SHKODER – Aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një 21-vjeçari nga Ulqini, ndodhi në aksin Lezhë-Shkodër. Sipas Policisë, ngjarja ndodhi rreth orës 00:45 në vendin e quajtur Kryebushat. Viktima Altin Kurti ka qenë në drejtimin e një automjetit tip “Golf V” me targa të Ulqinit, kur ka humbur kontrollin duke dalë nga rruga dhe rrokullisur disa herë. 21-vjeçari Kurti, djali i xhaxhait të liderit të Vetëvendosjes në Kosovë, Albin Kurti (edhe ky i fundit është me origjinë nga fshati Sukobinë i Malit të Zi), ishte duke u kthyer nga Tirana në drejtim të shtëpisë së tij në zonën e Ulqinit. Sapo i është afruar Kryebushatit, në afërsi të kthesës për në rrugën e Mjedës, ai ka humbur kontrollin e mjetit e për pasojë është përplasur fillimisht me mbrojtëset anësore të rrugës dhe më pas mjeti ka dalë nga rruga duke u rrotulluar disa herë, derisa është ndalur në një arë poshtë rrugës. Kanë qenë kalimtarët e rastit dhe banorët, të cilët kanë shtëpitë aty afër që kanë dëgjuar zhurmën e përplasjes, të cilët i kanë dhënë ndihmën e parë dhe e kanë dërguar në spitalin e Shkodrës. Por ai ka gjetur vdekjen disa minuta më pas. Dyshohet se shkak i ngjarjes ka qenë shpejtësia. Në momentin e përplasjes, shigjeta e kilometrazhit të mjetit ku ndodhej Kurti, është fiksuar mbi 150 km në orë. Dyshohet se mund të ketë qenë një përgjumje e drejtuesit të mjetit, më pas edhe nga shpejtësia e madhe, shkak që mjeti të devijojë rrugën. r.d











