
Dy persona humbën jetën tragjikisht në një aksident të rëndë që ndodhi dje rreth orës 07:30, në pikën më kritike të aksit Kukës- Krumë.Viktimat janë shtetasit Shaqir Matmuja, 40 vjeç nga Kukësi, baba i dy fëmijëve dhe Ilir Muça, 30 vjeç nga Kukësi, por banues në Durrës, punonjës i Policisë Ushtarake të këtij qyteti. Ata humbën jetën kur autovetura e tyre tip “Toyota”, e drejtuar nga Muça, me targë TR 2516 I, doli nga rruga dhe ra poshtë në humnerë 300 metra. Policia bëri të ditur se ngjarja e rëndë ndodhi në segmentin në mes të fshatrave Myç të Hasit dhe Qafë Tobli, 7 km larg qytetit të Kukësit.
Gjatë rrokullisjes, autovetura ka nxjerrë trupat e dy viktimave. Por, për shkak të terrenit të vështirë, janë dashur rreth tre orë derisa trupat e tyre të nxirren në rrugë nga forcat e policisë dhe zjarrfikësit. Specialistë të qarkullimit, të cilët ishin dje në vendin e ngjarjes, thanë se është e vështirë të shpjegohet se si makina ka lënë korsinë e saj. Sipas gjurmëve të rrotave, mjeti ka dalë në krahun tjetër duke prerë drejt e në humnerë. Asfalti ka një gjerësi 4.5 m dhe po kaq harku i zgjeruar i rrugës, ndonëse sapo të dalësh prej vendit të ngjarjes rruga ngushtohet në 2.5 m e gjitha. Madje, në cepin e shkëmbit ndodhej një frashër, por makina e ka vënë poshtë pemën dhe më pas ka përfunduar në greminë. Lodhja dhe gjumi që mund të ketë zënë në atë moment drejtuesin e mjetit, është pista kryesore e hetimit, Por, ekspertë të grupit të hetimit bënë të ditur se po hetohet edhe për defekte të rëndë të makinës apo ndonjë përkeqësim i papritur i shëndetit të shoferit. Sipas ekspertizës, makina ishte në krahun që të çon për në Krumë ngjitur më shpatin e malit, dhe jo në drejtimin tjetër që është nga humnera. Përjashtohet dhe shpejtësia e madhe, pasi vendi ku ka ndodhur ngjarja nuk të linte mundësinë e shpejtësisë. Hetimet tregojnë se dy viktimat kishin punuar gjatë natës nëpër disa pika lojërash fati në Durrës dhe më pas ishin nisur për në Has, ku kishin një të tillë me qira. Ata nuk janë ndalur në Kukës fare. Prej disa kohësh viktimat kishin hapur disa pika bastesh me qira në Durrës, por edhe në Kukës dhe në Krumë, ku qëndronte vëllai i Matmujës për ta administruar.











