Anëtari i Kryesisë socialiste, Pandeli Majko, e sheh debatin për një koalicion të mundshëm me LSI-në si një çështje që nuk i takon PS-së, por LSI-së. Sipas tij, LSI është pjesë e koalicionit qeveritar dhe ky debat i forcon asaj pozitat në këtë koalicion. Majko jep qëndrimin e tij për ndryshimet kushtetuese.
Sipas tij, sistemi zgjedhor mund të rishitet, pasi ai favorizon vetëm PD-në, ndërsa një president nga populli e shikon si një prishje të funksionimit të republikës parlamentare.
Faktori ndërkombëtar, në mënyrë të përsëritur ka kërkuar nisjen e dialogut politik duke filluar me bërjen e një reforme të plotë zgjedhore, e cila do t’u japë përgjigje të gjitha defekteve dhe keqinterpretimeve të Kodit. Përse ky ngurrim për të mos u ulur në tryezën e bisedimeve kur rezultati final i zgjedhjeve tani është një realitet edhe ligjor?
Nuk e di çfarë konsiderohet si “ngurrim”… Jemi në periudhë pushimesh dhe kjo nuk ka të bëjë me ngurrimin. Ky është një vakum që përsëritet çdo vit në këtë periudhë të vitit dhe që mbushet me të qena e të paqena. Për negociatat e një krize politike dhe ekonomike në vend, pa dyshim që duhet edhe një reflektim. Për më tepër, jemi pas zgjedhjeve më “transparente” sipas qeverisë dhe më qesharaket sipas opozitës… Të dyja palët nuk mund të bëjnë si dy miq të lumtur që takohen për pushimet e verës me rroba plazhi në bregdet dhe “dialogojnë” për të ardhmen… Nuk quhet “ngurrim” për dialog një kërkesë e cila do durim dhe seriozitet për të mos u kthyer në një limonadë vere. Shpresoj që shtatori ta gjejë secilën palë me qëllimet e veta përballë njëra-tjetrës.
Nisja e sesionit të ri parlamentar premton një kurs të ri politik të PS-së. Duhet parë kjo si reflektim ndaj qëndrimit të bojkotit dyvjeçar të Kuvendit?
Jo! Kursi politik nuk përcaktohet nga një veprim administrativ si vajtja në Parlament. Ajo që besoj do të reflektohet është mënyra e re e veprimit në një situatë të re politike. PS nuk i ka fshehur qëllimet e veta. Opozita, edhe me çmimin e humbjes së Bashkisë së Tiranës ia arriti që të paraqiste shumë nga të vërtetat e veta përballë opinionit publik dhe sidomos institucioneve ndërkombëtare. Historia e manipulimit të votave në Shqipëri nuk konsiderohet më si një variant opozitar i të parit të zgjedhjeve në vend. Situata ka evoluar dhe qëllimet tona po ashtu.
Sipas mendimit tuaj, cilat do të jenë pikat kryesore të kursit të ri politik të PS. Do të votojë PS ligjet me shumicë të cilësuar, që janë kërkuar edhe nga faktori ndërkombëtar?
“Kursi i ri” nuk është një akt përuljeje thuajse ndjesë ndaj maxhorancës. Ne të shkojmë të votojmë dhe kaq. Kriza u zgjidh dhe të gjithë mund të marrin frymë të lehtësuar, gati-gati si për të thënë se në Shqipëri nuk ka ndodhur asgjë. Nuk besoj se ka për të filluar kështu.
Janë shprehur në mënyrë të përsëritur mendime në Grupin e PS-së, se prania e opozitës në Kuvend përballë maxhorancës aktuale duket si garniturë, e cila, në pamundësi të numrave, e bën të panevojshëm praninë e deputetëve të PS e duke mbështetur qëndrimin pro bojkotit të Parlamentit. Ka dëmtuar kjo negativisht imazhin e PS përballë elektoratit që e ka votuar?
Imazhi i një partie vlerësohet nga vota që merr. Aktualisht PS është partia më e madhe elektorale në vend, me një diferencë të cilësueshme nga vendi i dytë, që i takon simotrës PD. Imazhi është perceptim i momentit, ndërsa të kuptuarit e asaj që ndodh me vendin është prioritar. Imazhi i së majtës nuk është dëmtuar. Ai pluskon në një shoqëri që përbuz kirurgjinë për qetësinë dhe nënvlerëson recetat për kërkesën e të bërit jetë normale. PS është një fenomen interesant që asnjëherë nuk është aq e fortë sa duket dhe po ashtu asnjëherë nuk është aq e dobët sa duket.
