
Anëtari i Kryesisë socialiste, Pandeli Majko, reagoi dje në rrjetin social “Facebook” rreth ndryshimit të betimit të Xhandarmërisë serbe. Në një refleksion të shkruar në adresën e tij, Majko shprehet se betimi ushtarak i Xhandarmërisë serbe nuk është ndryshuar pa qëllim. Ai e ka cilësuar atë thellësisht destabilizues e luftënxitës. Majko vijon më tej, duke i cilësuar këto betime si “pararojë” e politikës zyrtare të një shteti që dëshiron ndryshim kufijsh. “Lexova për ‘ndryshimin’ e Betimit të Xhandarmërisë serbe. Lexova edhe një reagim të mjegullt të ish-ministrit të Brendshëm dhe sot Kryeministër i Serbisë, Daçiç, që e kundërshtonte atë. Sipas eksperiencës të atyre që duan të kuptojnë, betimi ushtarak nuk është një refren muzike, i cili ndryshohet apo i mohohet autorësia… Është BETIM i cili rrëzohet vetëm duke e ribërë me të njëjtën procedurë. Sot, ne kemi elitën e Forcave të Armatosura të Serbisë me një betim, i cili në terma real është thellësisht destabilizues e luftënxitës. Betime të tilla janë “pararojë” e politikës zyrtare të një shteti që dëshiron ndryshim kufijsh. KUJTESË, për ata që nuk kanë. Një nga hapat që Adolf Hitler hodhi në ndërtimin e shtetit nazist ishte NDRYSHIMI i betimit ushtarak për “besnikëri ndaj Fyhrerit”… pastaj erdhën tragjeditë e tjera, të cilat patën edhe pyetjen “Po si ndodhi kështu?!”, shkruan Pandeli Majko.











