Lunacek: Referendumi i serbëve është i dëmshëm

Feb 15, 2012 | 15:16

Referendumi i serbëve në veri të Kosovës është dënuar nga raportuesja e posaçme e Parlamentit të Evropës për Kosovë, Ulrike Lunacek. Në një deklaratë të cilën e përcjellë Radio Deutsche Welle, Lunacek ka thënë se, “me këtë referendum plotësisht të panevojshëm, fushata paraelektorale serbe ka mbërritur përfundimisht edhe Kosovën”.

Votimin në këtë referendum ajo e quan si “provokim kontraproduktiv”, i cili “do të dëmtojë rëndë dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit dhe nxitë forcat nacionaliste”.

“Përgjigja e vetme e drejtë e qeverisë në Kosovë është forcimi i angazhimit për realizimin e projekteve të filluara në veri. Ajo duhet të bindë popullatën serbe që Kosova është shteti i të gjithë qytetarëve të saj”, pohon Lunacek.

Ndërsa Franziska Brantner, zëdhënëse për politikë të jashtme e grupit parlamentar ekologjist në PE bën të ditur se edhe vet autoritetet serbe, presidenti i Serbisë Boris Tadiq dhe ministri për Kosovën Goran Bogdanoviq e kanë quajtur këtë referendum të dëmshëm dhe të panevojshëm.

“Në vend të provokimeve të hidhura do të ishte mirë që të punohet në implementimin e planit të Ahtisaarit, me qëllim që serbët e veriut më në fund të realizojnë të drejtat e tyre që u takojnë”, pohon ajo.

Referendumi i serbëve në veri ka shkaktuar reagime negative edhe në Berlin. Zëdhënësja për politikë të jashtme e ekologjistëve Marieluise Beck, kumtoi se bashkësia ndërkombëtare e ka shpallur me të drejtë si të pavlefshëm referendumin e serbëve në veri.

“Është shumë e qartë që kemi të bëjmë me një provokim të fushatës parazgjedhore serbe. Referendumi ka për qëllim të minojë gatishmërinë e palës serbe dhe kosovare për bisedime”, pohon Beck.

Në veri, sipas saj, nuk mund të flitet për liri demokratike. Banorët e atjeshëm janë nën presione të vazhdueshme. “Kërcënohen të gjithë ata që angazhohen për pajtim me shqiptarët. Referendumi në këto kushte është një farsë. Pavarësia e Kosovës është e lidhur ngushtë me planin e Ahtisaarit. Plani parashikon krijimin e një shoqërie demokratike dhe multietnike në Kosovë, ku serbët duhet të gëzojnë të gjithë të drejtat që u takojnë minoriteteve. Ndërsa përpjekjet për ndryshimin e kufijve paraqesin një rrezik për stabilitetin e tërë rajonit”, tha Beck.

Në ditën e parë të referendumit serb në veri të Kosovës kanë votuar, sipas të dhënave të përfaqësuesve të tyre, 48 % e rreth 35 mijë serbëve me të drejtë vote. Referendumi ka për qëllim që të mos pranohen institucionet e Kosovës në këtë pjesë të vendit.

Referendumi i serbëve në veri të Kosovës është dënuar prej autoriteteve të Kosovës. Serbisë dhe bashkësisë ndërkombëtare. Ai quhet i dëmshëm dhe i panevojshëm. /DW/

© Panorama.al

Te lidhura