
Buxheti i shtetit, TEC-i i Vlorës, biznesi në vend, por edhe vetë shqiptarët mund të përfitojnë nga projektet e gazsjellësve që do të kalojnë në vendin tonë. Drejtori i Drejtorisë së Menaxhimit të Projektit për Rritjen e Kapaciteteve për Infrastrukturat e Mëdha të Gazit, Dorian Duçka, në një intervistë për gazetën zbulon edhe detajet e fundit lidhur me këto projekte.TAP dhe IAP, dy investimet gjigande, e konsiderojnë Shqipërinë si një hallkë të rëndësishme të tyre. Përfshirja në këtë korridor e energjisë është një avantazh për Shqipërinë, ashtu sikurse gjetja e një mënyre origjinale dhe pa kosto për mbajtjen e rezervave të gazit në zonën e Dumresë, një projekt që është lakuar se do të zbatohet.
Z.Duçka, kohët e fundit, beteja për ndërtimin e gazsjellësve të rinj që do të furnizojnë me gaz tregun europian, ka zënë një vend të veçantë në planet e investimit të multikorporatave ndërkombëtare në fushën e energjisë. Ku hyn Shqipëria në këtë proces dhe a mund të luajë ajo një rol?
Me qëllimin e aksesimit të rezervave të gazit në Detin Kaspik dhe Lindjes së Mesme, që nuk e arrijnë Europën Qendrore nëpërmjet gazsjellësve, Korridori i Gazit Jugor, për një furnizim të ri të gazit, është nën zhvillim. Tre projektet që janë duke u zhvilluar për të furnizuar Europën me Gaz Natyror nga Azerbajxhani janë:0
a) NABUCO- që tranziton nga Turqia, Bullgaria, Rumania, Hungaria dhe përfundon në Austri. Është i gjatë rreth 3 300 kilometra (4 000 kilometra, duke përfshirë dhe ndërlidhësin e Irakut)
b) ndërlidhësi (ITGI)- që tranziton nga Turqia, Greqia dhe përfundon në Itali me një gjatësi rreth 800 km, c)gazsjellësi Trans-Adriatik (TAP)- që tranziton nga Greqia, Shqipëria dhe përfundon në Itali me një gjatësi rreth 520 Km. Pikërisht vitet e fundit është rritur mundësia e ndërtimit të gazsjellësit Trans-Adriatik(TAP) që kalon nga Shqipëria. Projekti TAP, ndryshe nga projektet e tjerë e quajnë Shqipërinë “Hallken e Munguar” në këtë korridor të ri të gazit, ku përfshirja e vendit quhet e një rëndësie të veçantë, për disa arsye që janë vlerë e shtuar në këtë Korridor. Projekti TAP do të hyjë në Shqipëri nga Korça dhe del nga Shqipëria në Adriatik nga Fieri. Kyçi për realizimin e gazsjellësve që kërkojnë të aksesojnë burimet e gazit në Kaspik, janë aftësia për të treguar se projekti që ata përfaqësojnë, është më strategjiku, më ekonomiku dhe më i mundshmi. Këta gazsjellës do të garojnë për të bërë ofertat e tyre pranë Konsortiumit Ndërkombëtar të Kompanive të Energjisë, që kanë koncesionin mbi Bllokun Shah Deniz II në Kaspik. Ideja është që gazi i nxjerrë do të fillojë të transmetohet në vitin 2017 dhe për këtë arsye para fillimit të Ndërtimit të Gazsjellësve këto kompani duhet të sigurojnë kontratat për gazin që do të transportojnë. Megjithëse Projekti TAP është pak më i vonshëm se NABUCO apo ITGI, është një projekt që ka avancuar si në kuadrin e marrjes së mbështetjes politike, si dhe në mundësinë financiare të realizimit. Në avantazh nga ITGI, projekti TAP drejtohet nga Konsortiumi i Gjigandeve të Gazit Europian, STATOIL (norvegjez), EGL (zviceran), si dhe së fundmi është përfshirë dhe kompania gjermane “E-ON Ruhrgaz”, të cilat njihen në tregun ndërkombëtar të energjisë dhe financave për fuqinë ekonomike dhe seriozitetin që përfaqësojnë. Aksioneri kryesor norvegjez STATOIL, i Projektit TAP, është edhe aksioner me 25 për qind të koncesionit të burimit të gazit në Shah Deniz II, diçka që është një avantazh për realizimin e këtij projekti. Në të njëjtën kohë, ndërtimi i tubacioneve të gazsjellësit në Adriatik nëpërmjet Shqipërisë është më i lehtë, më i shkurtër, më i sigurt dhe më i realizueshëm, sesa ai i projektit ITGI, gjë që i jep një avantazh krahasues përfshirjes së Shqipërisë si pjesë strategjike në rrugën e gazsjellësve. Këto avantazhe janë të rëndësishme, sepse këto projekte janë të kushtueshme dhe kanë nevojë për financime mbi 1 miliard dollarë dhe pikërisht drejtimi i këtij projekti prej këtij konsortiumi jep siguri për një realizim real dhe në kohë të tij. Si rezultat i seriozitetit të këtij projekti, një projekt për një gazsjellës të ri, që do të kalojë në Shqipëri, ka filluar të zhvillohet dhe ai është gazsjellësi IAP (Ionaian-Adriatik).
