
Abetarja mbarëkombëtarë do të përdoret në të gjitha shkollat fillore të Luginës që në ditën e parë të vitit shkollor 2012/2013. E përditshmja shqiptare në Maqedoni, Koha i ka kushtuar sot një hapësirë të veçantë kësaj histori.
“Nxënësit shqiptarë nga Maqedonia, fatkeqësisht nuk do ta kenë këtë shans, pasi as zyrtarët në Ministrinë e Arsimit dhe as përfaqësuesit e pushteteve vendore, të komunave me shumicë shqiptare, nuk gjetën asnjë rrugë për të siguruar Abetaren mbarëkombëtare nëpër shkollat ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe.”- shkruan Koha.
Sipas saj, atë që nuk arritën ta bëjnë shqiptarët e Maqedonisë me rreth 30 për qind të numrit të përgjithshëm, po e bëjnë shqiptarët e Luginës, të cilët kanë një përqindje të papërfillshme në numrin e përgjithshëm të popullatës në Serbi.
Kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, konfirmon për KOHA se prej shtatorit të këtij viti, në të gjitha shkollat shqipe të Luginës do të përdoret Abetarja mbarëkombëtare.
“Para tre javësh kishim takim me ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Kosovës, Ramë Buja, me të cilin edhe e diskutuan çështjen e Abetares”, tregon Arifi, ndërsa pohon se ministri Buja ashtu sikurse edhe u kishte premtuar, u dhuroi atyre 700 kopje të Abetares mbarëkombëtare.
Kështu, 300 nxënës të klasës së parë në Bujanoc dhe 400 të tjerë në Preshevë, ashtu si moshatarët e tyre në Shqipëri dhe Kosovë, do të nisin vitin me tekstin e përbashkët të shkronjave shqipe duke prekur në mënyrën më të mirë të mundshme për ta 100 vjetorin e pavarësisë.
Por këtë kënaqësi nuk do të mund ta ndjenë kësisoj këtë vit jubilar nxënësit shqiptarë të Maqedonisë, për të cilët nuk ka thuajse asnjë shprese se do të përdorin Abetaren mbarëkombëtare nëpër shkollat e tyre.
Abetarja mbarëkombëtare nuk do të përdoret po ashtu edhe nga shqiptarët e Malit të Zi, megjithëse pritet që një kjo çështje të shtrohet pas zgjedhjeve parlamentare atje.
© Panorama.al











