
Lëvizja Socialiste për Integrim kërkon që në seancën e 6 gushtit, së bashku me heqjen e imunitetit, të votohet edhe reforma parlamentare. Nënkryetari i kësaj force politike, Petrit Vasili, tha në një konferencë për shtyp se në këtë mënyrë Shqipëria do të përmbushë dy prej detyrimeve të rëndësishme të Komisionit Europian përpara se në muajin tetor të publikohet progres-raporti. “Duke synuar të përfitohet gjithë koha e humbur, të mbyllen më 6 gusht të dyja, edhe reforma parlamentare, e cila duhet të startojë puna për të që nga e hëna, në mënyrë që në vlerësimet që bëhen në Europë lidhur me këtë çështje në fillim të shtatorit, Shqipëria t’i ketë përmbushur këto dy detyrime të kërkuara me insistim dhe më përpara”, tha Vasili. Ai kërkoi që paralelisht me punën e filluar për imunitetet, ditët në vazhdim të rimerret në shqyrtim edhe reforma parlamentare, duke bërë që 6 gushti të kthehet në një datë të rëndësishme për të ardhmen europiane të Shqipërisë.
Pak ditë më parë ishte vetë kreu i LSI-së, Ilir Meta, që apeloi për votimin e heqjes së imunitetit më 6 gusht. “Ne vlerësojmë se është shumë e rëndësishme për zgjidhje të çështjes në themelet e saj, ashtu sikurse po kaq e rëndësishme është edhe koha kur realizohet kjo zgjidhje, dhe ne mendojmë se të gjitha palët janë të përgatitura për mendimet e tyre të ndryshme në angazhimin për të zgjidhur njëherë e mirë çështjen e imuniteteve. Prandaj, Lëvizja Socialiste për Integrim apelon për të përdorur të gjithë kohën, e cila nuk është e pakët deri më 6 gusht, për të dhënë një zgjidhje përfundimtare, një zgjidhje edhe kushtetuese, por njëkohësisht, në radhë të parë, një zgjidhje politike dhe morale”, tha Meta.











