“Luftë” në Veri të Kosovës, serbët sulmojnë Policinë

Jun 29, 2012 | 13:49

Festa e Vidovdanit u kthye në përleshje, Rexhepi: Qëlluan dhe me armë.

Kufiri i Kosovës në pikën e Merdares u kthye dje në një fushëbetejë mes nacionalistëve serbë të mbërritur me autobusë për festën e Vidovdanit dhe Policisë së Kosovës.
Serbët, të cilët me vendimi të ministrit të Brendshëm të Kosovës, Bajram Rexhepi, janë kthyer pas pasi njiheshin si grup nacionalist që nxisin trazira, kanë nisur ta godasin me gurë Policinë e Kosovës. Më pas janë dëgjuar edhe të shtëna armësh zjarri. Sipas autoriteteve kosovare, rreth 32 policë janë plagosur nga gurët dhe pala serbe konfirmoi 13 serbë të plagosur, disa me armë zjarri. Serbët ishin mbledhur në kufi me Kosovën për të festuar “Marshin e Vidovdanit”, një festë që daton nga mesjeta. Por, situata degjeneroi në provokime dhe përleshje me Policinë e Kosovës. Pas incidenteve, Kosova mbylli përkohësisht kufirin. “Rreth orës 05:00, një grup prej afër 70 personash, të gjithë serbë, pjesëmarrës të “Marshit të Vidovdanit” janë mbledhur në afërsi të urës kryesore. Tre prej tyre kanë kaluar pengesat me gurë dhe kanë filluar të ofendojnë policet në detyrë. Policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe ka larguar qytetarët në pjesën veriore të urës me dy autobusë. Ata janë përcjellë jashtë territorit të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Policisë. Ministri Rexhepi gjatë raportimin përpara Kuvendit të Kosovës tha se “kemi kthyer një grup të njohur si ‘Delije’ (simpatizantë futbolli të Cërvena Zvezdës), të cilët njihen si nacionalistë. Janë dëgjuar edhe të shtëna me armë zjarri, por ato kanë qenë në anën e Serbisë”, theksoi ai.
Rastësitë e Vidovdanit
E ashtuquajtura e kremtja e Vidovdanit kujton betejën mesjetare të Kosovës në vitin 1389, ndërsa 23 vjet më parë shërbeu si shkas për tubimin e një numri të madh të serbëve, si dhe promovimin dhe fuqizimin politik të Sllobodan Milosheviçit, i cili u bë Presidenti i Serbisë. Në vitin 1989, Vidovdani ishte ngjarja prej nga Millosheviçi inicioi fushatën e spastrimit etnik, duke i hequr Kosovës statusin autonom që kishte. Më 28 qershor 2001, ditën e kremtes së Vidovdanit, 12 vjet pas fjalimit në Gazimestan, Millosheviçi u dorëzua në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë. Ndërsa dje, pasardhësi i tij, Ivica Daçiç, pikërisht në Ditën e Vidovdanit, mori mandatin nga Presidenti i Serbisë Tomisllav Nikoliç për të formuar qeverinë.
Incidentet
Në festën e Vidovdanit kanë qenë të pranishëm 2 mijë deri në 2 mijë e pesëqind pelegrinë, të cilët në mënyrë të organizuar kanë marrë pjesë në Graçanicë dhe Gazimestan të rajonit të Prishtinës. Në Graçanicë, afër varrezave serbe, disa të rinj serbë kanë qëlluar me gurë një autobus linje. Policia ka arrestuar tre persona të dyshuar si të përfshirë në këtë rast. Edhe në rrugën nga Prishtina në drejtim të Veternikut, disa autobusë janë qëlluar me gurë nga persona të panjohur. Policia ka njoftuar edhe për një rast tjetër në rajonin e Prishtinës, ku ka ndaluar një person të nacionalitetit serb, të cilit i janë gjetur dy radiolidhje, një palë dylbi dhe materiale tjera. Në shtëpinë e tij në fshatin Korrotisht, policia ka konfiskuar edhe dy armë zjarri. Manifestimi në Gazimestan ka përfunduar rreth orës 14:00 dhe pjesëmarrësit kanë filluar të shpërndahen.

Jahjaga
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e dënoi ashpër sulmin mbi pjesëtarët e Policisë së Kosovës dje nga grupe huliganësh të dhunshëm nga Republika e Serbisë. “Sulmi mbi pjesëtarët e Policisë së Kosovës me mjete të forta dhe me armë zjarri është plotësisht i patolerueshëm dhe është sulm mbi rendin kushtetues të Republikës së Kosovës. Institucionet e Republikës së Kosovës do të mbrojnë me përkushtim sistemin demokratik të vendit dhe do të parandalojnë çdo përpjekje për destabilizim”, theksoi Jahjaga. Ajo u bëri thirrje autoriteteve të Republikës së Serbisë që të pengojnë grupet e huliganëve serbë, duke kujtuar se politika e fqinjësisë së mirë është obligim dhe parakusht për anëtarësim në Bashkimin Europian.

© Panorama.al

Te lidhura