Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili u lirua nga arresti shtëpiak disa ditë më parë foli sot në emisionin “ Open” në News 24 për periudhën që u shpall Non Grata nga SHBA.
Berisha tha se Lulzim Basha deklaronte te DASH dhe te ambasada amerikane se Sali Berisha i diktonte atij vendimet e gabuara.
Kjo gjë sipas Berishës bëri që në atë kohë të përdoreshin si pretekst për të goditur figurën e tij.
“Basha ishte nga ata persona që kishte deklaruar në departamentin e shtetit dhe ambasadë se Sali Berisha është personi që më ka diktuar të gjitha vendimet e gabuara. Dhe kjo ata i bënte, e përdornin si pretekst për të justifikuar goditjen e një njeriu… Për reformën në drejtësi kam qenë i këtij mendimi që ne të bëjmë draftin tonë dhe ta dërgojmë në Komisionin e Venecias”, tha Berisha.
Më tej Berisha foli për takimet që ai bënte me ish-ambasadorin amerikan Donald Lu.
Teksa tregoi arsyet e takimeve, Berisha zbuloi se në një nga takimet Donald Lu e falënderoi atë, pasi Berisha i argumentoi se pse në Shqipëri nuk duhet të aplikohej “FBI shqiptare”, që e propozoi aso kohe kryeministri Rama.
“Donald Lu vinte te unë, se fillimisht Rama dha idenë e FBI shqiptare që do varej nga kryeministri, dhe Donald Lu kishte 6 muaj që kishte ardh dhe meqënë se më kishte ardh në zyrë për një vizitë, unë shkova në zyrën e tij për një vizitë kortezie. Në këtë vizitë hapet ky problem, dhe unë i them që ky model nuk mund të jetë në Shqipëri sepse nuk mund të jetë Shqipëri republikë presidenciale dhe ai më falenderoi, më tha Sali më ke bindur me këtë”, tha Berisha.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al