Në ç’fazë është puna për këtë gazsjellës të ri?
Ka filluar studimi i Fizibilitetit me fondet e Bashkimit Europian për këtë gazsjellës, që do të nisë nga Spliti në Kroaci dhe do të përfundojë në Fier, si dhe do të ketë përsëri një gjatësi prej 516 kilometrash, ku mund të kërkojë një investim prej 580 milionë eurosh. Pikërisht gazi që do të transmetohet nga TAP-i, mund të fillojë të transportohet drejt Veriut të Ballkanit perëndimor nëpërmjet këtij Gazsjellësi. Ky projekt parashikon ndërtimin e një gazsjellësi që do të transportojë gaz natyror drejt dhe nga Kroacia në Bosnjë-Hercegovinë, Malin e Zi dhe Shqipëri. Ky gazsjellës do të punojë në të dyja drejtimet. Në kuadër të infrastrukturave të Komunitetit të Energjisë, projekti IAP është konceptuar si krahu perëndimor i unazës së furnizimit me gaz natyror të Ballkanit Perëndimor, në bashkëveprim me projektin tjetër, TAP, i cili është konceptuar si krahu jugor i kësaj unaze. Pika e lidhjes së këtyre dy projekteve mendohet diku në afërsi të Fierit. Ky Projekt ka tërhequr vëmendjen e Komunitetit të Energjisë, Komisionit Europian dhe Komunitetit të Donatorëve (BB, BERZH, KFW), si dhe është vlerësuar si një projekt prioritar për gazifikimin e vendeve të rajonit( Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi dhe më vonë Kosova) si dhe për fuqizimin e rrjetit të gazit të Kroacisë.
Çfarë përfitimesh do të sjellë projekti TAP për Shqipërinë, përveç integrimit në tregun rajonal të gazit?
Përfshirja e Shqipërisë në këtë treg rajonal është shumë e rëndësishme, pasi aksesi i gazit natyror është më i lirë dhe më pak i ndjeshëm ndaj mjedisit në përdorim. Së pari, Shqipëria do të përfitojë financiarisht nga “renta” që do të paguhet çdo vit, nga Konsortiumi për kalimin e gazsjellësit nga Shqipëria, që ka të ardhura të konsiderueshme vjetore për një vend të vogël si Shqipëria. Së dyti, ardhja e gazit të lirë në Shqipëri mund të përdoret për prodhim energjie në një formë më të lirë, nga TEC-i i ri Vlorës, që do të fillojë së funksionari së shpejti dhe, duke pasur akses në gaz, mund të prodhojë energji mjaft të lirë dhe të rrisë të ardhurat e saj në mënyrë të ndjeshme. Së treti, konsumatorët mund të fillojnë të përdorin gazin për përdorim shtëpiak si për ngrohje dhe për gatim më shumë dhe mund të kushtojë shumë më pak. Së katërti, industri të ndryshme mund të kenë mundësi ta shfrytëzojnë këtë formë të lirë të burimit të energjisë. Së pesti, Shqipëria në zonën e Dumresë ka gropa të mëdha nëntokë nga dunat e kripës, që mund të përdoren si depozita natyrore për të mbajtur rezerva të konsiderueshme gazi, të cilat kursejnë shpenzimet për ndërtimin e cisternave, por edhe shërbejnë si depozita për një periudhë afatgjatë, si pjesë e rezervave për Sigurinë e Energjisë, në rast krizash apo mungese furnizimi të qëndrueshëm.
580 milionë euro
parashikohet të kushtojë projekti i gazsjellësit IAP që do të nisë nga Spliti në Kroaci dhe do të përfundojë në Fier,i cili do të ketë një gjatësi prej 516 kilometrash.
520 kilometra i gjatë është gazsjellësi Trans-Adriatik (TAP) që parashikohet të ndërtohet duke filluar nga Greqia,
i cili kalon në Shqipëri dhe përfundon në Itali.
NERTILA MAHO
© Panorama.al