Në mënyrë të përsëritur, Grupi Parlamentar i PS ka propozuar mocion shkarkimi ndaj kryetares së Kuvendit, por nuk është tërhequr për shkak të mungesës së votave. Do t’i rikthehet PS kësaj iniciative dhe cili do të jetë qëndrimi për Rregulloren e Kuvendit?
Nuk mund t’ju them ndonjë “lajm” për këtë. Pa dyshim që një dialog i mirëfilltë midis qeverisë dhe opozitës do të kërkonte rikthimin e normalitetit në Parlament dhe funksionimin e Rregullores së tij. Për të larguar zonjën Topalli?! Ajo ka në partinë e vet kundërshtarë edhe më të fortë sesa në opozitë.
Kreu i PS-së foli pak javë më parë për gabime me ndryshimet kushtetuese të prillit 2008. Para se të shkojmë në një platformë propozimesh, duhet të ketë një analizë ku të dalë përgjegjësia dhe kostoja politike e krijuar nga këto ndryshime që prishën dhe balancat mes pushteteve?
Nëse Presidenti do të kishte kompetencat e para 2008-s, vendi mund të kishte kaluar dhe në zgjedhje të parakohshme këto dy vjet, veçanërisht pas 21 janarit. Në ndryshimet kushtetuese të 2008-s, institucionit të Presidentit nuk i është hequr asnjë kompetencë. Ndryshoi vetëm mënyra fundore e zgjedhjes së tij nga me tre të pestat e votave në pesëdhjetë për qind plus një votë. Parimi i respektuar, sipas meje, ishte luajal. Një maxhorancë nuk mund ta ndërpresë mandatin për mosrealizimin e një shumice që nuk ka të bëjë me këtë mandat të saj. Kjo është logjika juridike deri këtu. Në planin moral preferoj një president me mandat të qartë, pa blerje deputetësh. Puna është se ne gjykojmë emrat, pastaj çfarë duam të ndryshojmë, dhe kjo e komplikon debatin dhe atmosferën që duhet për të diskutuar diçka kaq madhore siç është ligji themelor i Shqipërisë.
Sipas mendimit tuaj, cilat duhet të jenë çështjet që duhet të përfshihen në ndryshimet e mundshme kushtetuese? Mendoni se Presidenti duhet të zgjidhet nga populli, apo me shumicë të cilësuar nga Parlamenti? Mund të kemi rishikim të sistemit zgjedhor, një korrektim të tij, në proporcional kombëtar?
Pak shpejt për të folur tani për këtë. Çështja e mënyrës së zgjedhjes së Presidentit është, siç thonë në Shkodër, “me u marr Kola me punë”. Sipas meje, mënyra e zgjedhjes së Presidentit nuk ka asnjë reflektim në arbitrimin më të mirë të funksioneve kushtetuese nëse do të ishte në pyetje veç mekanizmi i zgjedhjes së tij. Çështja është më e thellë sipas meje, dhe kjo hap një debat të njohur në të drejtën kushtetuese për mënyrën e funksionimit të sistemit republikan, i cili do të jetë presidencial apo parlamentar. Referendumi i 1994-s e rrëzoi me votë të parin, siç pohoi po me votë në 1998-n të dytin. Problemi që ngrini në fund, ju jap të drejtë. Në ndryshimet kushtetuese të 2008-s opozita ra në psikozën e “post-Gërdecit”, ku marrja e pushtetit konsiderohej çështje e mbyllur dhe Berisha një “gjynahqar në ikje”. Këto ndryshime kushtetuese, së bashku me Kodin Zgjedhor, ndërtuan një sistem votimi, i cili është thuajse absurd. Matematikisht në Shqipëri, në 12 zonat zgjedhore të krijuara me këtë sistem, ato që vendosin për diferencën midis palëve në garë, pra për fitoren e vendeve në Parlament, janë zonat zgjedhore me numër “tek” deputetësh. Këto zona janë Shkodra, Durrësi, Lezha dhe Gjirokastra, të cilat me këtë sistem zgjedhor lënë në “hije” zonat e tjera. Në zonat zgjedhore me numër çift deputetësh, diferenca në bazë të këtij sistemi nuk realizohet thuajse fare (del barazim rezultati i ndarjes së deputetëve). Kjo ndodh sepse kërkohet një distancë e madhe votash për një palë nga tjetra për të pasur diferencë deputetësh e jo barazim. (Përjashtim bëri në zgjedhjet e kaluara vetëm Kukësi). Po t’i shtosh pastaj edhe mangësitë e regjistrimeve dhe “metodat” e njohura të dublimeve, kjo e bën situatën kolapsuese dhe me një mosbarazi të legjitimuar vote. Ky sistem që në tavolinë e vendos të majtën në pozitë të pabarabartë. Kjo, sipas meje, do të jetë një diskutim i rëndësishëm dhe nuk do çuditesha nëse maxhoranca politike ta refuzonte hapjen e një diskutimi të tillë. Është e kuptueshme.
