Makina e vrasësve të Loshit ishte grabitur në kryeqytet

Jun 7, 2012 | 15:15
Makina BMW, ku u vra Elvis Dedej në Durrës

Mjeti që u përdor për vrasjen e 36-vjeçarit Elvis Dedej (Habili) nga Kavaja rezulton të jetë vjedhur dy muaj më parë në kryeqytet. Ekspertët e Policisë, të cilët po punojnë për mbledhjen e provave që do t’i ndihmojnë të zbardhin krimin mafioz te Shkëmbi i Kavajës, thanë se gjatë këqyrjes së mjetit tip “Nissan” që është përdorur nga autorët gjatë atentatit, nuk u gjet asnjë provë që mund të çojë në identifikimin e tyre. Hetuesit pohuan se mjeti me targa të Kosovës është djegur tërësisht, ndërsa u identifikua vetëm nga numri i shasisë, pasi targat nuk rezultojnë të jenë të tijat. Burime brenda Policisë bënë me dije që në ngjarje kanë marrë pjesë tre-katër persona dhe se viktima është qëlluar nga dy armë, që paraprakisht dyshohet të jenë pistoleta. Mësohet se mjeti tip “BMË” që drejtohej nga 36-vjeçari me nofkën “Loshi”, është qëlluar shumë herë në të dyja anët e tij, sidomos në dritaret e dyerve të para. Drejt viktimës u derdh një duzinë plumbash, por sipas ekspertëve ligjorë dy prej tyre kanë qenë fatalë, pasi i kanë shkaktuar vdekjen në vend Dedajt. Nga ana e tyre blutë kanë shoqëruar në ambientet e policisë mbi 20 persona që dyshohet të kenë dijeni mbi krimin. Pjesë e shoqërimeve janë bërë të afërm të viktimës, shokë të tij, si dhe qytetarë të ndryshëm që rastësisht u ndodhën në vendin e ngjarjes në momentin e krimit, të cilët pasi dëshmuan për çka dinin, janë lënë të lirë. Elvis Dedej (Habili) rezultonte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Drejtësia belge e akuzon për trafik ndërkombëtar droge. Duke qenë se Elvis Dedej prej shumë vitesh jetonte jashtë vendit, Policia e Durrësit u ka kërkuar homologëve të tyre belgë dhe holandezë të sjellin të dhëna në lidhje me aktivitetet dhe jetën e të kërkuarit nga Interpoli. Policia mendon se viktima i ka njohur personat që kanë qëlluar mbi të, prandaj edhe autorët janë larguar vetëm pasi janë siguruar se ai kishte vdekur. Përveç rrugëve të tjera që policia po ndjek për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve, pritet që telefoni i viktimës të jetë pjesë e rëndësishme në hetim. Të gjitha materialet e mbledhura deri më tani nga policia të çojnë në përfundimin se Elvis Dedej është ekzekutuar për çështje droge. Gjatë këqyrjes së viktimës, atij iu gjet në brez një pistoletë tip “Glock” me kalibër 9 mm, me 7 copë fishekë dhe një thikë. Tashmë policia është në pritje të rezultateve të përpunimit e ekzaminimit të provave materiale të grumbulluara në vendin e ngjarjes.
Krimi i rëndë që tronditi qytetin bregdetar ndodhi pasditen e së martës në rrugën dytësore Golem-Plepa, në afërsi të vendit të njohur si Shkëmbi i Kavajës. Autorët, ende të paidentifikuar, i kishin zënë pritë viktimës që udhëtonte në një makinë luksoze.

Enigmë dhe vrasja e biznesmenit kosovar
Mesnatën e 31 majit u qëllua për vdekje në një atentat shtetasi kosovar Skënder Spahia. Ai po parkonte makinën në zonën e Shkëmbit të Kavajës, aty ku kishte blerë një apartament, kur u qëllua nga dy persona. Plumbat i shkaktuan vdekjen e menjëhershme, ndërsa shpëtoi pa asnjë plagë gruaja e tij bullgare. Pas 1 jave nuk ka të dhëna për autorët e krimit të Spahisë.

DURRES/ LEONIDHA MUSAJ

© Panorama.al

Te lidhura