Të dielën e kaluar, kryeministrat e Shqipërisë dhe Kosovës, zotërinjtë Berisha dhe Thaçi, u takuan edhe një herë tjetër në Tiranë, në një frymë të përhershme “vëllazërore”. Por, pas buzëqeshjeve të çastit para kamerave televizive, deklaratat e tyre zbuluan në dritë të diellit dhe një herë “luftën e ftohtë” ekonomike që ka filluar tashmë midis dy vendeve. Kryeministri Berisha premtoi se do të ndërtohet shpejt linja e përfolur e interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë. Ndërsa zoti Thaçi tha se do të rishikohet problemi i taksës për çimenton shqiptare që hyn në Kosovë.
“Hosteni nuk mund të fshihet në thes”, thotë populli. Edhe problemet ekonomike midis dy shteteve nuk mund të mbeten më pas dyerve të mbyllura. Ato janë bërë jo vetëm objekt i debateve dhe i kritikave në media e në shoqatat e biznesmenëve, por po zënë edhe kreun e axhendës së dy kryeministrave.
Ka kohë që midis Shqipërisë dhe Kosovës ka filluar vendosja e “stërkëmbëshave” në marrëdhëniet ekonomike. Kjo luftë e ftohtë po shfaqet me veprime bllokuese të tregtisë së njërës palë kundër palës tjetër, më saktë, me vendime që e pengojnë zhvillimin e tregtisë së lirë mes dy vendeve. Sloganet patriotike për “vëllazërinë” nuk mungojnë nga qarqet e larta zyrtare, por realiteti në praktikë i marrëdhënieve ekonomike mbetet zhgënjyes.
Bilanci tregtar midis dy vendeve është jo më i lartë se 45 milionë euro në vit, shifër kjo minimale për marrëdhëniet e dy shteteve “vëllazërore”. Më parë thuhej se tregtinë e pengon rruga e keqe. Tani kjo pengesë nuk është më, por gjerat mbeten ashtu siç kanë qenë, ose lëvizin, por me hapin e breshkës. Madje, ka edhe hapa prapa.
Në fillim ishin shoqatat e prodhuesve të patates në Kosovë që ngritën me forcë shqetësimin se, nga ana e qeverisë shqiptare, ishin vendosur masa doganore që dëmtonin eksportin e patates kosovare në Shqipëri. Ministria e Financave e Shqipërisë kishte vendosur çmime të referencës në nivele të larta, që e bënin të pamundur futjen e patates kosovare në vendin tonë. Me gjithë protestat që u bënë nga institucionet e Kosovës, nuk ndryshoi asgjë.
Nga ana e Shqipërisë nuk pati kurajë të jepej asnjë shpjegim për publikun, ku të thuhej se nuk ka ndonjë abuzim në këtë mes, por ka thjesht një masë të përkohshme për të mbrojtur prodhimin e vendit, në një moment kohor të përcaktuar qartë. Pra, mungoi angazhimi minimal i saj për të sqaruar opinionin këtej e andej kufirit, që nuk ka qëllime të tjera në këtë vendim.
Po edhe sikur të ishte fjala për të mbrojtur prodhimin vendës të patates, nuk është e justifikuar një masë e tillë, aq sa të bllokojë plotësisht eksportimin e patates së Kosovës, prodhimin kryesor të saj, në Shqipëri. Shqipëria importon akoma patate nga vende të tjera dhe prandaj, patatja e Kosovës nuk do të sillte shumë shqetësime në treg.
Sezoni veror i pushimeve të këtij viti ka filluar dhe me mijëra kosovarë po vijnë në Shqipëri për të bërë pushimet e tyre. Por, kosovarët që vijnë këtu, lënë para në monedhën e euros, ndërsa marrin nga Shqipëria vetëm ngjyrën e zezë të lëkurës. Pas pushimeve, në Kosovë i pret e njëjta situatë e luftës ekonomike me shtetin “amë”. Ata e hanë këtu domaten “patriotike” të Shqipërisë, ndërsa shqiptarët e Shqipërisë nuk lejohen të hanë pataten “patriotike” të Kosovës.
