
Fshati Grepckë në Skrapar ka parë për herë të parë një mort të tillë si ai i djeshmi. Në mes të fshatit me vetëm 30 shtëpi, pesë prej tyre kanë pasur në oborr trupat e pajetë të djemve të vet, viktimat e tragjedisë së ndodhur në kanionet e Skraparit.Edhe viktima e gjashtë, 17-vjeçari Xhulio Allko, ishte me origjinë nga ky fshat, por familja e gjimnazistit ishte shpërngulur pak kohë më parë në qytetin e Çorovodës. Djemtë merreshin me nxjerrjen e pllakave të gurit, si i vetmi mjet mbijetese për familjet e tyre. Tre prej tyre ishin djem të vetëm. Trupat e tyre të pajetë janë nxjerrë vetëm paraditen e djeshme, të shpërndarë nëpër shkëmbinj, në një terren tepër të thepisur e të mbuluar me shkurre.
Aksidenti, shoferi mbante borinë e ndezur
Askush nuk di të thotë se çfarë ndodhi në ato momente kur fuoristrada “Mistubishi Pajero”, me targa angleze, doli nga rruga nga një lartësi prej 150 metrash, për të shënuar dhe aksidentin fatal. Nga dëshmitë që ka siguruar grupi hetimor, 17-vjeçari Allko ishte ngjitur me motor në fshatin Grepckë për të thirrur shokët e tij. Ai ka lënë motorin aty dhe bashkë me pesë djemtë e tjerë janë ngjitur në makinën e Vladimir Dulellarit për të vazhduar udhëtimin drejt qytetit të Çorovodës, rreth 4.5 kilometra larg. Pasi kanë bërë gjysmën e rrugës, përballë fshatit Çerenishtë makina doli nga rruga. Rreth 100 metra, një makinë tjetër ka pikasur fuoristradën që po vinte përballë me dritat e ndezura dhe me bori të fortë. Të njëjtën dëshmi ka dhënë dhe një bari nga fshati përtej. “Boria e fortë që po vazhdonte për një kohë të gjatë më tërhoqi vëmendjen. Pashë përballë dhe një makinë kur po kapërcente një prej kthesave të rrugës mbi kanion e që doli papritur nga rruga”, ka qenë dëshmia e bariut, që konfirmohet dhe nga udhëtarët e makinës tjetër. Humbje e kontrollit në rrugën rurale, jashtë çdo standardi, e cila rezulton me çakull. Ka mbetur mister fakti pse drejtuesi 26-vjeçar po i binte borisë pa pushim, nëse e ka bërë këtë për të paralajmëruar nëse vinte përballë ndonjë makinë dhe nuk kishte mundësi shpëtimi apo ndonjë arsye që nuk dihet ende. Dyshimet e para flasin për një hutim të drejtuesit, ndërsa ecte në një rrugë tepër të rrezikshme dhe në kushtet e errësirës së mbrëmjes. Mendohet se të rinjtë po shkonin të luanin kalçeto, pasi një fushë minifutbolli ndodhej në të hyrë të qytetit.
Operacioni i nxjerrjes së gjashtë viktimave
Rreth 12 orë ka zgjatur operacioni për nxjerrjen e trupave të pajetë nga humnera. Shefi i komisariatit të Skraparit, Fatmir Lleshi, ka qenë i pari që ka mbërritur në vend. Nisur nga terreni tepër i thepisur, është kërkuar ndihma e forcave të specializuara. Forca të policisë së Beratit, zjarrfikëseve të Çorovodës e më pas FNSH-ja e Fierit dhe RENEA mbërritën në vend. Është kërkuar ndihma e Federatës së Rafting-Albania si njohës të mirë të zonës ku ishte rrëzuar mjeti me 6 të rinj. Pak kohë pas aksidentit është mundur të zbritet në thellësi të humnerës. Makina e aksidentit ishte e ndaluar në rreth 70-80 metra nga rruga. Ajo ka rënë pingul për disa dhjetëra metra, për t’u copëtuar më pas nga goditjet me shkëmbinj. Pesë prej të rinjve kishin përfunduar në disa drejtime, ndërsa drejtuesi i mjetit është gjetur brenda tij. Menjëherë është arritur të bëhet identifikimi i tyre, pikërisht Vladimir Dulellarit, Fatjon Fekës, Xhulio Allkos, Eni Gurit dhe Edison Çukos. Asnjë shenjë jete nuk kishte prej tyre, ndërsa nuk po gjendej trupi i Drilon Gurit. Kryepolici i Skraparit, Lleshi, pohon se kërkimet kanë vazhduar deri në orën 03:30 të mëngjesit. Kjo, në kushtet e errësirës dhe fakti se terreni kushtëzonte lëvizjet e tyre, pasi rrezikohej që të binin gurë nga lartësitë. Kërkimet rinisën në orën 05:00 të mëngjesit, bashkë me dy alpinistë italianë që ndodheshin aty për të eksploruar zonën. Brenda 30 minutash u gjet dhe trupi i pajetë i Drilon Gurit. Me anë të litarëve është bërë tërheqja e trupave të gjashtë viktimave me barela drejt lartësisë e më pas drejt morgut të spitalit. Operacioni zgjati deri në orën 10.30, kur dhe viktima e fundit u ngrit lart, në sy të familjarëve të tyre, të tmerruar nga fati i fëmijëve.
