
Drama lirike këtë fundjavë në Teatrin Kombëtar.
“Përjetësisht dashuria”, e shkruar 10 vjet më parë, mbi problemet e moshës së tretë.
“Skena më ka shëruar dhimbjet”. Kështu do të shprehej në ditëlindjen e saj të 85-të aktorja Drita Pelinku. Kur bëri të 80-at tha se do të tërhiqej nga skena, pasi të interpretonte edhe në monodramën “Rouz”. Por jeta i kishte rezervuar edhe ca plagë të tjera dhe e vetmja që do ta bënte t’i harronte, ishte skena. I shërbeu si terapi me “Shtrigat e Salemit”, me regji të Spiro Dunit dhe këtë fundjavë vjen në skenën e Teatrit Kombëtar me një tjetër rol, krijuar posaçërisht për të. Bëhet fjalë për dramën lirike “Përjetësisht dashuria”, shkruar dhe vënë në skenë nga dramaturgu dhe regjisori Mihal Luarasi. Është një dramë me dy personazhe, interpretuar nga Drita Pelinku dhe Vangjel Toçe, me skenografi dhe kostumografi të Genc Shkodranit. Ashtu si edhe në vepra të tjera të tij, Luarasi nuk shkëputet dot nga temat e ditës. Nuk është i shqetësuar për zgjedhjen e Presidentit konsensual apo çështje politike që ziejnë tryezave partiake e të kafeneve. Por probleme që shqetësojnë atë vetë dhe gjithë bashkëmoshatarët e tij. Nuk do të jetë e thjeshtë për Pelinkun e Toçen, që do të duhet të mbajnë gjallë skenën vetëm të dy. Kjo është një gjetje e autorit, jo vetëm për të treguar jetët e këtyre dy personazheve, por edhe për të krijuar tensionin e nevojshëm dhe trysninë që krijon vetmia.
Bashkëpunimi

Duhet të kalonin 56 vjet që Mihal Luarasi dhe aktorja Drita Pelinku të bashkëpunonin. Bashkëpunimi i parë ka qenë pikërisht në vitin 1956 në veprën “Intrigë dhe dashuri”, ku Pelinku luante rolin kryesor. Për këtë të fundit, ky rezultoi një rol me fat, ajo do të bëhej më pas një nga ikonat e skenës dhe kinematografisë shqiptare, çka nuk do të ishte e njëjtë për regjisorin e ri Luarasi, i cili duhet të vuante haraçet e regjimit. “Përjetësisht dashuria”, mësohet të jetë krijuar dhjetë vjet më parë dhe kur Luarasi ndërtoi personazhin kryesor, ndër mend kishte profilin e aktores Drita Pelinku. Por të vësh sot një pjesë në skenë, nuk është edhe aq e thjeshtë. Për një mori arsyesh personale apo financiare, vetëm tani u bë e mundur që kjo vepër të shohë dritat e skenës. Ky bashkëpunim ka qenë i shumëpritur si për regjisorin, ashtu edhe për aktoren, që dy skajet e karrierave të tyre i kanë të lidhura së bashku. Regjisori Luarasi ka luajtur një rol të rëndësishëm për ta bindur aktoren të kthehet në skenë edhe në rastin e dramës “Shtrigat e Salemit”. “Kam premtuar dy herë që do tërhiqem. Kur luajta monodramën “Rouz”, dola para publikut dhe i thashë se kjo do të ishte dalja ime e fundit. Publiku u ngrit i gjithi në këmbë dhe duartrokiste, kurse unë qaja. Nuk kaloi shumë kohë, m’u propozua roli i Rebekës. Nga njëra anë doja ta bëja rolin, nga ana tjetër ishte premtimi që kisha dhënë. Mediat që më kanë ndjekur kurdoherë, kishin folur për këtë. Por, ishte regjisori Mihallaq Luarasi, që ka luajtur një rol shumë të madh në karrierën time, që më tha: O Drita, kjo ndodh në të gjithë botën. Edhe aktorë të mëdhenj janë betuar e prapë janë kthyer të luajnë. Nuk është turp, merre dhe bëje rolin! E mora dhe kur u ktheva në teatër, e kuptova se sa më mungonte. Nuk mund të rrija dot larg skenës së teatrit”, është shprehur aktorja.
Drama lirike
Zarina dhe Dioni janë një çift pleqsh që ndajnë jetën bashkë prej një gjysmë shekulli. Kanë kaluar gjithçka bashkë, të mira e të këqija. Ishin të rinj, të fortë, ndërtuan familje së bashku. Jeta i gëzoi edhe me fëmijë, por sot, pas 50 vjetësh, ajo çka u ka mbetur është vetëm njëri-tjetri. E gjithë historia zhvillohet në dhomën e ndenjjes, mobiluar ashtu, si u përshtatet moshës së tyre dhe ku tashmë kalojnë pjesën më të madhe të ditës së tyre. Zarina dhe Dioni janë dy përfaqësues të brezit të tyre. Atyre tashmë u duhet të përballen me të gjitha problemet dhe vështirësitë që sjell mosha, por më shumë se ekonomike, brenga e tyre më e madhe është vetmia. Drama ngre problemin e emigracionit, që ka detyruar shumë të rinj të ndahen prej familjeve të tyre për një jetë më të mirë jashtë vendit. E tashmë ata, edhe pse herë pas here marrin ndonjë zarf nga fëmijët, duhet t’i ngrysin ditët vetëm. E në këtë pikë të jetës, nuk u mbetet gjë tjetër veçse t’i luten Zotit që edhe në botën tjetër të jenë sërish bashkë.
Vepra
Titulli: Përjetësisht dashuria
Autori dhe regjia: Mihal Luarasi
Interpretojnë: Drita Pelinku dhe Vangjel Toçe
Skenografia dhe kostumografia: Genc Shkodrani
Skena: Teatri Kombëtar
ALMA MILE
© Panorama.al











