Lëvizja Socialiste për Integrim hedh poshtë apelin e PS për një koalicion të ardhshëm zgjedhor me të. Sekretari për çështjet ligjore në këtë parti, Ylli Manjani, tha dje se “deklarata e shokut Bare se me demek na
pranuaka ‘të bëka koalicion edhe me LSI’ kundër Berishës, është gjëja më e shpifur që më kanë parë sytë. Pra, sipas tij, të bësh koalicion me
LSI-në na qenka një kosto e madhe për të dhe për shoqet dhe shokët e tjerë të partisë së Ramës dhe partisë së tij. Ndërkohë, është me vend t’i
kujtohet shokut Bare se kur t’i shkojë mendja të kërkojë koalicion me LSI, duhet ta ketë për nder, dhe jo bezdi. Në politikë koalicionet ndërtohen
mbi principe dhe respekt reciprok, dhe jo për t’i bërë nder vetes apo të
tjerëve”. “Që prej vitit 2009, jemi në koalicionin qeverisës as për inat të Ramës, Bares e të tjerëve e as për qejfin tonë politik. Jemi kontribues
të stabilitetit qeverisës në vend dhe në arritjen e lëvizjes së lirë për shqiptaret. LSI është një forcë politike me elektorat të qëndrueshëm,
edhe pse Rama do ta fshijë nga faqja e dheut. Ky elektorat
veçse po rritet nga dita në ditë dhe kjo rritje nuk vjen as nga inati, e as nga qejfi i kryetarëve, por nga dëshira për të kontribuar për Shqipërinë
europiane”, shprehet Manjani. Lidhur me reflektimin e Ramës ndaj ndryshimeve kushtetuese, Manjani shprehet se “kreu socialist, është i
vetmi ‘i penduar’ i rruzullit që vazhdon të kryejë detyrën politike me të cilët ka bërë ‘gjynahet’ që e çojnë në pendim. “E njoh shumë mirë
këtë sjellje lëvyrëse të tij, që e bën sa herë është në hall. Të gjithë e dinë se kur ka hall, Rama të lan e të lyn gjithandej. Kur e kryen hallin, të fshin edhe emrin nga memoria e celularit”- shprehet Manjani.











