Makina aksidenton dy kalimtare

Jul 30, 2012 | 13:24

TIRANE – Dy gra, 50 dhe 43-vjeçare, janë plagosur rëndë pasditen e djeshme pasi janë përplasur nga një automjet që lëvizte me shpejtësi në afërsi të Kthesës së Kamzës në Tiranë. Ngjarja ndodhi rreth orës 16:00, kur dy kalimtaret, kushërira me njëra-tjetrën, pas një vizite tek një e afërmja e tyre kanë qenë duke u kthyer për në shtëpi dhe po kalonin rrugën për të pritur autobusin e Institutit Bujqësor. Në momentin që ato kanë qenë duke kaluar nga njëri krah i rrugës në tjetrin, një automjet që lëvizte me shpejtësi nga Kamza në drejtim të qendrës së Tiranës i ka përplasur të dyja dhe pa ndaluar që t’u jepte ndihmën e parë është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes. Një autoambulancë ka transportuar dy të plagosurat në Spitalin Ushtarak, ku mësohet se e kanë kaluar rrezikun për jetën.

© Panorama.al

Te lidhura