Majko: Po tentohet manipulim i ri zgjedhjesh

Jun 19, 2012 | 13:41
Pandeli Majko

Anëtari i Kryesisë socialiste, Pandeli Majko, jep alarmin e manipulimit të ardhshëm të zgjedhjeve. Në një koment bërë në faqen e tij në Facebook, Majko kërkon zgjedhje të ndershme dhe të lira dhe jo sipas përcaktimeve të zgjedhjeve të 2009-s, bërë nga komuniteti ndërkombëtar. “Koment: Bëhen thirrje për të përmbyllur ‘reformën zgjedhore’…Sistemi zgjedhor në Shqipëri sa vjen dhe po kthehet në një kulturë mafioze manipulimi, e cila fillon që nga listat e zgjedhësve, falsifikimi i dokumenteve të identifikimit dhe blerja e votave… Me sa duket, po shkojmë sërish drejt zgjedhjeve ‘më të mira se ato të kaluarat’ dhe me vjedhje industriale brenda sistemit. Deri dje vidhej ‘kutia’, dhe sot evolucioni e ka zhvendosur vjedhjen ne ‘proces’…”, shprehet Majko në komentin e tij bërë në Facebook. Për dy herë ish- Kryeministër i Shqipërisë, në vend mungon zëri i shoqërisë civile dhe fuqia reaguese e sindikatave, të cilat i krahason me ato të Kinës së viteve ‘30. “Dhe çfarë është më e keqja, e gjithë kjo sot i ngjan më shumë humorit të hidhur, sesa një drame shoqërore së cilës i mungon protesta. Një shoqëri si e jona pa sindikata, me shoqëri civile si ajo e Shangait të viteve ‘30 dhe opozitë, të cilën analistokracia e vrerosur shqiptare e përdor si arsye të mosfunksionimit të gjërave në vend, po vrapon drejt mosnjohjes së vetvetes… 18 qershor 2012, Shqipërisë i është thyer pasqyra!”, shprehet Majko në reagimin e tij ndaj bllokimit të reformës zgjedhore.

© Panorama.al

Te lidhura