Majko: Ky koktej s’përfaqëson historinë e PS

Jun 13, 2011 | 10:49
Xhafaj, ahmetaj e majko

Ish-kryeministri Pandeli Majko u shpreh dje në 20-vjetorin e krijimit të PS-së, se ky përvjetor është një mirënjohje për njerëzit më të mirë që ka kjo parti. Sipas Majkos, mungesat në këtë përvjetor nuk kanë në bëjnë me atë që vlen për historinë e kësaj partie, por vetëm me një moment të caktuar të saj. Sipas tij, është normale që ka pasur debate të brendshme, duke e cilësuar Partinë Socialiste si një ndër më liberalet. “Partia Socialiste i përket një prej partive më liberale të Shqipërisë. Sigurisht, ka debat të brendshëm dhe kjo ndodh. Mungesat nuk kanë të bëjnë me atë që vlen te historia e Partisë Socialiste. Ky është një koktej dhe ky koktej nuk përfaqëson historinë e PS, por një moment të saj. Sot, mirënjohja është për të gjithë ata që kanë dhënë më të mirën për Partinë Socialiste”, tha Majko për “Ora News”, i pyetur mbi mungesat e shumë themeluesve në këtë përvjetor. Ish-kryeministri foli edhe për situatën e krijuar së fundmi. Sipas tij, një shembull bashkëpunimi mes palëve ka qenë viti 1999, në kohën e luftës së Kosovës. “Ajo që është e nevojshme të reflektohet edhe në këtë 20-vjetor, është që demokracia nuk është një problem teknik dhe, pavarësisht se duhet të ketë disa parti të majta e të djathta, të ketë zgjedhje, qeveri, President, gjykata, sistem gjyqësor etj, në thelb kjo është ajo që duket, por brenda tyre duhet të lëvizë një energji e brendshme, një kulturë e të funksionuarit dhe kemi një handikap në këtë. Kjo vjen për shkak të mbylljes së etapës së parë të të kopjuarit të perëndimit, të kopjuarit e programeve etj dhe tani, përballë vetes dhe historisë, jemi para një brezi të ri që po kërkon një identitet të ri qoftë në politikë, qoftë në shoqëri. Mendoj se problematikat shfaqen edhe si një problem i mentaliteteve të gjeneratave. Të mos harrojmë atë që u quajt lëvizja e “Dhjetorit 90”. Në thelbin e vet, të asaj pjesës të padukshme të saj, kishte problemin e gjeneratës, sepse ishte përballë një gjenerate te vjetër që duhet të hapte rrugë. Mendoj se në politikë nuk është se këto ndodhin një herë dhe nuk përsëriten më. Është rasti të kujtojmë që në qershor të ’99-s realizuam një histori, që breza të tërë politikanësh dhe atdhedashës, në Kosovë e Shqipëri, kanë punuar. Kjo do të thotë se historia punon. Duket sikur stacionet nganjëherë kanë të bëjnë me rastësinë, por në fund të fundit kjo është historia. Nuk mund ta parashikosh”, tha Majko.

© Panorama.al

Te lidhura