Magjistratura, për herë të parë vlerësim elektronik

Sep 14, 2012 | 11:44

Mariana Semini

Flet drejtoresha Mariana Semini. Si do zhvillohet konkursi.

“Nga privatët kanë fituar vetëm të diplomuarit e universitetit ‘Luarasi’”

Për herë të parë korrigjimi i testeve për t’u pranuar në Shkollën e Magjistraturës do të bëhet në mënyrë elektronike. Provimi për fazën e parë të pranimit do të zhvillohet në datën 17 shtator. Janë 70 kandidatë që konkurrojnë për 8 vende si gjyqtarë. Për prokurorë nuk do të ketë konkurs. Drejtoresha e Shkollës së Magjistraturës, Mariana Semini, në intervistën e saj për gazetën sqaron se është drejt përfundimit hartimi i tezave dhe fondi i pyetjeve. Ajo pohon se konkursi është i hapur si për studentët nga universitetet publike, ashtu edhe për privatët. Deri tani, të vetmit që kanë arritur të kualifikohen nga këto shkolla janë të diplomuarit nga universiteti “Luarasi”.
Zonja Semini, për pak ditë zhvillohet konkursi për t’u pranuar në Shkollën e Magjistraturës. Sa është numri i kandidatëve dhe a do të ketë ndryshime këtë vit procedura e pranimit?
Konkursi i pranimit në Shkollën e Magjistraturës është në dy faza. Testi për fazën e parë bëhet më 17 shtator. Shkolla përgatit fondin e pyetjeve. Janë rreth 3000 të tilla për 9 fusha. Kandidatët testohen për inteligjencën, psikologjinë, gjuhën shqipe, si dhe elemente bazike të fushës juridike. I gjithë testi ka 100 pikë dhe çdo pyetje vlerësohet me 1 pikë. Për këtë vit kemi një risi në mënyrën si do korrigjohen testet. Për herë të parë, kandidatët do të jenë prezentë gjatë vlerësimit.
Si do të funksionojë kjo skemë vlerësimi?
Kontrolli i teksteve do të bëhet me një aparaturë të veçantë dhe metodologjinë scantron. Që do të thotë, në mënyrë elektronike do të bëhet konvertimi i përgjigjeve të sakta me ato që ka dhënë kandidati. Rezultatet do të shpallen menjëherë pas mbylljes së testimit në prezencë të tyre.
Sa pikë i duhen minimalisht një kandidati për t’u pranuar në Shkollën e Magjistraturës, për të kaluar në fazën e dytë të konkursit?
Minimalja e pikëve që duhen për të kaluar në fazën e dytë është 60. Pra, kanë të drejtë të vazhdojnë garën të gjithë ata që grumbullojnë kaq ose më shumë pikë.
Më tej, si bëhet përzgjedhja?
Është një test tjetër, të cilit i nënshtrohen kandidatët. Ky test ka rreth 450 pyetje për 5 fusha teorike dhe 2 praktike. Për të fituar të drejtën e studimit kandidati duhet të grumbullojë 60% të pikëve të totalit të pyetjeve të testit.
Kryesisht kandidatët janë nga universitetet publike apo private? Pasi ka zëra që ka një lloj diskriminimi në përzgjedhjen e fituesve, preferohen të parët.
Për pjesën e kandidatëve, di t’ju them se kemi si nga universitetet publike, ashtu edhe nga universitetet private. Fillimisht kishim vetëm nga publikët, pasi siç e dini pranohen vetëm ata që kanë përfunduar me mesatare 8 e lart. Por, vitet e fundit ka pasur konkurrentë edhe nga privatët. Numri i fituesve, pavarësisht pjesëmarrjes, ka qenë minimal. Deri tani, të vetmit që kanë fituar konkursin nga një institucion arsimor privat i arsimit të lartë janë të diplomuarit e universitetit “Luarasi”.
Në një konferencë të disa muajve më parë, ju jeni shprehur se niveli i konkurrenteve në Shkollën e Magjistraturës është shumë i ulët, një deklaratë që na bën të dyshojmë akoma më shumë për nivelin e juristëve të rinj…
Dua ta sqaroj atë deklaratë, sepse në media u deformua, u pasqyrua sikur kandidatët me zor merrnin 60% të pikëve. Bëhet fjalë për fazën e dytë dhe të marrësh mbi 60% të pikëve nga një total prej 450 pyetjesh nuk është pak. Ajo çka kam deklaruar ka lidhje me nivelin e brezit të ri pa diskutim, por në një tjetër këndvështrim. Ne pranojmë studentë me mesatare mbi 8 dhe vjet nga 280 kandidatë që konkurruan në fazën e parë, 2/3 e tyre që në fazën e parë të konkursit dolën me pikë minimale, prandaj këtu kemi një mospërputhje rezultatesh. Nuk mjafton mesatarja e shkollës së lartë, duhet punuar në drejtim të cilësisë së arsimit të lartë.

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura