LSI kundër, shtyhet vendimi për kontrollin e numërimit elektronik

May 3, 2012 | 13:30
Madhi dhe Milo

Komisioni i Reformës Zgjedhore nuk ka mundur dje që të miratojë kapitullin për numërimin elektronik të votave. Kundërshtimet e forta të LSI-së dhe mbledhja e Kryesisë së PS-së ka bërë që Komisioni ta shtyjë mbledhjen për ditën e premte, në orën 10:00. LSI-ja nuk ka qenë dakord me propozimin e partive të mëdha, që në procesin e numërimit të qëndrojnë pranë numëruesve elektronikë vetëm përfaqësuesit e PS-së dhe PD-së. Në draftin e hartuar që iu paraqit dje Komisionit, thuhet se “KZAZ cakton dy përfaqësues të subjekteve zgjedhore për mbikëqyrjen e procesit për çdo makinë numërimi, të zgjedhur mes anëtarëve të grupeve të numërimit të ngritura sipas nenit 95/1 të Kodit. Personat duhet të kryejnë trajnimin përkatës. Përfaqësuesit propozohen një nga partia më e madhe e shumicës dhe një nga partia më e madhe e pakicës parlamentare”. Nënkryetari i Parlamentit, deputeti i LSI-së, Vangjel Tavo, tha se edhe kjo forcë politike duhet të ketë përfaqësuesin e saj në grupin e ekspertëve. “Përderisa kemi pranuar që të ngremë një sistem elektronik, nuk kemi pse të ngatërrojmë politikën. Ekspertët janë njerëz politikë në atë proces. Ne kërkojmë që të përfaqësohemi. Të gjitha forcat që janë pjesë e KZAZ, të jenë të përfaqësuara në grupin e ekspertëve”, mësohet të jetë shprehur Tavo në mbledhjen e djeshme. Burimet bëjnë të ditur se edhe bashkëkryetari demokrat, Ilir Rusmali, ka qenë dakord me shqetësimin e LSI-së, teksa ka kërkuar që të gjendet një zgjidhje që të plotësojë kërkesën e kësaj force politike. Ndërsa Damian Gjiknuri propozoi ngritjen e një grupi ekspertësh me katër anëtarë, siç e parashikon sot Kodi Zgjedhor për grupet e numërimit. Pas rreth 90 minutash debat, u ra dakord që ekspertët e PS-së dhe PD-së që hartojnë draftin, ta ndryshojnë atë dhe, nëse do të vendoset që të ketë përfaqësues të partive, duhet të jenë katër ose 7, sa ç’janë edhe anëtarët e KZAZ-së. Gjatë paradites së djeshme, përfaqësuesit e PDS-së, Paskal Milo dhe ai i PR-së, Arjan Madhi, depozituan në Kuvend propozimin me katër variante për llogaritjen e numrit të mandateve. Njëri prej këtyre propozimeve është ai i llogaritjes së numrit të mandateve brenda koalicionit, në mënyrë që t’u jepet më shumë mundësi partive të vogla ta fitojnë atë. “Kemi bërë propozime konkrete, në mënyrë që formula që ne kemi parashtruar, të ndihmojë në punën e Komisionit parlamentar. Shpresoj që ky Komision si mbartës i vullnetit politik të Kuvendit të Shqipërisë do ta shqyrtojë këtë iniciativë dhe do të mund të adaptojë formulën më të mirë, duke bërë të mundur barazimin e votës aq shumë të nevojshme në funksion të një demokracie reale”, tha kreu i PDS-së, Paskal Milo.

4 propozimet
1. Për çdo parti të veçantë a përbërëse e subjekteve përfituese sipas pikës 1, përcaktohet numri i mandateve të fituara në zonë, që është numri i plotë që del nga pjesëtimi i votave të partisë me herësin e mëparshëm, si dhe votat e mbetura nga ky pjesëtim. Më tej, për çdo parti përcaktohet sasia e votave të mbetura në rang vendi si shumë e tërë votave të mbetura në 12 zonat. Mandatet e mbetura të pashpërndara shpërndahen proporcionalisht midis partive përfituese, në raport me sasinë e votave të mbetura  në rang vendi sipas mbetjes më të madhe ose formulës së përdorur në nenin 163.
2. Në 12 zonat zgjedhore shpërndahen 110 a 115 mandate në proporcion me numrin e zgjedhësve. 25 deri 30 mandate përdoren për korrektim kombëtar. Çdo parti a subjekt zgjedhor, krahas listave zonale, paraqet dhe një liste qendrore.
3. Përllogaritja e mandateve për çdo subjekt bëhet mbi bazë kombëtare, por konkurrimi për çdo subjekt bëhet me lista rajonale.
4. Llogaritja dhe shpërndarja e mandateve për partitë e një koalicioni bëhet mbi bazën e metodës daneze me seri pjesëtuesish 1,4,7,10… etj.

© Panorama.al

Te lidhura