Sikur të ishte vetëm problemi i patates “së nxehtë” kosovare, do të thuhej se ka qenë një lajthitje e çastit e autoriteteve përkatëse shqiptare. Por pas kësaj erdhi rasti i dytë i krisjes së këtyre marrëdhënieve, me anulimin nga ana e qeverisë shqiptare të tenderit të linjës së interkonjeksionit Shqipëri–Kosovë.
Shqipëria dhe Kosova mund të krijojnë një treg të përbashkët energjie, me këmbim të ndërsjellë të saj, për arsye të burimeve të ndryshme energjetike që ato përdorin. Shqipëria ka mundësi të dërgojë në Kosovë energji të prodhuar nga hidrocentralet e saj (A nuk po themi se jemi superfuqi energjetike?!), kur ka ujë me bollëk në to dhe të importojë energji prej termocentraleve me thëngjill të Kosovës, kur ka nevojë për energji. Kjo praktikë është ndjekur edhe më parë, por në sasi të vogla. Sistemi ekzistues i transmetimit të energjisë midis dy vendeve, nuk është i aftë të bëjë më shumë.
Në këtë kuadër u bë i mundur miratimi i një kredie nga ana e bankës gjermane KFV, për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit Shqipëri – Kosovë, me fuqi 400 KW. Në mars të vitit 2011 u hap tenderi për linjën e transmetimit të energjisë. Ndërtimi i kësaj linje do t’i sillte jo vetëm Kosovës, por edhe Shqipërisë, pavarësinë nga linjat serbe të energjisë. Por, tenderi i organizuar për këtë çështje nga financuesi, u anulua nga qeveria e Shqipërisë, sepse, sipas saj, firma fituese e tenderit kishte dhënë ofertë të lartë për ndërtimin e saj.
Kështu, edhe për shumë kohë të tjera, Shqipëria dhe Kosova nuk do të kenë një linjë të re dhe të përshtatshme interkonjeksioni për të shkëmbyer energjinë midis dy vendeve. Shqipëria do të vazhdojë të marrë energji nga jashtë, nëpërmjet kompanive serbe, natyrisht, aq të preferuara për qeverinë shqiptare. Dhe po ashtu, Kosova do të vazhdojë të marrë po për nevoja të saj, energji nga sistemi energjetik i Serbisë, natyrisht, sepse nuk ka mundësi të tjera zgjedhjeje.
Me qindra miliona euro nga ekonomitë e varfra të dy shteteve shqiptare kanë shkuar e do të vazhdojnë të shkojnë kështu në xhepat e prodhuesve serbë të energjisë. 95 për qind e energjisë së importuar nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) vjen nga tri kompani, të gjitha nga Serbia. Në total, në 5 muajt e krizës se fundit, KESH-i bleu 96.4 milionë euro energji elektrike nga jashtë. Nga këto, 71 milionë euro, ose 82 për qind iu paguan vetëm 3 kompanive serbe. Gjatë shtatë viteve të kaluara, Shqipëria ka blerë nga kompanitë serbe rreth 400 milionë euro energji. Shqipëria, nga ana tjetër, humbet rreth 90 milionë euro, për shkak të mungesës së kapaciteteve të interkonjeksionit, që e detyrojnë të importojë energji me çmime të kushtueshme në tregun e huaj.
Po t’u referohesh këtyre llogarive, del se “humbjet” nga tenderi i anuluar me paratë e gjermanëve për linjën e interkonjeksionit nga qeveria shqiptare nuk janë asgjë, në raport me humbjet që i vijnë ekonomisë së Shqipërisë dhe Kosovës prej mungesës së kësaj linje.
Në këto rrethana të luftës së ftohtë ekonomike që i ka shpallur Shqipëria Kosovës, edhe kjo e fundit nuk mund të rrinte duarkryq. “Shqipëria ka shkelur marrëveshjen e arritur me Kosovën për heqjen e çmimeve të referencës për produktet kosovare, siç janë patatja, qumështi, vera etj. Nëse Shqipëria nuk heq taksën e referencës, atëherë do të vendosim masën e reciprocitetit”, deklaronte me kërcenim kohë më parë ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila. Dhe kështu ndodhi. Ministrja vendosi të tarifojë me një taksë doganore prej 35 për qind çimenton që hyn në Kosovë nga Shqipëria, me “argumentin” se po mbron prodhimin vendës të çimentos.
