Ministrat e Financave të eurozonës finalizuan dje takimin tyre mbi situatën në Greqi dhe vendosën të pezullojnë vendimin mbi dhënien e këstit të pestë të huas së paketës së parë kreditore të ndihmës, derisa Parlamenti grek të vendosë mbi masat e reja të kursimit. Ideja e Gjermanisë dhe Francës për përfshirjen e bankave dhe kreditorëve të tjerë privatë që të kontribuojnë për shpëtimin financiar të Greqisë, u mbështet edhe nga ministrat e tjerë. Gjatë bisedimeve të tyre për një paketë të re ndihmash, ministrat e financave të eurozonës parimisht kanë rënë dakord që kreditorët privatë si bankat, të përfshihen në paketën e re të shpëtimit mbi baza të rrepta vullnetare. Paketa e re e ndihmave pritet të jetë rreth 120 miliardë euro. Kryeministri grek, Jorgo Papandreu, i ka bërë thirrje popullit të tij për mbështetje të programit të kursimit. Sot pritet votëbesimi i qeverisë së tij të re në Parlament, ku Papandreu ka pranuar se Greqia, pa ndihma të tjera financiare nga Bashkimi Europian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar pas një kohe të shkurtër, nuk është në gjendje të paguajë. Kjo do të thotë falimentim për shtetin. Trojka e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Komisionit Europian dhe Bankës Qendrore Europiane do të udhëtojë në Greqi përsëri mes negociatave mbi një pakete të re ndihme për Greqinë. Si ministri gjerman i Financave Volfgang Shaubël, edhe Parlamenti i Gjermanisë, Bundestagu, e kanë dhënë aprovimin e tyre për më shumë ndihmë për Greqinë. Por ndihma varet nga vota e Parlamentit grek për masa të reja kursimi, ka deklaruar Norbert Barthël, zëdhënësi për buxhetin e kristiandemokratëve të kancelares Anxhela Merkel. Ai shtoi se pjesëmarrja e FMN-së në çdo paketë të re ndihme është themelore. Ndërsa Papandreu deklaroi dje se Greqia është e vendosur për të kryer reformat e duhura për shlyerjen e borxhit dhe pret nga Bashkimi Europian që të tregojë solidaritet me Athinën.
12 miliarde
euro është kësti i pestë i huas që duhet të marrë Greqia nga BE-ja dhe FMN-ja, por vendimi u shty për më 3 korrik, pasi Parlamenti grek të miratojë masat e reja të kursimit.











