
Anëtari i Kryesisë socialiste, Pandeli Majko, i pranishëm në kampin veror të Jalës mes të rinjve të Forumit Rinor Eurosocialist, e cilësoi shkarkimin e kreut të SHISH-it si të qëllimshëm. “SHISH ishte institucioni i fundit, drejtuesi i të cilit nuk ishte ndryshuar nga viti 2005. Me dekretimin nga Presidenti i Republikës të ish-zëvendësit të Gazidedes, para vitit ‘97, ne kemi një histori shtetërore, e cila që nga maja deri në fund është kthyer në një institucion monokratik, nën urdhrat e një njeriu. Ne themi që kemi një Republikë Parlamentare, kemi një President, kemi një Gjykatë Kushtetuese, kemi Gjykatë të Lartë, kemi institucione të pavarura, por në terma konkretë, për fat të keq, edhe me veprimin e sotëm, ne duhet t’i themi vetes që ky vend është nën urdhrat e një njeriu. Nën urdhrat e një njeriu, i cili, në fakt, nuk është duke bërë një gabim. Sepse, në disa raste, gabimi vjen nga padija, në disa raste gabimi vjen nga interesa të caktuara politike, por për rastin e Kryeministrit aktual kjo është një histori e përsëritur. Një histori e përsëritur nuk mund të jetë gabim”, tha Majko. Të rinjtë, të pranishëm në këtë bashkëbisedim, kërkuan të dinin më tepër rreth qëndrimit të PS-së për çështjen e imunitetit, duke thënë se ata që kanë frikë nga heqja e imunitetit janë ministrat dhe qeveritarët. Sipas tij, maxhoranca po e kërkon me forcë heqjen e imunitetit, sepse ka nën varësi të gjitha hallkat e rëndësishme të shtetit. “Ajo që duhet të na shqetësojë më shumë është: ore, po ç’janë këta qeveritarë që nuk kanë frikë? Sepse, realisht, sot çjerrja më e madhe për këtë çështje është nga qeveritarët që thonë se s’kemi frikë, hajde na hetoni! Problemi është shumë i thjeshtë, sepse sot jetojmë në një vend ku gjykatësit, prokurorët, sot edhe kryetarin e SHISH-it, edhe Presidentin para disa javësh, i emëron një parti”, tha Majko. Socialistët janë akuzuar nga Partia Demokratike se duan që përmes ruajtjes së imunitetit të mbrojnë deputetët biznesmenë të tyre, të cilët përfitojnë në bizneset e tyre, që nga doganat e deri te tatimet. Por, socialistët, të cilët janë shprehur pro kufizimit të imunitetit, kërkojnë dhe një reformë të plotë në Drejtësi, ku gjyqtarët e lartë dhe prokurori i Përgjithshëm të zgjidhen me shumicë të cilësuar.
ARISTIR LUMEZI











