Luan Malltezi: Ditarët mund të mos jenë dorëzuar

Feb 5, 2012 | 11:45

Ish-drejtori i Arkivit, Luan Malltezi

Flet drejtori i Arkivit të Shtetit, në vitet ‘93-‘97

“Nëse kanë hyrë në Arkiv, dokumentet origjinale të Enver Hoxhës, s’ka humbur gjë”

Siç duket, deklarata për shtyp që Nexhmije Hoxha ka botuar ditën e enjte në një pjesë të madhe të të përditshmeve shqiptare, për zhdukjen e dorëshkrimeve të ditarëve origjinalë të të shoqit, ka hapur polemika gjithandej. “A ekzistojnë këta ditarë origjinalë?!”, “A mos vallë kanë humbur?!”, “Po sikur Nexhmija t’i ketë vetë? Po atëherë pse duhet të bënte gjithë këtë zhurmë?”. Pyetjet janë pafund, por edhe të pyeturit rreth kësaj çështjeje nuk janë pak. Që prej ditës së botimit të deklaratës e deri në vazhdim ne jemi përpjekur të kontaktojmë me të gjithë drejtuesit e Arkivit të Përgjithshëm Shtetëror. Pas prononcimit të drejtoreshës aktuale, Nevila Nika, që pohoi se për këta ditarë që pretendon familja nuk ka as procesverbal dorëzimi e jo më të jetë varianti origjinal, kemi pyetur edhe ish-drejtonin e Arkivit, prof. Shaban Sinanin, i cili nuk ka pranuar të prononcohet. Tentativa tjetër ka qenë me drejtorin e parë të Arkivit, i cili ka shkuar personalisht te Partia Socialiste, në atë pak kohë që ata kanë poseduar këtë arkiv, për t’i kërkuar transferim në Arkivin e Shtetit. Për drejtorin e sotshëm të Muzeut Kombëtar, Luan Malltezin, Ish-drejtor i Arkivws, historianin i periudhës së mesjetës, kjo është një periudhë e largët, megjithatë, ai ka dhënë versionin e tij.
Profesor Malltezi, a jeni në dijeni të përmbajtjes së deklaratës për shtyp që Nexhmije Hoxha ka botuar në media pak ditë më parë?
Cili është qëndrimi juaj?
Po, i kam ndjekur gazetat këto ditë dhe e di se për çfarë bëhet fjalë. Duhet të dini se kanë kaluar shumë vite që kur unë kam qenë në krye të Arkivit të Shtetit, kështu që kujtesa nuk është në anën time.
Bëhet fjalë për dorëshkrime shumë të rëndësishme. Në ato vite, ’92 – ’93, në mos gaboj, me gjithë dëshirën për të varrosur gjithçka të shkuar, ditarët e Enver Hoxhës nuk ishin për të mos u kushtuar vëmendje?

Nexhmije dhe Enver Hoxha

Jo vetëm ditarët apo arkivat e tij. Vëmendje i kushtohej gjithçkaje e kujtdo që ishte pjesë e Arkivit, sepse kjo është puna e arkivistit, por po ju thosha që nuk mund të kujtoj detaje. Me siguri kanë qenë në Arkivin e Komitetit Qendror. Por di fare mirë, sepse jam marrë personalisht me këtë punë, që kemi marrë gjithë çka i është dorëzuar Partisë Socialiste, pra gjithë arkivat që kanë ardhur nga Skrapari. Ama, ekziston mundësia që ditarët në fjalë të mos i jenë dorëzuar PS-së, në kohën kur është bërë kalimi nga Arkivi i Komitetit Qendror.
Pra, ju aludoni se dëmtimi mund të ketë ndodhur në këtë hark kohor?
Vetëm supozoj, por jam i sigurt se në rast se kanë hyrë në Arkivin e Shtetit, askush nuk i ka prekur më me dorë. Çdo procedurë, duke filluar që nga dorëzimi, është bërë sipas ligjit dhe në mënyrë shumë rigoroze. Më duhet të them që është bërë nga të gjithë punë vërtet shumë e mirë dhe ka vijuar edhe vitet në vijim të jetë e tillë.
Znj. Nika na tha se ka qenë një punonjës i vjetër i aparatit që është marrë me dorëzimet…
Po, është e vërtet, ka qenë një punonjës i Arkivit të Komitetit Qendror.
Ju keni qenë në krye të Arkivit për një periudhë gati 4-vjeçare. Gjatë kësaj periudhe, a janë interesuar familjarët për ndonjë dorëshkrim a regjistrim, jashtë lidhjes me pretendimet e stome natyrisht?
Jo, jo, asnjëherë. Me ta nuk kemi pasur asnjëherë asnjë problem. Pastaj, procedura e inventarizimit kërkon një kohë të gjatë dhe nuk mund të dihet se ç ’përmban gjithë Arkivi. Flitet për zbardhjen e një pune 50-vjeçare, që kërkon vite e që ka vazhduar edhe pasi unë kam lënë detyrën.
Rreth deklaratës së Nexhmije Hoxhës, ç’ pozicion mbani?
Nuk jam dakord me pretendimin e saj se ditarët mund të jenë zhdukur. Në asnjë fazë nuk ka pasur probleme në Arkiv, madje edhe në vitin ’97 kur u plaçkit thuajse gjithçka, Arkivi nuk është prekur.
Atëherë?
Alternativat janë dy sipas meje, ose Enveri nuk i ka dorëzuar fare, ose i ka marrë dikush tjetër që në atë kohë.

ANI JAUPAJ

© Panorama.al

Te lidhura