
DURRES – Dy të rinj humbën jetën dhe një tjetër u plagos rëndë në një aksident fatal, mëngjesin e djeshëm, në autostradën Tiranë-Durrës. Si pasojë e lagështirës në rrugë, një automjet ka rrëshqitur dhe, si pasojë, kanë mbetur të vdekur në vend dy persona, ndërsa drejtuesi i mjetit është në gjendje të rëndë. Sipas Policisë, viktimat janë Roland Sakja 21 vjeç, nga qyteti i Kavajës dhe Nikolet Pudaniç 19 vjeç, shtetase rumune, ndërsa i plagosuri është vetë drejtuesi i mjetit, 19-vjeçari Elisidio Hasani me banim në Kavajë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 4:00 të mëngjesit të së hënës, në afërsi të Sukthit, fare pranë kryqëzimit të fshatit Koxhas. Tre të rinjtë ishin duke udhëtuar nga Tirana për në qytetin e Kavajës, por papritur udhëtimi i tyre është prerë në mes. Sipas ekspertëve të aksidenteve, të cilët mbërritën menjëherë në vendngjarje, shkak për aksidentin dyshohet të jetë bërë lagështira e madhe në rrugë dhe shpejtësia tej normave të lejuara me të cilën po udhëtonin të rinjtë. Pranë vendit në të cilin ndodhi aksidenti, autostrada në të dy krahët e saj mban ujë duke bërë shumë të rrëshqitshëm këtë segment. Po në këtë vend, për shkak të pranisë së sasisë së ujit, disa kohë më parë ndodhi një tjetër aksident me pasojë vdekjen. Në vendin e njohur si mbikalimi i Sukthit pranë kthesës së Koxhajt, 19-vjeçari Elisido Hasani ka humbur kontrollin e automjetit tip “Peugeuot” me targa KJ 95 20 D, i cili ka dalë nga rruga dhe më pas ka pësuar disa salto, duke përfunduar disa metra larg autostradës në një mur betoni. Vajza e cila ishte në sediljen e parë dhe 21-vjeçari Roland Sakja që qëndronte në sediljen e pasme në krahun e djathtë kanë gjetur vdekjen e menjëhershme, pasi mjeti është përplasur me murin e betonit pikërisht nga krahu i djathtë. Fatmirësisht, drejtuesi i mjetit ishte i pajisur me mjetet e sigurisë, të cilat e kanë ndihmuar 19-vjeçarin, duke i kursyer jetën. Mjeti i përplasur me tre të rinjtë brenda është konstatuar vetëm dy orë pasi kishte ndodhur aksidenti. Ka qenë një udhëtar i rastit që lajmëroi policinë. Mësohet se pasi ka marrë ndihmën e parë mjekësore, i mbijetuari i këtij aksidenti është jashtë rrezikut për jetën, por ende nuk i është treguar se çfarë ka ndodhur me shokun dhe të fejuarën e tij, që humbën jetën. l.musaj