Rezultati i Tiranës për kreun e Bashkisë, por dhe minibashkitë, përveç akuzave që ju ngrini ndaj KQZ-së dhe Kolegjit Zgjedhor, evidentoni dhe probleme me rikandidimin e Edi Ramës për mandatin e katërt apo dhe cilësinë e koalicionit opozitar?
Zgjedhjet e 8 majit ishin një betejë e rëndësishme politike për Partinë Socialiste, dhe jo vetëm për atë. Ajo e ballafaqoi shoqërinë shqiptare me një varg të vërtetash që shpesh na bën ta shohim qeverisjen e vendit nën optikën ironike të një “trusti lulelakre” të dramës “Arturo Ui”. Nuk mungon plaku Dok Zboru, as djegia e “magazinave të Shitit”, lloji i Xhivolës dhe Xhirit. A ka të meta opozita sot? Sa të duash ka! Por… ka një “por” të rëndësishëm për ne që kemi zgjedhur të jemi opozitarë në këtë kohë jo të lehtë që të mos e mbytim veten në gotën e ujit dhe të jemi më njerëz e pastaj politikanë për aq sa na takon përballë publikut, sigurisht. Ose të paktën të jemi të kujdesshëm për të kuptuar çfarë po ndodh në një vend ku ligjshmëria zëvendësohet nga forca në errësirën e së cilës ka vështirësi të dallohet “engjëlli” nga “djalli”…
Sistemi zgjedhor aktual kërkon aleanca të gjera sasiore dhe cilësore. Mendoni se në zgjedhjet e ardhshme mund të ketë një afrim të PS dhe LSI në një koalicion zgjedhor?
Kjo është një pyetje e pashmangshme, pa dyshim, në atë çfarë diskuton e majta për veten e vet. Fillimisht pas 2005-s unë kam qenë partizan i bashkëpunimit me LSI-në. Në paszgjedhjet e qershorit 2009, nuk e fsheh, më tronditi marrëveshja e saj me Berishën. E njoh Metën dhe e di ç’kokë më vete është. Në fakt, thellë-thellë, me ndryshimet kushtetuese të 2008-s të PS-së dhe PD-së, ishte e dukshme se sistemi zgjedhor i ri nuk donte të kishte “forcë të tretë” në mes. Meta e mori këtë si gjest të PSsë që drejtohej kundër tij, dhe kishte të drejtë. Kjo është e vërteta. Por le t’i lëmë këto. Aktualisht LSI është aleatja kyçe e qeverisë dhe aludime të një aleance PS-LSI veç forcojnë statusin e saj në trustin qeverisës. Rregullat e trustit qeverisës të çudisin për mënyrën si funksionojnë. Morali i brendshëm në koalicionin PD-LSI me njëri-tjetrin duhet të jetë nën vlerësimin, së pari, të atyre që e ushtrojnë atë. Mendimi im është se ne opozitarët nuk duhet të bëhemi pjesë e këtij standardi. Të paktën kaq! Nuk ka pse pritet ndonjë vendim i PS-së për LSI-në. Ajo që duhet të marrë një vendim, nëse ka një të tillë, është LSI-ja.
Ju jeni një nga themeluesit e FRESSH-it, nga i cili arritët deri në postin e Kryeministrit në një moshë fare të re, përgjegjësi e përmbushur me sukses dhe e vlerësuar dhe nga ndërkombëtarët për momentet historike që vendi kalonte në atë periudhë. Sa dëmtuese ka qenë për PS-në mosfunksionimi i FRESSH-it sot, forum i cili që prej 2005-s, përveçse një kontur mitingjesh, nuk ka sjellë asnjë risi në PS?
