Anëtari i Kryesisë socialiste, Pandeli Majko, në një intervistë për “Vizion Plus” u shpreh se këshilltarët e PS në Këshillin Bashkiak të Tiranës nuk do ta bllokojnë atë siç bënin këshilltarët e PD pak muaj më parë. “Nuk besoj se do ketë përsëritje të historive që ne kemi mësuar rëndom t’i shikojmë nga opozita e dikurshme në Këshillin e Bashkisë së Tiranës. Nuk kemi pse në Bashkinë e Tiranës të bëjmë gjëra të cilat nuk na kanë pëlqyer kur i ka bërë opozita e dikurshme e Partisë Demokratike. Natyrisht, ne tani do të shikojmë një maxhorancë që do të këndojë këngën “Dallëndyshe ktheje ndryshe”, në sensin që do të kërkojë një sjellje që s’e ka bërë vetë. Por, besoj se fitorja e PS-së në qytetet, sidomos në qendrat kryesore të Shqipërisë dhe këtu unë përfshij edhe Tiranën, në thelb na ka dhënë një peshë të madhe të asaj që quhet vota e qytetarisë. Këtu unë nuk dua të shmang votën që marrim nga fshati, por dua të sensibilizoj atë që ka të bëjë me një kërkesë të madhe që kanë njerëzit për normalitet dhe qytetari të prodhuar nga politika. Nuk besoj se keni për të parë gjëra që dikur i ka bërë PD, t’i kthejë në të njëjtën monedhë PS”, u shpreh Majko. I pyetur për kursin e ri të PS, Majko tha se do të jetë Kongresi i PS që do të përcaktojë çdo gjë. “Ne do të kemi Kongresin e partisë të radhës, i cili pa diskutim do të diskutojë me seriozitet një varg problematikash dhe mënyrën sesi ne do t’i përgjigjemi brenda të mundshmes asaj që po ndodh, jo vetëm në opozitë, por në gjithë shoqërinë shqiptare. Do të jetë një kongres që do të përcaktojë shumë nga ato të cilat në një mënyrë apo në një tjetër, që në këtë kohë pushimesh njerëzit janë dhe nuk janë të interesuar, t’i dëgjojnë nga goja e politikanëve”, u shpreh Majko.











