Mbrëmë ( 4 dhjetor) u mbajt në Pallatin e Kongreseve nata e parë gjysmëfinale e Festivalit “Kënga Magjike 2024”.
Mes artistësh Big dhe kategorisë New Artist, spikati një këngëtare e re.
Luna Çausholli, e cila performoi me kitarë në skenë këngën “Lule margarita”, të kompozuar nga Kledi Bahiti dhe tekst të Rozana Radit.
E veçantë, e freskët, e ëmbël dhe me një edukatë skenike të admirueshme, Luna elektrizoi menjëherë gjithë sallën e Pallatit të Kongreseve.
Publiku që kishte mbushur plot Pallatin e Kongreseve, madje edhe artistët e tjerë dhe anëtarët e jurisë shoqëruan me duartrokitje e vallëzim gjithë performancën e artistes së re.
Pasi rrëmbeu të pesta jeshilet nga juria, në komentet e tyre e krahasuan Lunën me tre artistet me In te momentit ne rang botëror, Taylor Swift, Billie Eilish dhe Sabrina Carpenter.
Luna ka disa vite që merr pjesë ne kompeticione te ndryshme artistike, ku spikat me stilin e saj të veçantë, por këtë vit mund ta quajmë vitin e Lunës sepse është e vetmja artiste me pjesëmarrje ne tre festivalet më të rëndësishme shqiptare, Festivali i Këngës ne Kosovë, Kënga Magjike dhe Festivali i 63 i Këngës ne RTSh.
I urojmë shumë suksese Lunës, artistes së vogël që bëri të kërcejnë për të artistët e mëdhenj.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al