I afërmi i 17-vjeçarit: Fatkeqësi e madhe

SKRAPAR – Selman Allko, i afërm i 17-vjeçarit Xhulio Allko, ka ndjekur nga afër të gjithë operacionin për nxjerrjen e trupave pas aksidentit tragjik.
Si e mësuat lajmin e aksidentit të rëndë?
Isha në shtëpi kur më njoftuan se ka ndodhur një aksident i rëndë, pasi një makinë ka përfunduar në greminë. Me shpejtësi shkova pranë vendit të ngjarjes. Aty pashë makinën që kishte mbetur mes shkëmbinjve. Menjëherë pyeta se kush udhëtonte me këtë makinë. U befasova kur e pashë në atë gjendje makinën dhe dyshova se ata që ndodheshin brenda të kishin shpëtuar.
Kishit njohje me ndonjërin prej viktimave?
Po, njihja Xhulio Allkon. E kam njeriun tim. Ishte djalë shumë i mirë dhe inteligjent. Mësonte në shkollën e mesme të qytetit. Kur mësova se ai kishte përfunduar në fund të greminës, jam tronditur shumë. Por, kaq paska qenë e shkruar që të jetonte. Është një fatkeqësi e madhe si për familjen tonë, edhe për të gjithë fshatin. U mundova së bashku me bashkëfshatarët e mi dhe policinë për t’i ndihmuar ata, por ishte e kotë pasi errësira nuk na lejonte.
Sipas jush, pse ndodhi aksidenti?
Ata po zbrisnin në Çorovodë nga rruga e keqe. Nuk e dimë se çfarë ka ndodhur tamam, por dimë që kanë dalë nga rruga papritur, pasi kanë humbur kontrollin e makinës.
Makina
Ka mbetur në humnerë makina e aksidentit tragjik. Cilësohet operacion tejet i vështirë ai i nxjerrjes së mjetit “Mistubishi” ku udhëtonin 6 të rinjtë. Nga të dhënat e para të ekspertëve autoteknikë, shkak i aksidentit ka qenë humbja e kontrollit nga drejtuesi i automjetit, Vladimir Dulellari. Ky i fundit ishte i pajisur me dëshmi aftësie për drejtim automjeti.
Nga analizat e kryera, policia hedh poshtë faktin që drejtuesi apo viktimat e tjera të kishin konsumuar alkool. Segmenti rrugor Çorovodë-Grepckë, ku ka ndodhur ky aksident i rëndë, është i pashtruar dhe i kalueshëm vetëm me mjete të larta.
Rafting
Një ndihmë të madhe kanë dhënë pas aksidentit të rëndë specialistët e Federatës Shqiptar të Rafting-ut. Sekretarja e përgjithshme, Rovena Ago, pohoi dje për gazetën se sapo u kërkua ndihmë nga policia, një mjet lundrues dhe një grup i specializuar për lundrim në kanionet e Osumit, bashkë me presidentin e tyre Zamo Spathara, u nisën drejt vendngjarjes. Ata këqyrën me anë të një gomoneje zonën nga uji, pasi fillimisht u hodh ideja e transportimit të viktimave nga poshtë humnerës. Vetëm me zbardhjen e ditës u gjet si mënyrë më e përshtatshme nxjerrja e tyre me anë të një litari.
Viktimat
1-Fatjon Feka, 23 vjeç, nga fshati Grepckë
2-Vladimir Dulellari, 23 vjeç, nga fshati Grepckë
3-Eni Guri, 21 vjeç, nga fshati Grepckë
4-Xhulio Allko, 19 vjeç, banor në Çorovodë
5-Edison Çuko, 26 vjeç, nga fshati Grepckë
6-Drilon Guri, 24 vjeç, nga fshati Grepckë











