LZHK i heq PD-së Këshillin Bashkiak

Jun 24, 2011 | 11:12
Kryetarja e re e Këshillit Bashkiak në Berat, Valbona Zylyftari

Vota e LZHK-së në favor të Aleancës për të Ardhmen i merr postin e kryetarit të Këshillit Bashkiak Partisë Demokratike.Dje u bë konstituimi i Këshillit të Bashkisë së Beratit, ku fituese doli kandidatja e aleancës së majtë, Valbona Zylyftari. Mbledhja, që u bë në ambientet e bibliotekës “Vehxhi Buharaja”, kishte si qëllim pikërisht marrjen e mandateve të këshilltarëve të ri dhe zgjedhjen e kryetarit të Këshillit Bashkiak, post i cili gjer dje mbahej nga e djathta. Në këtë takim merrte pjesë edhe prefekti i Beratit, Bujar Hoxha. Këshilli i ri Bashkiak përbëhet nga 35 anëtarë, nga të cilët: Aleanca për të Ardhmen ka 17 anëtarë, Aleanca për Qytetarin 17 anëtarë, ndërsa LZHK-ja, e cila nuk bën pjesë në këto dy aleanca politike, ka forcën e një kartoni. Të ndara në forca politike, Partia Socialiste ka 12 anëtarë në Këshillin Bashkiak, ndërsa numrin tjetër e plotësojnë forca politike që bëjnë pjesë në këtë aleancë. Partia Demokratike ka 8 anëtarë në Këshill, LSI-ja 5 anëtarë, Partia Republikane një anëtar, ndërsa numri tjetër plotësohet nga aleatët. Para fillimit të votimit për zgjedhjen e kryetarit të Këshillit, prefekti i Beratit, Bujar Hoxha, i bëri një rezyme fushatës elektorale dhe zgjedhjeve në këtë qark. Ai u shpreh se zgjedhjet e 8 majit ishin brenda parametrave europianë, ndërsa përfunduan pa asnjë incident. “Kjo tregoi se ky qytet dhe rrethinat e tij trashëgojnë kulturë e mençuri”, u shpreh prefekti Hoxha. Pasi u zgjodh komisioni i mandateve, Këshilli bëri betimin nga ku më pas u kalua në pikën më të nxehtë të kësaj mbledhjeje, ajo e zgjedhjes së kryetarit të Këshillit Bashkiak. Për postin e kreut të Këshillit garuan dy kandidatë: Valbona Zylyftari, që përfaqësonte forcën politike të Partisë Socialiste dhe Gentian Zëre, i Partisë Demokratike. Pas votimit, ku morën pjesë të gjithë anëtarët, pra 35 votues, fitoi kandidatja e majtë me 18 vota. Ndërsa rivali i saj i së djathtës mori 17 vota. Shpallja fituese e Valbona Zylyftarit u interpretua nga anëtarët e djathtë si rrjedhje e votës së LZHK-së, e cila votën e saj ia kaloi së majtës, duke i dhënë kështu edhe fitoren e kryetares së Këshillit. Në fund të mbledhjes u zgjodhën edhe 6 anëtarët për në këshillin e qarkut, i cili shumë shpejt do të bëjë zgjedhjet për kryetarin e ri të qarkut. Aktualisht, këshillin e qarkun e mban e majta.

Nasufi i PS-së fitoi mandatin e trete ne Bashki

Kreu i Bashkisë së Beratit, Fadil Nasufi, i cili përfaqësonte Aleancën për të Ardhmen, fitoi mandatin e tretë në zgjedhjet vendore të 8 majit. Përballë tij ishte kandidati i djathtë, Ilir Deçolli. Ky i fundit arriti të siguronte 9271 vota, kundrejt 10 148 votave që fitoi Nasufi. Kreu i sapozgjedhur për të tretën herë në krye të Bashkisë pranoi se zgjedhjet kishin qenë të ndershme dhe të ligjshme, teksa pohoi se me mirëkuptimin e kandidatit tjetër ishin numëruar edhe votat e gjetura në kutitë e gabuara.

BERAT/ DILAVER XHELILI

Zeqaj: Konstituimi po na bllokon investimet

FIER – Kur ka kaluar një muaj e gjysmë që nga mbajtja e zgjedhjeve lokale, në qarkun e Fierit ka mbetur pezull funksionimi i njësive vendore pasi nuk janë konstituuar këshillat bashkiakë dhe komunarë. Bashkia e Fierit ka kërkuar që të bëhet brenda afateve ligjore procedura e konstituimit. Kreu i Bashkisë, Baftjar Zeqaj, u shpreh se këto vonesa kanë sjellë probleme me investimet. Sipas tij, këshilli i ri shihet si shpresa e vetme për të kapërcyer krizën financiare që ka mbërthyer Bashkinë si pasojë e mosmiratimit të buxhetit për dy vjet rresht. “E kam thënë edhe para disa ditësh që në vendin tonë gjithçka bëhet nëse e do qeveria. Ajo e di se kur do të bëhet konstituimi, i cili po na sjell probleme në mënyrën e të funksionuarit. KQZ-ja duhet të kishte një grafik të mirëstudiuar për vendimet dhe prioritet t’u jepej njësive vendore tek të cilat nuk u vunë re probleme në zgjedhje dhe nuk ka pasur kontestime. Jemi në pritje që ndoshta javën që vjen, duke qenë se janë limitet e fundit, të bëhen procedurat përkatëse, pasi kjo do të na çlironte investimet”, u shpreh Zeqaj. Ndërkohë, në Prefekturë, si institucioni i vetëm përgjegjës me funksion qendror në nivele vendore, shefi i departamentit juridik, Orion Hoxha, shprehet se vendimi i KQZ-së ka mbërritur në Prefekturë më 22 qershor dhe se nuk ka asnjë neglizhencë nga ana jonë. “Po përpunohen të dhënat dhe në bashkëpunim me sekretarët e këshillave të vjetër të njësive vendore, po punojmë që të vendosim datat për çdo njësi, ku në fillim do t’u jepen, pa dyshim, prioritet bashkive të mëdha”, u shpreh ai. Në mandatin e ri, e majta në Bashkinë Fier ka siguruar 19 anëtarë në Këshill, nga 35 gjithsej.         m.r

 

© Panorama.al

Te lidhura