SEJDO HARKA/ “Njeriu që shkroi romanin më të madh historik, pas Tolstoit, është Shollohov” (Karl Gierov)
Shkrimtari i madh rus, Mihail Shollohov, i cili jetoi e shkroi mes viteve 1905-1984, hyri në letërsinë botërore si një mjeshtër i madh i fjalës dhe i tregimtarisë së shkrimtarëve të majave më të larta të globit si Tolstoi dhe Dostojevski.
Për t’i rikujtuar lexuesit, se kush është Mihail Shollohov, po ndalemi me pak fjalë, në momentet kryesore të jetës dhe veprimtarisë së tij krijuese artistike. Ai lindi në krahinën e Donit në fshatin Kruzhlin të stanicës Vishenskaja, më 24 maj të vitit 1905. I ati, i cili thuhet se nuk ishte kozak, merrej me tregëti të vogël, ndërsa e ëma, gjysmë kozake, gjysmë ukrahinase, bijë e një bujku, ishte shërbëtore e një vejusheje kozake të pasur, që shquhej për një mençuri të rrallë dhe botën e saj të pasur shpirtërore, veti që do t’i trashëgonte Shollohov.
Mësimet e para ai i kreu në vendlindje, ndërsa liceun e vazhdoi në Moskë. Në vitin 1918, pasi i vdes i ati, u detyrua të kthehet në Don. Lufta Civile i la atij një vragë të rëndë shpirtërore. Për të vazhduar studimet, ai u detyrua të të shkruante tregime, të cilët nisi t’i botonte në shtypin lokal, kundrejt pagesës. Ëndrra për t’u bërë shkrimtar i madh nuk iu nda tërë jetën. Për të siguruar mjetet e domosdoshme të jetesës, u ndje i detyruar të bënte disa lloj punërash: herë si mësues dhe herë si nëpunës në një ekip rekuizimesh. Puna në një zyrë satistikash e pajisi atë me njohuri të thella për historinë e vendlindjes së tij, Donit, të cilat do të shërbenin si ‘’buka’’ e veprave të tij historiko-artistike. Në vitin1922 djaloshi Mihail lë Donin për jetuar në Moskë.
Krijimtaria e tij artistike e nis udhën e gjatë që në vitin 1924, me librin “Tregimet e Donit”, i cili do t’i jepte Shollohovit emrin artistik “Shqiponja e stepës”. Duke qenë njohës i hollë i historisë së kozakëve të Donit, ai argumentoi mirë shkaqet e kryengritjes së banorëve të kësaj zone kundër sistemit Sovjetik. Aftësia e rrallë e shkrimtarit të ri Shollohov për t’i pasqyruar artistikisht këto ngjarje të mëdha, ngjalli zili tek disa qarqe letrare ruse të kohës. Këtë zili ata e shprehën hapur përmes pyetjesh të tilla tinzare: “Si mundet që një djalosh 23-vjeçar si Mihail Shollohov të ketë njohuri kaq të thella për ngjarje kaq të mëdha!? Ky cinizëm bëri që ata të shprehnin mendimin egoist se gjoja ngjarjet për Luftën Civile të Donit, të pasqyruara me vërtetësi të madhe në pjesën e katërt të romanit “Doni i qetë “ qenkëshin një plagjaturë e marrë nga shkrimtari kozak Fedor Krjukov. Shpifjet ndaj meje, do të shkruante Shollohovi, në vitin 1928, u gatuan në mjediset e shkrimtarëve më cinikë rus të kohës. Si për çudi, shpifje të tilla inatçore do të riciklohen me të njëjtin motiv edhe pas vdekjes së Shollohovit, në vitin 1984.
Por, me gjithë kritikat e ashpra ndaj romanit “Doni i qetë”, Shollohov qëndroi konsekuent ndaj vlerave të padiskutueshme të këtij romani. Kur Stalini i drejton Shollohovit pyetjen me spec: “A do ta shpije protagonistin e romanit “Doni i qetë”, Grigor Melenkov në kampin e bolshevikëve”, ai do t’i përgjigjej prerë: “Unë mund ta shpija, por nuk do më linte ai ta bëja”. Kritikat për romanin “Doni i qetë”, u përsëritën edhe pas vitit 1960, por fatmirësisht, në këtë kohë fama e M. Shollohov i kishte kapërcyer kufijtë e Rusisë. Ishte koha kur Akademia Suedeze i kishte dhënë atij Çmimin Nobel për letërsinë për vitin 1965, pikërisht për romanin e shumëkritikuar “Doni i qetë”, me motivacionin: “…në shenjë mirënjohjeje për forcën e dashurisë që ka treguar për krijimin e epopesë për Donin, kushtuar fazave historike të jetës së popullit rus”.
Kryetari i Komisionit të Çmimit Nobel, në ceremoninë e dorëzimit të këtij çmimi, mes të tjerash thekson: “Doni i qetë” është nga të gjitha pikëpamjet një vepër e fuqishme e cila mjaftoi përligjjen e këtij çmimi të madh me përmasa botërore. Ndërsa Karl Gierov, ato ditë shkruante: “Njeriu që shkroi romanin më të madh historik rus pas Tolstoit, është Mihail Shollohov.” Synimi kryesor i shkrimtarit Shollohov me romanin “Doni i qetë” ka qenë zbulimi i tragjizmit që i solli popullit rus Lufta Civile. Luhatja shpirtërore që ndjente ndaj kësaj lufte protagonist i këtij romani, Grigor Melenkov, e bënte atë të luftonte, herë përkrah të kuqve dhe herë përkrah të bardhëve, me synimin për të gjetur vetveten. Ndaj, i ndodhur në udhëkryq, shprehet: “Endem i çoroditur si tufani në stepë”.
FATI I NJERIUT, SI NJË RRËFIM I JASHTËZAKONSHËM, NË PENËN E SHKRIMTARIT
Një shkëlqim të veçantë pati krijimtaria artistike e shkrimtarit Mihail Shollohov edhe në tregimtari. Një nga tregimet e tij më të mira është ai me titullin “Fati i njeriut”, përkthyer me mjeshtëri nga origjinali prej profesorit të nderuar të letërsisë së huaj, Jorgji Doksani, të cilin e kemi bërë objektin kryesor të këtyre shënimeve. Rrëfimi i jashtëzakonshëm që e karakterizon brendinë e këtij tregimi, të bën ta lexosh me një frymë. Libri nis me bisedën sfilitëse mes narratorit dhe protagonistit të tregimit, Andrea Sokollov, në një takimi të rastësishëm, pas mbarimit të luftës.
Në këtë kohë A. Sokollov, pasi kishte humbur gjithçka: gruan, dy vajzat dhe djalin e tij të vetëm, me bonjakun për dore, ishte nisur drejt vendit të tij për të ndryshuar sadopak fatin e tij të keq të shkatërruar nga lufta. Ja si e përshkruan naratori gjëndjen shpirtërore të këtij fatkeqi: “A ju ka rastisur të shihni njerëz me sy të tillë të hirnosur prej hirit, të mbushur me pikëllim vdekjeje, aq sa e ke të pamundur ta ndalësh mbi të shikimin tënd… Të tillë e kishte shikimin njeriu që s’dihej se ç’hall i madh do ta kishte detyruar të merrte këtë udhëtim kaq të vështirë, përmes baltovinave dhe shirave të tmerrshme. Kësaj pyetjeje të heshtur të bashkëbiseduesit të rastësishëm Andrea Sokollov do t’i përgjigjej kështu:Më ndodh, or mik, të mos mbyll sytë disa ditë me radhë, duke pyetur veten:
E pse, o jetë më batërdise e sakatove kësisoj!? Pse më dënove kaq rëndë!? Dhe nuk marr dot përgjigje, as natën pus të errët, as ditën e bukur me diell”(15) Prej këtej, Shollohovi, si mjeshtër i narracionit digresiv, kalon nga fundi i brendisë së këtij tregimi, në zanafillën e momenteve kryesore të jetës së protagonistit. Adrea Sokollov kishte lindur në guvernën e Varanjezhit, në vitin 1900. Në fillim kishte bërë jetën e zakonshme të fëmijëve të tjerë të krahinës. Kishte marrë pjesë në Luftën Civile, në radhët e Ushtrisë së Kuqe. Në vitin 1922, në kohën e urisë së madhe, u ndodh në Kuban, ku kacafytet keqas me kulakët. E, me gjithë atë mbeti gjallë, kurse babai, nëna dhe motra e tij vdiqën nga uria. Pas një viti u largua nga Kubani për t’u rikthyer në Varanjezh. Aty punoi si mekanik dhe më pas në një uzinë. U martova, tregon ai, me një vajzë të mirë dhe punëtore të rritur në jetimore, por qëllova me fat, sepse ishte një vajzë punëtore dhe medjehollë. Nuk mund të gjendej vajzë më e bukur dhe e dashur për mua. Edhe pse unë shpesh kthehesha në shtëpi i dehur, ajo nuk e prishte gojën kurrë. E tillë ishte Irina ime, zemërbardhë dhe gojëmjaltë. Më pas u lindën 3 fëmijë si yje. Pas djalit lindën edhe dy vajza.
Në vitin 1929, Andrea u bë shofer, profesion që e donte shumë. Kaluan 10 vjet të vrullshme si era, duke punuar pa u lodhur natë e ditë. Por, me punën tonë, tregon Sokollov, arritëm të jetonim si njerëz. Akoma më shumë çiftin e gëzonin 3 fëmijët, që jo vetëm ishin të mbarë, por dhe shkëlqenin në mësime. Anatoli jepte kokën për matematikën. Para se të niste lufta ata blenë dhe një shtëpi dhe gjithçka tjetër që u duhej për të bërë një jetë normale. Por me të nisur lufta, mortaja vdekjeprurëse, do t’i ndiqte hap pas hapi si një qen i tërbuar për t’i shqyer e copëtuar. Që ditën që plasi lufta , tregon protagonisti i tregimit, në shtëpi mbërriti letra që më njoftonte të paraqitesha urgjent në zyrën e Rekrutimit të Degës Ushtarake. Ndërsa ditën e tretë ai mori urdhrin t’i hipte trenit drejt frontit të luftës. Më poshtë, Sokollovi tregon dhimbjen e madhe që ndjeu ai në çastet kur Ireina dhe 3 fëmijët e tij: Antoni, Nastenjka e Oliushka po e shoqëronin për ta përcjellë në frontin e luftës.
Shtatëmbëdhjetë vite jetë kishte kaluar me bashkëshorten e tij të mirë, por nuk e kishte parë kurrë kaq të tronditur. Buzët i ishin fryrë nga lotët, sytë i ishin errësuar, ndërsa shikimi i ishte çakërdisur nga shqetësimi. Nuk kam për të harruar ofshamën drithëruese që pëshpëriste nëpër dhëmbë: “Andrushka im. Ne të dy s’do të shihemi më kurrë bashkë!”(22) Në këto momente të trishta, tregon Andrea, nuk e mbajta veten. Prandaj i bërtita: “Pse, kështu ia lënë lamtumirën njeri-tjetrit njerëzit që duhen përjetësisht. Pse po më shtje në dhe para kohe!?” Prandaj, i tronditur nga kjo ndarje e trishtë, e shtyn Irinën, për t’i kërkuar asaj falje për gjestin instiktiv e të pakontrolluar. Ndërsa Irina, pa u zemëruar nga shtyrja instiktive, ngjitet pas kraharorit të bashkëshortit të saj, si për ta penguar atë të hidhte hapat drejt vdekjes. Ky ishte fati i zi që mbolli, ajo luftë e mallkuar e nxitur nga egot sadiste dhe pangopësitë çnjerëzore për para dhe pushtet. Më poshtë, protagonisti i tregimit rrëfen udhëtimin drejt vdekjes: Sapo mbërritëm, na vunë në rresht te Kisha e Bardhë, në Ukrainë. Kur mora ZIS-n, u ula në timon e tij për të rendur drejt frontit të luftës.
Por, për asnjë çast nuk m’u hoqën nga mendja Irina dhe 3 fëmijët e mi, të cilët më dukej sikur më ndiqnin pas me lotët dhe vështrimet e tyre të trishta. Ishte viti 1942, kur komandanti i makinave, pasi i ka dorëzuar makinën i pat thënë: -Hë Sokolov, a do t’ia dalësh dot? -Pa diskutim, komandant-i përgjigjet ai, i vendosur për të kryer detyrën, pa u trembur as nga vdekja. Rrugës, pa mbërritur në fushën e betejës, bie në pritën e armikut. Papritur ndjeu se diçka e fortë e kishte goditur në kokë. Këmbët i ndjente si të prera me kosore. Ndërsa kamioni ishte kthyer me goma përpjetë. Kishte rënë rob në duart e fashistëve. Ky moment ishte një lebeti e vërtetë për të. Ndërsa pëshpëriste fjalët “Vdekja po më vjen”, zemra i therte nga trishtimi. E, megjithatë, për ta mohuar vdekjen, ngrihet në këmbë. Në këtë çast ai priste vetëm breshërinë e plumbave, që do t’i merrte frymën. Papritur ndjen duart e forta të një djali të ri, që e kishte mbërthyer si me kanxha hekuri dhe zërin e tij të çjerrë që i bërtiste me sa fuqi që kishte: “Ec, o kafshë dhe derdh djersën lumë për ne!” Ishte koha kur kishte humbur gjithçka: Shtëpinë ia kishte bombarduar gjermani. Në kamp robërit trajtoheshin çnjerëzisht.
Por, sikur të mos mjaftonin torturat, më në fund i pushkatonin sikur të ishin qen të zgjebosur. Ja, në atë kamp të tmerrshëm, tregon Andrea, u bëra edhe vrasës për herë të parë, duke vrarë një spiun nga tanët, i cili i shiste kokat e shokëve të tij tek armiku, si të ishin kokë zogjsh. Andrea Sokollov, sapo u kap rob nga gjermanët, mendonte si të largohej nga ai ferr. Dhe erdhi çasti të largohej si era, andej nga lindte dielli. Sapo doli nga kampi, ishin qentë e mësuar, që ranë të parët në gjurmët e tij, të cilët, sa hap e mbyll sytë, ia shqyen rrobat duke e lënë lakuriq. Më poshtë narratori, përmes gojës së protagonistit tregon: “Tek kujtoj vuajtjet çnjerëzore që provova në kampet gjermane dhe tek sjell në mendje miqtë dhe shokët e mi që u shpërfytyruan e vdiqën në atë ferr, zemra më rreh, jo në kraharor, por diku në grykë dhe mezi mbushem me frymë…” Atje ai pa me sytë e tij si i torturuan dhe i shembën në dru e me shqelma, si të ishin kafshë. Herë i shkelnin me këmbë, herë u thyenin kockat me thupra hekuri e herë i godisnin me qytën e pushkës për t’u thyer nofullat dhe dhembët.
Dhe pse i godisnin, pyet vetveten dëshmitari!? Vetëm se nuk i shihnin gjërat, ashtu si i shihnin ata. Të bënin të mbyteshe në pellgjet e gjakut që buron nga plagët e tua. Ata kënaqeshin kur shihnin se vdisje nën fëshfërimën e kërbaçit të tyre. Aq robër lufte vdisnin në ditë, në atë kamp gjakatar, sa që nuk mjaftonin krematoriumet. Atje robërit i torturonin dhe vrisnin si të ishin miza dheu. Dhe kë torturonin dhe vrisnin çnjerëzisht!? Ata që mbanin frymën gjallë ,vetëm me 150 gr bukë, gatuar me gjysmë miell e gjysmë tallash. Ndërsa, në vend të gjellës u jepnin lëtyra me copa panxhari e ujë të zierë”(43) Ishte kjo arsyeja që nga 2000 robër mbetën vetëm 50. Kur ra Stalin gradi gjermanët u bënë më të egër. Andrea Sokollov u ndesh ballë për ballë me komandantin e kampit gjerman. Kur ai e kërcënoi se, në se nuk do t’i bindej “do ta pushkatonte me dorën e tij”, Sokollovi do t’i kundërpërgjigjej: “Unë një vdekje kam!”. Ndërsa, kur komandanti gjerman pa qëndresën e tij stoike, tha: “Je, vërtet, ushtar trim, Sokollov. Prandaj, të nderoj për kundërshtimin tënd të denjë. Vetëm për këtë gjest trimërie që tregove, nuk do të pushkatoj”.(50)
Deri në vitin 1941 Andrea qëndroi në minierat e Ruhit, ku keqtrajtohet barbarisht. Në çdo çast, tregon ai, mendoja se si do të arratisesha drejt atdheut tim. Dhe, më në fund vendosi të arratisej, duke marrë me vete dhe trashaluqin gjerman. Ia hipi makinës dhe me marshin në dërrasë, u nis drejt vendit të tij. Edhe pse gjermanët e shoqëruan me breshëri plumbash, ai nuk u ndal kurrë. Sapo shkeli në trojet e tij, u ul dhe puthi tokën e tij me mall. Bashkëkombësve, në fillim ai u duk si gjerman, por ai i bindi se ishte voronjezhas, bir i këtyre anëve. Nga vuajtjet që kishte kaluar në kampin gjerman dhe gjatë rrugës së kthimit, atë e dërguan në një spital për të marrë veten. Prej këtij spitali, tregon ai , i dërgova një letër bashkëshortes time të dashur Irina, të cilës i kërkonte t’i tregonte çdo gjë që i kishte ndodhur gjatë kohës që ai ndodhej në kampin gjerman. Priti natë e ditë për disa ditë me radhë, por nuk mori asnjë përgjigje. Vetëm javën e tretë erdhi nga Voronjezha një letër, të cilën, në të vërtetë nuk e kish shkruar Irina, por fqinji Ivan Timofejeviçi, i cili i tregonte se, në qershor të vitit 1942 gjermanët kishin bombarduar Uzinën e Avionëve dhe një bombë kishte goditur shtëpinë e tij.
Brenda kësaj shtëpie kishin qenë Irina dhe dy vajzat e saj. Pas shpërthimit të kësaj bombe në këtë shtëpi nuk u gjet asgjë tjetër, veçse një gropë e madhe. Ndërsa Anatoli(djali), fatmirësisht, në ato çaste, kishte qenë në qytet. Para se të dilte nga shtëpia kishte thënë se do të shkonte të regjistrohej për në frontin e luftës. Kur Andrea mori vesh katastrofën, mendja i shkoi tek çasti i ndarjes me Irinën. Ajo e kishte parandierë ndarjen e përjetshme, por Andrea nuk e kishte besuar. Pas këtij lajmi të tmerrshëm ai u nis drejt Voronjezhit. Gropa e zezë që kishte mbirë mbi shtëpinë e tij të dikurshme e tmerronte. Rreth saj mbretëronte një heshtje varri. Lajmi që ia zbuti dhimbjen e madhe ishte letra e ardhur nga djali i tij Anatoli, i vetmi pjesëtar i familjes që kishte mbetur gjallë nga ajo katastrofë tragjike. Në këtë letër ai tregon historinë e jetës së tij. Tregon, se si kish mbaruar Teknikumin e Artilerisë. Pasi kish mbaruar shkëlqyeshëm këtë shkollë, kish marrë gradën kapiten dhe më pas ishte emëruar komandant baterie. Për punë të mirë ishte nderuar me 6 urdhra dhe medalje. Por, fatkeqësisht, kur takimi i babait me të birin, Andrea ishte shumë afër, një snajper gjerman, më 9 maj të atij viti, e kishte qëlluar atë për vdekje.
Ky ishte lajmi më i tmerrshëm që priste dhe shpresën e vetme dhe të fundit të të shumëvuajturit Andrea. Po, si e mori këtë lajm të tmerrshëm Andrea? Ja ç’tregon ai: “Më thirri komandanti i kompanisë, i cili më tha: -Bëhu burrë. Djali yt, Anatoli, mbeti i vrarë. Papritur, vazhdon të tregojë ai, e pashë Anatolin tim të shtrirë për tokë. E njoha vetëm nga buzëqeshja e tij e çiltër. E putha në ballë, por në atë çast lotët më kishin ngrirë thellë në zemër. E varrosa në tokën gjermane shpresën time të fundit të jetës time. Ato të shtëna topi që shoqëruan djalin tim në botën tjetër, thotë Andrea, do të gjëmojnë në veshët e mi tërë jetën. Në ato çaste iu duk se diçka i u këput brenda shpirtit. Vetja iu duk si një gur i hedhur në fund të një pusi të errët. Ishte koha kur atë e kishin liruar edhe nga puna. Tashmë, ja atje në Varanjezh, duke i humbur të gjitha shpresat, pa njerëzit e tij më të dashur, pa shtëpi, pa punë e me një gjendje ekonomike të vështirë, nuk dinte nga t’ia mbante. Papritur i kujtohet një mik i tij i hershëm që banonte në Urinjesk. Sapo hyn në një nga kafenetë e këtij qyteti, sytë i shkuan tek një bonjak, veshur me zhele, që dukej se ishte i pangrënë, i cili jetonte me lëmoshë. Bebëzat e syve të tij shkëlqenin si yjet pas shiut në natën e errët pus.
Natën e katërt e kishte parë në ballkon me këmbë të varura, që dukej qartë se s’kishte futur gjë në gojë. Pasi i mësova emrin, tregon ai, i thirra: Vanjusha, eja me mua! Dhe ai, sapo dëgjoi emrin, erdhi me vrap e u ul pranë meje në sediljen e makinës. Dukej që ishte një fëmijë i shkathët, por i tronditur. Vështronte përreth dhe psherëtinte thellë. Kur e pyeta, se ku e kishte babanë, ai u përgjigj shkurt: “U vra në front, ndërsa nëna u vra nga bombat, kur po udhëtonim me tren”. Ndërsa gjumin e bënte ku e zinte nata. Në këto çaste Andrea Sokollovit nuk iu durua më. Papritur, i drejtohet Vanjushkës së vogël me fjalët e ngrohta: “Unë jam babai yt”. Në ato çaste të rralla gëzimi, djali i vogël i hidhet në qafë dhe e pushton me krahët e tij të njoma, duke e mbushur kabinën e makinës me ofshama të papërmbajtura gëzimi. Sokollovi e rrëmben Vanjushkën në krahë dhe rend i lumturuar dret shtëpisë së mikut të tij duke thirrur: “E gjeta djalin tim të shumëkërkuar, Vanjushkën!”. Pasi e qethi, e lau dhe e ndërroi, nuk mbahej nga gëzimi. Iu duk sikur i ishe ringjallur djali i tij i vetëm, Anatoli, vrarë nga lufta. Kur Vanjushka i vogël e pyet Andrean, se ku e kishte pallton prej lëkure që mbante veshur, Sokollovi e kuptoi se fëmijës i kujtohej babai i tij i vërtetë, i cili para se të shkonte në luftë, mbante veshur një pallto lëkure. Kujtesa e fëmijës është si agu i verës. Feks për një kohë të shkurtër dhe shuhet përsëri(74).
Andrea Sokollovit, në çdo çast, mendja i shkonte te njerëzit e tij më të dashur, që i humbi nga lufta. Edhe në gjumë i fanepsej prerja e komunikimit me ta. Ndërsa, ata i shfaqen si të gjallë, që rrojnë në liri matanë telave. Më duket, mediton ai, sikur unë afrohem të bisedoj me ta i përmallur, ndërsa ata duket sikur terratisen me shpejtësi, pa e kuptuar se në ç’drejtim fluturojnë. Por, kur ngrihem, pa pritur shoh këllëfin e jastëkut të lagur prej lotëve .(76) Mjeshtëri i madhi artit të fjalës Mihail Shollohov e mbyll narracionin për fatin e keq të Andrea Sokollovit me pasazhin, sa të drejtpërdrejtë, aq dhe metaforik: “Me trishtim të madh ndjek me sy se si largohen dy jetimët(Andrea dhe Vanjusha), të mbetur si dy kokrriza rëre të venitura. Të tillë frute të hidhura e vdekjeprurëse prodhojnë luftërat vrastare, që fatkeqësisht kanë marrë dhenë edhe në ditët e sotshme kur njerëzit flasin e përbetohen për paqen. Po ç’i pret, përpara në të vërtet, protagonistët e kësaj ngjarjeje të trishtë!? Dëshira e narratorit është që ky luftëtar me vullnet titanik t’ia dilte mbanë. Ndërsa kërthiu, do të rritej, por kur ta marrte veten, do të përballej me vështirësitë e jetës…Vanjusha, pasi bëri disa hapa, kthen përsëri kokën prapa. Por prindi nuk dëshiron që fëmijët të shohin se si rrëshqet në faqen e tyre loti burrëror dhe i kursyer.
/Gazeta Panorama
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al