Është e qartë se kjo masë nuk do të ishte e domosdoshme të merrej, në termat ekonomike të saj. Edhe fabrika e çimentos në Fushë-Krujë, edhe fabrika e çimentos në Kosovë, nuk janë pronë shqiptare, por të huaja. Por ajo u mor si masë reciprociteti ndaj Shqipërisë, sipas logjikës: “Ju po na bllokoni prodhimet tona dhe ne po ju bllokojmë prodhimet tuaja”. Kuptohet gjithashtu se zonja Kusari nuk e ndërmori kusarisht këtë masë, d.m.th., pa lejen e qeverise ku ajo bën pjesë. Çdo gjë është e mirëkuptuar dhe e mirëkoordinuar brenda qeverisë së Kosovës.
Siç u tha, shkëmbimet tregtare mes dy vendeve arrijnë aktualisht në një shifër prej jo më shumë se 45 milionë euro në vit! Kjo është vërtet një shifër e mjerueshme. Ajo është afërsisht e barabartë me gjysmën e tregtisë së Shqipërisë me Serbinë, vetëm në sektorin energjetik. “Tregtia mes Kosovës dhe Shqipërisë është në nivele minimale. Në pesë vitet e fundit, vetëm 3 për qind e importeve të Kosovës janë nga Shqipëria dhe rreth 12 për qind e eksporteve të pakta të Kosovës shkojnë në Shqipëri” . Kështu shkruan në “Transitions Online” Andrea Lorenzo Capussela, ish- drejtor për çështjet ekonomike dhe fiskale në Zyrën Civile Ndërkombëtare në Kosovë.
“Ditët e ardhshme do të takohen autoritetet e shtetit të Kosovës dhe të Shqipërisë, dhomat ekonomike do të diskutojnë në të njëjtën kohë, po ashtu dhe ministritë përkatëse. Ndërkohë, flas me besim të plotë se do të jetë çështje e tejkaluar”, ka deklaruar Kryeministri Thaçi gjate vizitës së tij të fundit në Tiranë.
Ne po besojmë për një çast se do të ndodhë si thotë ai, megjithëse ministrja e tij Kusari deklaroi së fundmi se taksa e çimentos shqiptare do të mbetet në fuqi të paktën deri në fund të vitit. Kështu e përktheu në “shqip” deklaratën e shefit të saj ministrja kosovare. Por prapë, edhe nëse do të hiqen barrierat e mësipërme, situata nuk do të jetë më e mirë se në shifrat e ditëve më të mira, që përmendem më lart.
Në këtë situatë, është normale të shtrohet pyetja se sa efektiv nga ana financiare ishte ndërtimi i rrugës Durrës–Kukës, me një investim prej rreth 1 miliard eurosh. Si do të shlyhet ky investim dhe sa po punohet në këtë drejtim? Sipas specialisteve, vetëm interesat e borxhit të marrë për ndërtimin e kësaj rruge janë rreth 40 milionë euro. Me këto shifra mjerane të tregtisë midis dy vendeve, është e qartë se nuk del i justifikuar edhe ndërtimi i rrugës së re midis tyre, të paktën në ato përmasa që është ndërtuar. Do të duhet të kalojnë dyqind vjet për të justifikuar financiarisht këtë investim. Vetëm kostot e mirëmbajtjes së tunelit të Thirrës shkojnë në rreth 2 milionë euro në vit, pa folur për kostot e mirëmbajtjes së pjesës tjetër të rrugës. Dhe këto do të vazhdojnë të dalin nga xhepat e shqiptarëve.
Pas kësaj tabloje aspak të mirë të marrëdhënieve ekonomike midis dy vendeve, mendoj se do t’ia vlente një debat jo vetëm mediatik, por edhe institucional, ku të përfshiheshin edhe Parlamentet në dy vendet respektive, për gjendjen e mjerueshme të bashkëpunimit ekonomik dhe gjetjen e rrugëve për daljen prej saj.
© Panorama.al