Mendoj se është një gjendje e përkohshme që nuk ka lidhje vetëm me eurosocialistët, por në përgjithësi me statusin e angazhimit politik të të rinjve. Ata, si dhe të tjerët, janë pjesë e një reflektimi social ndaj politikës edhe si profesion. Tek e fundit, është zgjedhje, pastaj edhe zgjidhje.
Zoti Malaj ka bërë disa propozime për modernizimin e PS-së. Mbështesni propozimin për kufizimin e mandateve (deri në 2) të të zgjedhurve të PS-së dhe ndarje të mandateve të deputetëve nga drejtues të degëve të PS-së?
Kjo puna e ndarjes së mandateve ka tek unë personalisht një “inat të vjetër”. Në kongresin e 1998-s, nga ndarja e mandateve dhe në 2002-shin, nga bashkimi i tyre, unë kam dhënë dorëheqjen si kryeministër për një lojë rregullash “llastik” ku jam përpjekur të kem opinionin tim të pandryshuar. Unë nuk e kam ndryshuar ende atë. Në zhvillimet e brendshme PS dallon nga PD siç dallon grindja politike nga luftërat ambicioze të heshtura të frikës. Krizat politike, gjithsesi, mbartin rrezikshmërinë e përzierjes në politikë të njerëzve të paditur, por në çdo rast, ashtu si krizat ekonomike, ato një nga funksionet e veta kanë të zbulojnë atë që nuk kanë gjetur “ekonomistët”. Debatet në parti janë të nevojshme për të mos e larguar atë nga qëllimi i funksionimit mbi bazën e parimeve dhe pikëpamjeve politike. Skena politike, jo vetëm në Shqipëri, është nën rrezikun e ndërtimit të partive mbi baza personale, të cilat historikisht degjenerojnë në organizata të ligjshme mafioze që nuk ngjallin respekt dhe nuk ofrojnë asnjë alternativë me përmbajtje. PS ka sot përgjegjësi të madhe në ndërtimin edhe të modelit të funksionimit politik të brendshëm të saj. Por mos prisni të ndodhë mrekullia. Jam partizan i së mudshmes. Për më shumë, me mikun tim Malaj do të diskutoj në grupin e punës.
Cili është mendimi juaj për futjen në konkurrim brenda PS përmes “një anëtar, një votë” të kandidaturave për deputetë, për kryetarë bashkish dhe komunash, por dhe për këshilltarë, për të shmangur influencën e një forumi, siç është Kryesia apo Asambleja e për t’ia dhënë këtë atribut anëtarësisë?
Tema është interesante. Mendoj se ia vlen të shikohen modelet ekzistuese, të cilat funksionojnë në Europë, por edhe përputhen me praktikën shqiptare të të kuptuarit të tyre për të mos i deformuar më vonë. Do të kemi kongres interesant.
Nisur nga deklarimi i pasurive të deputetëve rezulton se në listën e deputetëve miliarderë të Kuvendit, shumica i përket PS. E dëmton kjo imazhin e partisë përballë elektoratit të majtë dhe si e shihni raportin mes politikës dhe biznesit?Duhet riparë dhe përcaktuar në statut një gjë e tillë?
Nuk mendoj se “miliarderët” e PS janë domethënie politike e asaj që ne duam t’i ofrojmë së ardhmes në pushtet. Sot jetojmë në një kohë që të jesh “i pasur” ndihesh keq kur në fakt duhet të ndodhte e kundërta. Fenomeni i “milarderëve” në PS përfaqëson faktin e individëve, të cilët kanë një emër të vlerësuar në publik dhe pastaj ato që kanë deklaruar një pasuri të tyre. Unë do t’i ruhesha së kundërtës. Dhe, me që ra fjala, sa pronarë të vjetër, ish-të burgosur politikë apo përfaqësues dinjitozë të biznesit ka partia që e konsideron veten të “djathtë”?! Përgjigjja është e trishtë dhe pjesë e arsyes për gjërat e çuditshme që ndodhin në vendin tim dhe tëndin. Kaq!
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











