomisë ndryshimet në paketën fiskale duke u ndalur edhe tek taksa e makinës. Ai shpjegoi se për të gjithë ata qytetarë që kanë importuar një makinë nga janari deri më sot dhe e kanë atë në kushtet e qarkullimit, taksa e doganës aplikohet menjëherë në import, në momentin që kryhet kjo procedurë dhe doganieri bën llogaritjen. “Nëse ajo kategori subjektesh që e ka futur makinën para hyrjes në fuqi të këtij ligji, por që dokumentet e futjes së mjetit në territorin e Republikës së Shqipërisë, pra importin do ta bënte pas hyrjes në fuqi të ligjit, natyrisht që do të aplikohej formula e re që ky ligj propozon. Për të gjithë ata që i kanë futur dhe afati 6-mujor ka përfunduar, atëherë llogaritja bëhet mbi bazën e ligjit që është në fuqi, sepse nuk mund të bëjmë një amnisti të dytë sa i përket kësaj kategorie”, tha zëvendësministri. Duke u ndalur edhe një herë tek amnistia, ai bëri thirrje që qytetarët që kanë importuar një mjet deri më datë 31 dhjetor 2010 dhe nuk kanë bërë ende zhdoganimin, të përfitojnë nga ligji për amnistinë dhe të paguajnë 50 për qind të principalit për të marrë letrat e makinës. Pikë diskutimi në Komision është bërë pyetja e deputetit Edmond Spaho, i cili kërkoi një shembull tipik për taksat që do të paguajë një makinë pas hyrjes në fuqi të ligjit. “Duhet thënë që taksa e regjistrimit dhe e qarkullimit janë rreth 9 mijë e 400 lekë në vit dhe kjo paguhet, pavarësisht nëse makina juaj është 0.9-she apo 0.5-she. Po t’i referohemi një makine tipike me 8-9 vjet jetëgjatësi, që përdor naftë dhe që paguan diçka më shumë sesa benzina, sot ajo paguan 9 mijë 400 lekë. Ndërkohë që me këtë sistem do të paguajë 6 mijë e 900 lekë nëse përdor naftën dhe 5 mijë e 500 lekë nëse përdor benzinën. Pra, është e qartë që  diferenca është e madhe”, shpjegoi zëvendësministri. Në këtë kuadër projektligji i cili u miratua dje në Komision vendos një korrelacion të drejtë mes atyre që përdorin më shumë infrastrukturën dhe ndotin më shumë ambientin, duke i detyruar që të paguajnë më shumë para sesa të tjerët.

Paketa fiskale

Në Komisionin e Ekonomisë u diskutua dje veç të tjerash edhe ndryshimi i akcizës së birrës, i cili synon që të ulë barrën fiskale për prodhuesit, por nga ana tjetër rrit akcizën për disa lëndë të para djegëse që i shërbejnë industrisë, siç janë mazuti apo solari. Njëkohësisht, Komisioni miratoi edhe heqjen e tarifës doganore për lëndët e para për industrinë e fasonëve dhe konfeksioneve.

Debate në Komisionin e Ekonomisë

Igli Cara (Komisioni i Ekonomisë) : Ata që kanë importuar një makinë pas datës 1 janar, përfitojnë nga ligji i ri?
Alfred Rushaj (Ministria e Financave): Për gjithë ata subjekte që i kanë futur makinat deri në fund të vitit 2010, nuk ka diskutime. Për subjektet që i kanë futur makinat dhe e kanë në kushtet e izolimit të qarkullimit, kjo taksë aplikohet menjëherë në import, në momentin që procedura për importin kryhet. Në këtë moment, doganieri bën llogaritjen e taksës. Nëse ajo kategori subjektesh që e ka futur makinën para hyrjes në fuqi të këtij ligji, por që dokumentet e futjes së mjetit në territorin e Republikës së Shqipërisë, pra importin do ta bënte pas hyrjes në fuqi të ligjit, natyrisht që do të aplikohej formula e re që ky ligj propozon. Për të gjithë ata që i kanë futur dhe afati 6-mujor ka përfunduar, atëherë llogaritja të bëhet mbi bazën e ligjit që është në fuqi, sepse nuk mund të bëjmë një amnisti të dytë sa i përket kësaj kategorie.
Edmond Spaho (Komisioni i Ekonomisë): Sa do të paguajë një makinë e madhësisë normale, atë që gjejmë rëndom në qarkullim me vjetërsi pak a shumë 8-9 apo 10 vjet.
Alfred Rushaj (Ministria e Financave): Zoti Spaho, ne kemi bërë një tabelë që nuk është ligjore, por e kemi që e përdorim për arsye pune dhe unë mund të të jap disa shifra. E para, duhet thënë që taksa e regjistrimit dhe e qarkullimit janë bashkë rreth 9 mijë e 400 lekë në vit dhe kjo paguhet pavarësisht nëse makina juaj është 0.9-she apo 0.5-she. Kështu që po t’i referohemi një makine tipike, le të themi 8-9 vjet jetëgjatësi dhe që përdor naftë, që paguan diçka më shumë sesa benzina, sot paguan 9 mijë 400 lekë, ndërkohë që me këtë sistem do të paguajë 6 mijë e 900 lekë, nëse përdor naftën dhe 5 mijë e 500 lekë nëse përdor benzinën.
Sherefedin Shehu (Komisioni i Ekonomisë): Gjatë përgatitjes së paketës keni diskutuar apo menduar ndonjëherë bashkimin e taksës së qarkullimit, karbonit dhe asaj të makinave të përdorura, në kuptimin e thjeshtimit të taksave?
Alfred Rushaj (Ministria e Financave): Gjatë kohës që ky projektligj po diskutohej, ne kemi konsultuar një mënyrë taksimi që të ishte sa më e thjeshtë dhe më efiçente dhe për hir të së vërtetës themi se ideja që t’i mblidhnim të gjitha taksat në një të vetme, nuk ka qenë e pakonsideruar, sidoqoftë në këtë lloj mënyre ne kemi pasur parasysh disa parime. Do të ishte shumë më e thjeshte që programi fiskal të administrohej me një mënyrë të tillë vjeljesh taksash, por gjatë hartimit kemi pasur parasysh edhe infrastrukturën ekzistuese
Sybi Hida (Komisioni i Ekonomisë): Lidhur me taksën e makinave të përdorura, kisha një pyetje. A është e mundur që të matet emetimi i karbonit nëpërmjet disa aparaturave që mund t’u vihen makinave ose zyra e kolaudimit të makinave dhe pastaj të taksohet?
Alfred Rushaj (Ministria e Financave): Në vendet europiane që kanë një infrastrukturë të matjes së këtyre emisioneve që rrjedhin nga makinat të konsoliduara, kjo lloj mënyre taksimi përdoret, madje ato shkojnë më tutje: Makinat që nuk kalojnë disa parametra të caktuara, nuk i lejojnë të qarkullojnë. Kjo do të ishte perfekte dhe për vendin tonë, por duke pasur parasysh dy faktet e para, që është e nevojshme që një infrastrukturë e tillë të ngrihet e konsolidohet, gjë që do të kërkonte shpenzime dhe kohë.

 

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura