Kolegji Universitar “Luarasi” mbetet një derë e hapur për të pritur të rinj në kërkim të alternativës më të mirë akademike, por jo rrallë ndodh që universiteti të shkojë tek ata.
![Malaj gjatë leksionit të hapur me nxënësit e Vlorës](http://www.panorama.com.al/wp-content/uploads/2017/05/arben-malaj-luarasi.jpg)
Rektori prof. dr. Arben Malaj, shoqëruar me disa të rinj të talentuar të “Luarasit”, kanë takuar të rinj të tri shkollave të mesme të Vlorës: “Elita”, “Drita e dijes” dhe “Perla”. Gjatë qëndrimit të tij në këtë qytet, rektori mbajti një leksion të hapur, me temë “Ndikimi i riskut politik në ekonomi”, duke nënvizuar faktin se risku i lartë politik çon në largimin e trurit nga vendi, specifikisht nga ana e të rinjve.
“Vendi ka nevojë të eliminojë çdo risk politik. Efekti negativ më i madh nga risku politik është zhgënjimi masiv i njerëzve, braktisja e vendit nga njerëzit e thjeshtë, por edhe nga të mirarsimuarit. Risku politik rrit hezitimin e të rinjve të talentuar të kthehen në vendin e tyre dhe rritet fluksi i të rinjve të pashpresë që, edhe pse janë të mirarsimuar, nxitojnë të braktisin vendin e tyre”.
Arsimimi dhe zhvillmi i qëndrueshëm ishin dy pika kyçe të leksionit me qëllim ndërgjegjësimin e nxënësve për rëndësinë e kapitalit human. Prof. dr. Malaj përfitoi nga rasti të apelojë të rinjtë të studiojnë dhe të kontribuojnë më tej në vendin e tyre. Jo për çudi, shumë prej nxënësve në takim ishin pjesëmarrës dhe fitues të konkurseve e olimpiadave ndërkombëtare.
Në bisedën me rektorin dhe të rinjtë e “Luarasit”, nxënësit u shfaqën jo pak ambiciozë për të ardhmen. E sigurisht, meritë për këtë kanë stafi pedagogjik dhe logjistika e këtyre shkollave. Atmosfera e ngrohtë shoqëroi të gjitha takimet, ku nuk mungoi mirëkuptimi, debati konstruktiv, pyetjet dhe përgjigjet duke r bërë më të fortë bindjen se nxënësit e shkëlqyer të Vlorës po ndërtojnë një bazë solide për një të ardhme më të mirë të shoqërisë tonë, çka duhet të bëjë krenar çdo shqiptar.
Gjatë këtij leksioni, nxënësit përveçse u njohën me zhvillimet politike dhe ekonomike të vendit tonë, u njohën me programet akademike të Kolegjit Universitar “Luarasi”. Rektori Malaj përfitoi nga rasti për të konkretizuar një premtim ndaj drejtorit të bibliotekës “Shefqet Musaraj”, Çlirin Hoxha, duke i dhuruar 220 libra që do t’i shtohen fondit të bibliotekës së këtij qyteti.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al